Kandidati i opozitës pas humbjes në Mat: Nuk u përkula, luftova për dinjitet

Pas humbjes së garës elektorale në Bashkinë e Matit, kandidati i opozitës Eduart Brahilika u është drejtuar qytetarëve matjanë me një mesazh në rrjetet sociale. Në mesazhin e tij ai shprehet se beteja e tij politike nuk kishte të bënte me poste, por me dinjitetin dhe vlerat njerëzore. “Jam këtu sot për t’ju parë në […]

Nëntor 10, 2025 - 19:30
 0
Kandidati i opozitës pas humbjes në Mat: Nuk u përkula, luftova për dinjitet

Pas humbjes së garës elektorale në Bashkinë e Matit, kandidati i opozitës Eduart Brahilika u është drejtuar qytetarëve matjanë me një mesazh në rrjetet sociale. Në mesazhin e tij ai shprehet se beteja e tij politike nuk kishte të bënte me poste, por me dinjitetin dhe vlerat njerëzore.

“Jam këtu sot për t’ju parë në sy me krenarinë e një njeriu që nuk u shit, që nuk u përkul, që nuk u tremb, por guxoi përballë një sfide të pabarabartë. Do të jem me ju, në çdo rrugë, në çdo lagje, në çdo derë ku njerëzit kërkojnë drejtësi. Do të jem aty ku varfëria ka ul kokën, ku padrejtësia në këtë vend është ulur këmbëkryq, ku shpresa ka nevojë për zë”, u shpreh Brahilika.

Ai falënderoi qytetarët e Matit që e mbështetën dhe theksoi se pavarësisht rezultatit, qëllimi i tij ishte të kujtonte se politika duhet të jetë pronë e të ndershmëve, jo e të fortëve.

“Unë qeshë vetëm njëri nga ata që  guxoi. Unë qeshë mundësia që të ndaheshit nga arroganca, nga përdorimi, nga mungesa e lirisë. Unë qeshë përpjekja për t’ju kujtuar se politika nuk është pronë e të fortëve, por e të ndershmëve. Qeshë dëshmia se në këtë vend ka ende njerëz që nuk shiten, që nuk përkulen, që nuk dorëzohen. Sot nuk ndihem i humbur se nuk luftova për karrige, por për dinjitet dhe dinjiteti ju e dini kurrë nuk humbet”, u shprehet ai.

Brahilika thekoi se gjatë fushatës u përball me një shtet të pozicionuar kundër tij, por nënvizoi se kishte në krah njerëzit e ndershëm, që për të përbën fitoren më të madhe.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos dorëzohen e të mos humbasin shpresën.

“Unë besoj se dita do të vijë. Dita kur nuk do të ketë më frikë, kur fëmijët tanë do të rriten me dinjitet, kur politika do të jetë shërbim, përulje dhe jo nënshtrim e biznes. Shqipëria nuk do të bëhet kurrë e bukur, nëse njerëzit e ndershëm dorëzohen”.