Kush e pengon Maqedoninë e Veriut në rrugëtimin drejt BE-së?
Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian mbetet peng e historisë së saj dhe kohëzgjatjes për t’u marrë vesh me fqinjët. Edhe pse partitë politike ose koalicionet para ardhjes në pozitë garantojnë rrugën eurointegruese, pas ardhjes në pushtet sa hapim e mbyllim sytë, nga po të njëjtit na bëhet me dije se rruga është […]
Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian mbetet peng e historisë së saj dhe kohëzgjatjes për t’u marrë vesh me fqinjët. Edhe pse partitë politike ose koalicionet para ardhjes në pozitë garantojnë rrugën eurointegruese, pas ardhjes në pushtet sa hapim e mbyllim sytë, nga po të njëjtit na bëhet me dije se rruga është e gjatë dhe “janë disa fqinj që nuk na duan të mirën dhe bëhen barrierë në rrugëtimin e vendit drejt BE-së.” Përderisa mbahen samitet e Bashkimit Evropian duke e theksuar ardhmërinë evropiane të vendit, në realitet, vendi fillimisht duhet të pastrojë me të kaluarën, shkruan Portalb.mk.
“Rruga jonë për në BE është e gjatë dhe Maqedonia e Veriut meriton ta vazhdojë dhe të jetë pjesë e familjes evropiane.” Është kjo fjalia e parë e Ministrit për Çështje Europiane në Maqedoninë e Veriut, Orhan Murtezani, pas takimit të delegacionit të Maqedonisë së Veriut me Kaja Kallas, zëvendëskryetare e Komisionit Evropian dhe përfaqësuese e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, më 18 dhjetor 2024 në Bruksel, pjesë e të cilit ishte edhe ai. Samiti i fundit i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, e vërteton rrugën e gjatë të Maqedonisë së Veriut.
Ende nuk ka asnjë datë konkrete se kur pritet të rrumbullakohet procesi eurointegrues i rajonit. Edhe gazetari Bernd Rigert, raportues për politikat e Bashkimit Europian, në analizën e tij për Dojçe Velen, duke hedhë paralele mes retorikës së ish kryetarit të Këshillit të BE-së, Sharl Mishel, dhe pasuesit të tij Antonio Kosta, zbulon “fshehjen e datës” për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Ish-kryetari i Këshillit të BE-së, Sharl Mishel fliste për vitin 2030 si vit, në të cilin duhet të ndodhin aderimet e ardhshme. Pasardhësi i tij në detyrë, Antonio Kosta, nuk e përsëriti këtë, po tha se samiti nuk kishte të bënte me detajet e zgjerimit, ishte më shumë për pasqyrën e madhe strategjik dhe se vërehet zhgënjimin në rajon. Por, sipas tij, tani ka një moment të ri”, shkruan Rigert.
Sipas Kostës, procesi i zgjerimit bazohet në meritë dhe vetëm merita mund të jetë bazë për vlerësimin e progresit të vendeve që aspirojnë anëtarësimin e plotë në BE.
“Bilateralizimi nuk është mënyrë e drejtë për t’u marrë me zgjerimin dhe ne duhet ta shmangim atë. Unë personalisht jam i përkushtuar për të kapërcyer këto probleme dypalëshe, sepse ne duhet ta shohim zgjerimin si një investim shumë të rëndësishëm gjeopolitik, jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe si një interes të përbashkët të 27 vendeve anëtare të BE-së”, tha Kosta duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me rastet kur disa anëtarë të Bashkimit Evropian bllokojnë kandidatët për anëtarësim në rrugën e tyre evropiane për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Prandaj, tha presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, procesi i anëtarësimit duhet të përshpejtohet me përkushtim të madh dhe duke tejkaluar problemet dypalëshe, të cilat ndonjëherë vihen në tavolinë dhe duhet të zgjidhen.
Por, kush e pengon Maqedoninë e Veriut në rrugëtimin drejt BE-së?
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut partitë politike ose koalicionet para ardhjes në pozitë garantojnë rrugën eurointegruese duke vë theksin në përshpejtimin e procesit. Mirëpo, pas ardhjes në pushtet sa hapim e mbyllim sytë, nga po të njëjtit na bëhet me dije se rruga është e gjatë dhe “janë disa fqinj që nuk na duan të mirën dhe bëhen barrierë në rrugëtimin e vendit drejt BE-së.”
Ndryshe në Bruksel, ndryshe në shtëpi
Edhe pse pas Samitit, krerët e shteteve dhe qeverive miratuan një Deklaratë, në të cilën mesazhi kryesor është se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në Bashkimin Evropian, po të njejtët politikan në deklaratat për media më pas, veçojnë karakteristikat ndarëse mes vete, edhe pse janë rrugës drejt një unioni që kërkon bashkim.
“Nëse bisedimet dhe negociatat dypalëshe kanë të bëjnë me çështjet e identitetit, atëherë ky proces nuk mund të përfundojë me sukses, sepse lidhet me emocionin, jo me racionalitetin. Çdo proces që lidhet me emocionin nuk mund të jetë një proces që bazohet në përparimin, cilësinë dhe dhënien e rezultateve. Prandaj, kërkova që t’i lëmë mënjanë çështjet emocionale dypalëshe dhe t’i lexojmë saktë marrëveshjet. Të dyja marrëveshjet thonë se shtetet anëtare që janë palë e dytë, në njërën Greqia, në tjetrën Bullgaria, duhet të na mbështesin pa kushte. Askund në Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë nuk ka një seksion që na detyron të bëjmë ndryshime kushtetuese. Duhet t’i shikojmë gjërat drejt, të shikojmë të vërtetën në sy, e jo ashtu siç na përshtatet”, tha kryeministri i RMV, Hristijan Mickoski.
Nga ana tjetër, duke folur konkretisht për Maqedoninë e Veriut, kryeministri bullgar Dimitar Gllavçev theksoi se ka një kompromis të nënshkruar në vitin 2022 dhe se qëndrimi i Bullgarisë për këtë çështje është i pandryshuar.
“Konkretisht për Maqedoninë e Veriut, ju e dini… Ne kemi një kompromis, të ashtuquajtur kompromis nga viti 2022, i ndërmarrë nga ne dhe tashmë është një dokument evropian i nënshkruar nga të gjitha vendet anëtare plus Bullgaria si anëtare, plus Republika e Maqedonia e Veriut dhe nuk ka asgjë për të negociuar, qëndrimi ynë është i pandryshuar”, thotë Gllavçev duke zbuluar dhe pjesë nga biseda me kryeministrin e RMV-s, Mickoski.
Në raport me marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut u shpreh edhe kryeministri grek, Kiriakos Micotakis.
“Respektimi i Marrëveshjes së Prespës është një parakusht i domosdoshëm për hapjen e një rruge evropiane për vendin fqinj”, tha Micotakis.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.
Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.
Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Maqedonia meriton të ecë para në rrugën e integrimeve, vlerësoi Mickoski
- LEXO: Ditët e këtij viti numërohen në gishta, RMV-ja ende s’i ka realizuar reformat që kushtëzojnë marrjen e 17 milionë eurove nga Brukseli
- LEXO: Agjenda reformuese e RMV-së identifikon një sërë sfidash, BE-ja do ta monitorojë zbatimin dhe do të vendosë për parat
- LEXO: Brukseli pret që me Agjendën reformuese RMV-ja të miratojë Kod të ri Penal dhe ligj për Prokurorinë
- LEXO: Mickoski dhe Murtezani prezantuan “Agjendën e reformave 2024-2027”, e cila pritet të miratohet nga KE