Kanë kaluar një vit e gjysmë, Prokuroria ende nuk ka arritur të sigurojë dokumentacionin për hetimin e dytë për zjarrin në spitalin modular në Tetovë

Vendimit të Prokurorisë Publike në lidhje me hetimin e dytë për zjarrin në spitalin modular në Tetovë nuk i dihet fundi. Prokurori përgjegjës nga Prokuroria Publike e RMV-së, në pyetjen gazetareske sot se kur do të njoftohet opinioni me rezultatet e hetimit tha se gjithçka varet nga institucioni tek i cili prokuroria ka kërkuar dokumentacion […]

dhjetor 11, 2024 - 18:00
 0  4
Kanë kaluar një vit e gjysmë, Prokuroria ende nuk ka arritur të sigurojë dokumentacionin për hetimin e dytë për zjarrin në spitalin modular në Tetovë
Gjykimi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Vendimit të Prokurorisë Publike në lidhje me hetimin e dytë për zjarrin në spitalin modular në Tetovë nuk i dihet fundi. Prokurori përgjegjës nga Prokuroria Publike e RMV-së, në pyetjen gazetareske sot se kur do të njoftohet opinioni me rezultatet e hetimit tha se gjithçka varet nga institucioni tek i cili prokuroria ka kërkuar dokumentacion shtesë, raporton Portalb.mk.

“Analizat përfundimtare janë bërë, por ka pasur nevojë për dokumentacion shtesë i cili aktualisht është në fazën e sigurimit, dhe pas analizës së dokumentacionit përfundimtar do të mbarojmë me këtë procedurë. Megjithatë, varet se kur institucioni të cilit i është dorëzuar kërkesa do t’i japë të dhënat e kërkuara”, tha prokurori kompetent.

Ndonëse kanë kaluar një vit e gjysmë kur Prokuroria Publike në gusht 2023 informoi se Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar hetim tjetër për zjarrin në spitalin modular ku u dogjën 14 persona, nga ky institucion ende nuk kanë dalë me rezultat konkret.

Nga ana tjetër, ende nuk është mbajtur asnjë seancë nga rigjykimi i ish-drejtorit mjekësor i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe ish drejtorit ekonomik, Artan Etemi, seancat janë shryrë tre herë. Pas gjykimit të parë në Gjykatën e Tetovës i cili përfundoi në qershor 2023, ku ata u dënuan me 1 vit e 6 muaj burg me kusht, Gjykata e Apelit në Gostivar në maj 2024 ka vendosur që ta kthejë nga fillimi procedurën ndaj drejtorëve, pasi aktgjykimi i parë ka qenë i paqartë.

Dokumentari nxori në pah “të palarat”

Rikujojmë se dokumentari “Vrasje në Tetovë” riaktualizoi tragjedinë e zjarrit në spitalin modular në Tetovë ku jetën e humbën 14 persona. Ky dokumentar zbuloi se veprimet e prokurorëve hapin dyshime se hetimi është sabotuar qëllimisht për të mbrojtur fajtorët nga ndjekja penale.

Dokumentari hetues zbulon korrupsion, keqpërdorim tenderi, ndërtim të modularit pa standarde dhe materiale jo të duhura si dhe jo në përputhje me rregulloret ligjore, instalim jo i duhur i energjisë elektrike në modular nga ana e kompanisë “Brako“, për të cilat ishte i njoftuar edhe ish ministri i Shëndetësisë – Venko Filipçe.

Aty zbulohen hetime jo të plota dhe zvarritje e rastit nga ana e Prokurorisë në krye me prokurorin Lubomir Joveskin duke mos thirrur në përgjegjësi askënd për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.

Protesta për drejtësi

Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta.

Në protesta u kërkua të hapet procesi gjyqësor për shkaqet e zjarrit, rishqyrtim dhe shqyrtim të vendimeve nga hetimi paraprak në Gjykatën e Tetovës si dhe shkarkimin e kryeprokurorit Ljubomir Joveski së bashku me kryeprokurorin e Tetovës Besir Aliu dhe prokurorët Zorica PavloviqDean PetreskiHanefi Amet dhe të tjerët të përfshirë në këtë vepër.

Protestuesit kanë kërkuar të gjykohen dhe dënohen fajtorët e vërtetë, përfshirë edhe politikanët që në kundërshtim me ligjin që tenderin për ndërtim ia kanë dhënë kompanisë “Brako”, si ish ministri i Shëndetësisë – Venko Filipçe.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë 8 shtatorin e vitit 2021, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Për mos thirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.