Japin me qira apartamente dhe shtëpiza pushimi për Vitin e Ri, por sa e paguajnë tatimin në RMV?

Drejtoria e të Ardhurave Publike u bëri thirrje qytetarëve që japin me qira apartamente, vila, shtëpiza pushimi për festat e fundvitit që t’i deklarojnë të ardhurat dhe të paguajnë tatim. Vitin e kaluar në muajin shkurt 254 persona kanë kërkuar përllogaritje për tatimin që është dashur ta paguajnë për pronat e dhëna me qira gjatë […]

dhjetor 26, 2024 - 08:00
 0  5
Japin me qira apartamente dhe shtëpiza pushimi për Vitin e Ri, por sa e paguajnë tatimin në RMV?
Aapartament, banesë. Foto: Max Vakhtbovycn në Canva

Drejtoria e të Ardhurave Publike u bëri thirrje qytetarëve që japin me qira apartamente, vila, shtëpiza pushimi për festat e fundvitit që t’i deklarojnë të ardhurat dhe të paguajnë tatim. Vitin e kaluar në muajin shkurt 254 persona kanë kërkuar përllogaritje për tatimin që është dashur ta paguajnë për pronat e dhëna me qira gjatë muajit janar. Gjobat për mospaguesit sillen nga 50 deri në 250 euro me kundërvlerë në denarë, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Nuk ka nevojë të deklaroj të ardhurat, askush nuk kontrollon, thotë Dejan T. nga Shkupi, pronar i një apartamenti në kryeqytet, të cilin ai e jep me qira për qëndrim të shkurtër, pas apelit të Drejtorisë të të Ardhurave Publike javën e kaluar drejtuar qytetarëve që japin me qira apartamente, vila, shtëpiza pushimi për festat në periudhën e ardhshme që t’i deklarojnë të ardhurat që i realizojnë nga dhënia me qira e pronës së tyre.

Me qëndrim të shkurtër nënkuptohet lëshimi me qira i pronës maksimum 31 ditë në muaj.

“Kam gjithë jetën që jap me qira një apartament në vetë qendrën e Shkupit, që nga vitet e 90-ta të shekullit të kaluar. Nuk i kam deklaruar kurrë të ardhurat”, thotë Dejani.

Gjysma e të qiraxhinjve të tij janë turq, të cilët qëndrojnë në qytet për një ose dy ditë. Shpesh e jep me qira edhe për shtetas nga Serbia, të cilët kanë nevojë për një vend për të qëndruar. Rrallë herë ndodh që dikush të qëndrojë disa ditë.

Vitin e kaluar, Dejani apartamentin e ka dhënë me qira nëpërmjet platformës Booking (Booking.com). Platforma nga ai merrte një provizion prej 12,5 përqind të shumës së përgjithshme të cilën ai e merrte për dhënien me qira të apartamentit.

“E di që tatimi duhet paguar, por besoj se një pjesë e madhe e atyre që japin qira nuk e paguajnë. Maqedonia e Veriut nuk ka mundësi për pagesë përmes PayPal, Payoneer ose përmes shërbimeve të tjera globale për pagesa online dhe ata nuk mund të na i transferojnë paratë. Unë bie dakord me qiraxhinjtë, nese nuk mund të mi japin paratë menjëherë, atëherë u them që t’i lënë në apartament. Funksionojmë mbi bazë të besimit dhe deri më tani askush nuk më ka mashtruar”, thotë Dejani.

Çmimet janë më të larta, ndërsa apartamentet dhe shtëpizat e pushimit janë plot

Nga ana tjetër Nade Petrusheva me një grup prej 10 personash kërkon për të marrë me qira një apartament për festën e Vitit të Ri më 31 dhjetor. Ajo thotë se edhe pse çmimet janë gati dy herë më të larta krahasuar me vitin e kaluar dhe vitin para tij, e kanë shumë të vështirë të gjejnë një apartament.

“Agjencia na ofroi një apartament me tre dhoma gjumi, të mobiluar, në qendër të Shkupit, për 400 euro për një natë. Kjo është shumë. Përveç kësaj, na thanë se duhej të nënshkruanim edhe një marrëveshje për qiramarrje, në të cilën kishte një dispozitë e cila thoshte se do të paguanim për çdo dëm të mundshëm. Pagesa mund të bëhej para, në llogari ose me para në dorë. Por, një ditë më vonë, apartamenti tashmë ishte dhënë me qira”, tha Petrusheva.

Pas kësaj ata kanë marrë me qira një apartament në Dojran, për të cilin kanë paguar 300 euro për një natë.

Nga Agjencitë e patundshmërive me të cilat foli REL, na thanë se qendrat turistike dimërore në Maqedoni janë pothuajse të gjitha të dhëna me qira për sezonin në vijim. Konkretisht për Vitin e Ri, apartamentet dhe shtëpizat e pushimit janë rezervuar që një muaj para. Interesim të madh ka pasur edhe nga maqedonasit që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit dhe që kanë ardhur për pushime dimërore.

