Kabineti i Radevit: Provokimet histerike të Qeverisë së RMV-së nuk ngjallin optimizëm

Manipulimi me faktet dhe reagimet histerike të qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk ngjallin optimizëm se fqinji ynë jugperëndimor dëshiron që marrëdhëniet me Republikën e Bullgarisë të largohen nga fusha e provokimeve dhe skandaleve të orkestruara. Ky është reagimi i fundit nga kabineti i presidentit bullgar Rumen Radev pas deklaratave të zëvendëskryeministrit dhe […]

shtator 19, 2024 - 15:01
 0  7
Kabineti i Radevit: Provokimet histerike të Qeverisë së RMV-së nuk ngjallin optimizëm
Rumen Radev. Foto nga profili në Twitter President.bg

Manipulimi me faktet dhe reagimet histerike të qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk ngjallin optimizëm se fqinji ynë jugperëndimor dëshiron që marrëdhëniet me Republikën e Bullgarisë të largohen nga fusha e provokimeve dhe skandaleve të orkestruara. Ky është reagimi i fundit nga kabineti i presidentit bullgar Rumen Radev pas deklaratave të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit Aleksandar Nikolloski drejtuar autoriteteve bullgare lidhur me mosvendosjen e flamurit të Maqedonisë së Veriut në takimin e Presidentes Gordana Siljanovska- Davkova me presidentin bullgar Rumen Radev, transmeton Portalb.mk.

Siç njofton radioja kombëtare bullgare “bnr.bg”, reagimi nga zyra e Radevit vjen me rastin e, siç thuhet nga atje, një tjetër kualifikim fyes ndaj Bullgarisë nga një përfaqësues i qeverisë së Maqedonisë.

“Dialogu i hapur dhe konstruktiv, edhe në takimin joformal, siç ishte ai i mbajtur mes presidentëve të Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut më 13 shtator, padyshim që shqetësoi thellësisht qarqe të caktuara në qeverinë e RMV-së”, thuhet në deklaratë nga zyra e Radevit.

Zyra e presidentit bullgar bëri me dije se civilizimi i qeverisë së re të RMV-së do të vlerësohet ende nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e fushatave për nxitjen e urrejtjes ndaj Bullgarisë apo do të kundërshtojë dhe respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, me angazhimin e saj ndaj zbatimin e kritereve të Kopenhagës për anëtarësim në BE.

“Përkatësia në një Evropë të bashkuar kërkon vullnet të vërtetë, përpjekje sistematike dhe rezultate konkrete”, thonë nga zyra e Radevit.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në një paraqitje i ftuar në TV Alfa, duke folur për mungesën e flamurit të Maqedonisë në fotografinë e përbashkët të Siljanovska-Davkovës dhe Radevit, tha se shihet qartë që nikoqiri nuk është i qytetëruar.

“Natyrisht, nikoqiri nuk është i civilizuar dhe jo i denjë. Mos ngurroni të dërgoni notë proteste për këtë. Më të mjerë se ata janë vetëm shërbëtorët tanë të shtëpisë, të cilët nënshkruan se populli maqedonas dhe bullgar kanë një histori të përbashkët, por nuk kanë, të njëjtët që nënshkruan se gjuha maqedonase është një formë dialektore e gjuhës bullgare dhe që nënshkruan se ne nuk do të hyjmë kurrë në Bashkimin Evropian nëse nuk pranojmë që jemi bullgarë dhe kemi rrënjë bullgare, tani po flasin për patriotizëm”, tha ai.

Ministria e Punëve të Jashtme bullgare njoftoi dje se i kanë njoftuar partnerët për “provokimet e paprovokuara” të zyrtarëve të Maqedonisë së Veriut, qëllimi i të cilave, sipas Sofjes zyrtare, është prishja e dialogut.

Presidentja Siljanovska-Davkova në një dalje televizive të hënën tha se nëse do të largohej kur kishte vërejtur se mungon flamuri kombëtar i Maqedonisë, do të kishte bërë skandal dhe vendosi të mos e bënte një gjë të tillë.

Kujtojmë se gjatë takimit të dy presidentëve më 13 shtator, se në takimet me krerët bullgarë, Davkova-Radev, nuk ishte vendosur flamuri i Maqedonisë. Kjo shkaktoi valë reagimesh midis dy vendesh, por edhe reagime nga partia opozitare LSDM.

Kujtojmë se, në raport me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.