Jasharaj: Nuk ka grevë, viti i ri shkollor do të fillojë sipas planit
Rrahman Jasharaj kryetar i SBASHK-ut, ka folur për fillimin e vitit të ri shkollor dhe aktivitetet e Sindikatës së Arsimit. Ai tha se sa i përket SBASHK-ut, viti i ri shkollor do të fillojë sipas planit të paraparë. Jasharaj në “Lajmet e fundit”, në RTK tha se drejtoritë arsimore nëpër komuna kanë bërë të ditur se […]
Rrahman Jasharaj kryetar i SBASHK-ut, ka folur për fillimin e vitit të ri shkollor dhe aktivitetet e Sindikatës së Arsimit. Ai tha se sa i përket SBASHK-ut, viti i ri shkollor do të fillojë sipas planit të paraparë.
Jasharaj në “Lajmet e fundit”, në RTK tha se drejtoritë arsimore nëpër komuna kanë bërë të ditur se nga ana teknike shumica absolute e shkollave janë të përgatitura për vitin e ri shkollore, por ai shtoi se mbetet pikëpyetje pajisjet me tekstet shkollore, duke u bazuar në përvojën e vitit të kaluar, që, sipas tij, ka pasur vonesa të mëdha.
Jasharaj tha se sa i përket SBASHK-ut, viti i ri shkollor do të fillojë sipas planit të paraparë. Megjithatë ai tha se është duke komunikuar me kryetarët e niveleve komunale dhe të universiteteve dhe paralajmëroi se në fundin e shtatorit do të mbahet takim Këshillin Drejtues, si organ më i lartë mes dy kongreseve të SBASHK-ut, dhe aty do të merret vendim se çfarë të veprohet tutje.
“Për t’i ikur grevave e protestave dhe për t’i dhënë hapësirë dialogut ne kemi filluar dhe jemi të angazhuar që të mbajmë takime me të gjithë ata që ndikojnë në krijimin e kushteve për dialog”, deklaroi Jasharaj, teksa shtoi se u kanë dërguar shkresa të gjithë shefave të grupeve parlamentare të partive politike.
Ai bëri të ditur se me 4 shtator do të ketë takim edhe me shefen e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, me qëllimin më të mirë që të ndikojë që çështjet të zgjidhen me dialog.
Jasharaj paralajmëroi se do të bëjnë një nismë qytetare, nëse pajtohet anëtarësia, për të mbledhur nënshkrime për t’ju drejtuar Parlamentit që ta rikthejnë në debat çështjen e ndryshimit të skemave pensionale për vitet e ’90-ta, sepse, sipas tij ndryshimet e bëra kanë qenë goditje e rëndë për punëtorët e arsimit, duke mos e gëzuar pensionin e punës.
Kërkesë tjetër e SBASHK-ut, sipas Jasharajt do të jetë edhe rrija e koeficientit për 30 për qind.
Ai kritikoi ministren e Arsimit, Nagavci, për shmangien e takimeve me SBASHK-un që nga viti 2022, duke shkaktuar rritjen e pakënaqësisë te punëtorët e arsimit.
Por, sipas Jasharajt, nëse kërkesat e SBASHK-ut heshten, atëherë mbetet që Këshilli Drejtues, si organ më i lartë i sindikatës, të marrë nisma për të vepruar më tutje, sipas ligjeve në fuqi për veprime sindikale.
Këshilli i Prindërve, sipas Jasharajt, ndonëse kundërshton grevën në hapa të shpejtë, mbështet kërkesat e SBASHK-ut.