Kush paguan?

Ata që japin apartamente me qira kanë detyrimin ndaj DAP-it që t’i deklarojnë të ardhurat nga qiratë e pronave. Flerëparaqitja bashku me dëshmitë përkatëse dorëzohet në mënyrë elektronike (e-PPD), nëpërmjet sistemit për shërbime tatimore elektronike.

“Kjo vlen edhe për dhënien e pronave me qira përmes platformave si AirBnb, Booking.com, Facebook, Kajak dhe të tjera. Deklarimi i të ardhurave nga dhënia me qira e pasurive të patundshme duhet bërë detyrimisht brenda datës 10 të muajit pasardhës të muajit kur prona është dhënë me qira”, thonë nga DAP-i.

Kajak.mk është e vetmja platformë në Maqedoni nga ato që i numëruar nga DAP-i. Ajo merret me promovimin e turizmit në Maqedoninë e Veriut dhe ka një mundësi për pagesë online gjatë rezervimit të qëndrimit. Nga atje thonë se i paguajnë tatim shtetit.

“Me pagesat online është rritur numri i rezervimeve përmes platformës në vetë platformën e rezervimeve, për të cilat agjencia paguan tatim në çdo tremujor. Ne nuk kemi qasje për akomodimet për atë nëse ato i deklarojnë të ardhurat, pasi kjo është përgjegjësi e vetë qiradhënësve. Besojmë se tashmë ka një vetëdijësim se nëse duam që turizmi të rritet në një degë që do ta stimulojë ekonominë, çdo palë në këtë veprimtari duhet t’i deklarojë të ardhurat e veta në DAP”, thanë nga Kajak.mk.

Dënimet sillen nga 50 deri më 250 euro

Bazë për përllogaritjen e tatimit janë të ardhurat bruto që realizohen të reduktuara për shumën e shpenzimeve të mëposhtme: 10 përqind e shumës të të ardhurave për hapësirë ​​të pamobiluar, ndërsa 15 përqind e shumës të të ardhurave për hapësirë ​​të mobiluar. Sipas shembujve që i jep DAP-i në broshurën “Tatimi të ardhurave nga qiradhënia dhe nënqiradhënia“, nëse një qytetar jep një apartament me qira për dy ditë në muaj për 2.000 denarë, atëherë tatimi për të ardhurat do të ishte 170 denarë, ndërsa 1.830 denarë do të ishte shuma neto që do t’i mbetet qiradhënësit pasi ai të ketë paguar tatimin ndaj shtetit.

Sipas të dhënave që i kemi siguruar nga DAP-i, 219 persona kanë pasur detyrim për tatim mbi të ardhurat për muajin shkurt 2022, për pronën që e kanë dhënë me qira në janar të po atij viti.

Në vitin 2023, për muajin shkurt, ky numër është rritur në 254 persona.

Slavko Llazovski, ekspert i çështjeve tatimore, thotë se DAP-i nuk ka asnjë mekanizëm me të cilin mund t’i detyrojë qiradhënësit e patundshmërive t’i deklarojnë të ardhurat nga dhënia me qira e pronave, përveç se përmes thirrjes publike.

“Nëse ky tatim do t’u mbetej komunave, mendoj se do të ishin më të suksesshme në mbledhjen e tij sesa shteti. Bëhet fjalë ndoshta për të ardhura të papërfillshme në krahasim me tatimet e tjerë më të mëdhenj që na “ikin” dhe që nuk mund t’i mbledhim, por DAP-i nuk ka një instrument për t’i mbledhur, përveç se personat që fitojnë të ardhura nga qiratë e pasurive të patundshme, t’i deklarojnë vetë ato të ardhura, thotë Llazovski.

Nëse një person nuk e paguan tatimin, DAP-i mund të marrë masa kundravajtëse, përfshirë këtu edhe gjoba që variojnë nga 50 deri në 250 euro me kundërvlerë në denarë.

“Drejtëria e të Ardhurave Publike në vazhdimësi kryen kontrolle, analiza dhe kontrolle të të ardhurave të fituara nga dhënia me qira e patundshmërive. Gjithashtu, DAP zhvillon vazhdimisht fushata për ndërgjegjësimin e publikut në lidhje me detyrimet tatimore të qytetarëve dhe kompanive. Këto fushata kanë për qëllim të rrisin ndërgjegjësimin për detyrimet që kanë taksapaguesit dhe t’i motivojnë ata që t’i përmbushin në kohë dhe në mënyrën e duhur detyrimet e tyre tatimore”, u përgjigjën nga DAP-i.

Sipas të dhënave të DAP-it, numri i qytetarëve që kanë kërkuar nga DAP-i që tu përllogarisë se sa tatim duhet të paguajnë për dhënien me qira të pronës si persona fizikë është rritur gjatë dy viteve të fundit dhe atë nga 4.706 persona në vitin 2022 në 4.945 njerëz në vitin 2023.