Kaos me dokumentet personale një ditë para skadimit të afatit

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut nga e marta, 13 shkurt, nuk do të mund t’i përdorin patentë shoferët me emrin “Republika e Maqedonisë” dhe çdokush që ndalohet, do të gjobitet. Ndërsa, në rast të aksidenteve, shpenzimet bien mbi buxhetin e tyre dhe jo të kompanive të sigurimit. Zëvendësimi i dokumenteve personale, pasaportave, letërnjoftimeve, patentë shoferëve […]

shkurt 12, 2024 - 20:00
 0  5
Kaos me dokumentet personale një ditë para skadimit të afatit

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut nga e marta, 13 shkurt, nuk do të mund t’i përdorin patentë shoferët me emrin “Republika e Maqedonisë” dhe çdokush që ndalohet, do të gjobitet. Ndërsa, në rast të aksidenteve, shpenzimet bien mbi buxhetin e tyre dhe jo të kompanive të sigurimit.

Zëvendësimi i dokumenteve personale, pasaportave, letërnjoftimeve, patentë shoferëve dhe lejeve të qarkullimit është obligim për shtetasit e Maqedonisë së Veriut, bazuar në Marrëveshjen e Prespës me Greqinë për ndryshimin e emrit të shtetit, që ishte arritur më 17 qershor 2018.

Njoftimi se edhe patentë shoferët me emrin e vjetër nuk do të vlejnë nga 13 shkurti, është bërë i ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila më herët kishte njoftuar se këto dokumente, sikurse letërnjoftimet, do të vlejnë edhe pas skadimit të afatit për ndërrimin e tyre, më 12 shkurt.

“Bazuar në Ligjin për sigurinë në komunikacion, lejet e drejtimit të automjeteve me emrin e vjetër nuk do të vlejnë më as për përdorim të brendshëm, as për përdorim të jashtëm. Kërkojmë nga qytetarët që të mos i drejtojnë automjetet me leje të vjetra”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Kjo ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, pasi shumë qytetarë, për shkak të pritjeve të gjata, nuk kanë mundur me kohë të bëjnë ndërrimin e dokumenteve personale.

Pasojat më së shumti do t’i ndiejnë shoferët e taksive, të autobusëve, transportuesit, e drejtues tjerë të automjeteve që ende nuk e kanë bërë ndërrimin e patentë shoferëve.

“Kjo është tepër e rëndë, na shkakton shumë probleme, pasi edhe me punë nuk po ia dalim e lëre më pa punë. Shteti nuk duhet të na dënojë se nuk është faji ynë. Duhet të ketë hapësirë, duhet të ketë tolerancë sepse këto dokumente akoma kanë afat. Sikur të mos kishin [afat], në rregull, por derisa kanë, atëherë duhet të ketë tolerime”, thotë një shofer taksie në Shkup.

Jovan Mirçevski, shofer në një agjenci turistike, thotë se nga e marta do të mbetet pa punë, bashkë me shumë të tjerë.

“Ne nuk mund ta bëjmë ndërrimin e tyre pasi ka shumë procedura, shumë radhë, pritje të gjata. Është e pamundur që kjo të bëhet në afatin e paraparë. Nëse nuk ndërmerren masa, unë dhe shumë të tjerë, nga e marta do të mbetemi pa punë”, thotë Mirçevski.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, që është nga radhët e VMRO DPMNE-së, e cila është pjesë e qeverisë teknike, për gjendjen e krijuar ka fajësuar strukturat e MPB-së dhe qeverinë e mëparshme pasi “nuk i ka parashikuar obligimet që dalin nga marrëveshja me Greqinë”.

Të hënën, Toshkovski ka dorëzuar në Kuvend dy propozime për ndryshime në Ligjin për komunikacion, që të mund të zgjatet vlefshmëria e lejeve për përdorim të brendshëm.

“Sot (e hënë) është dita e fundit kur deputetët që marrin paga nga qytetarët do të kenë mundësinë të dëshmojnë se janë në shërbim të qytetarëve, pa lojëra politike. Vetëm me miratimin e këtyre dy propozimeve mund të kalohet problemi”, ka thënë Toshkovski.

Grupi Parlamentar i VMRO DPMNE-së ka mbledhur 20 nënshkrime të deputetëve për thirrjen e seancës urgjente të Kuvendit për të miratuar propozimet e MPB-së.
Një propozim të ngjashëm ka paraqitur edhe Lidhja Social Demokrate, e cila edhe fajësohet për gjendjen e krijuar për mosndërhyrje me kohë për të gjetur zgjidhje ligjore.

“Lejeve të shoferëve, lejeve të qarkullimit dhe policave të sigurimit do t’u zgjatet vlefshmëria. Me ndryshimet ligjore, qytetarët do të mund të vazhdojnë t’i përdorin në territorin e shtetit”, ka thënë deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski.

Kryeministri teknik, Talat Xhaferi, ka thënë se qeveria është duke menduar një zgjidhje ligjore që mund të jetë e shpejtë për faktin se në mesnatë skadon afati i përdorimit të dokumenteve me emrin e vjetër të shtetit.

“Besoj se do të kemi një vendim të duhur duke pasur parasysh afatet. Gjatë ditës do të realizojmë takime me Kuvendin. Zgjidhjet e mundshme duhet të përcaktohen si ligj, dhe pjesa tjetër e zgjidhjeve të mundshme përmes një vendimi të Qeverisë”, ka thënë Xhaferi.

Për kaosin e krijuar para sporteleve, institucionet kanë fajësuar edhe qytetarët, të cilët, sipas tyre, e kanë pritur momentin e fundit për zëvendësimin e dokumenteve edhe pse kishin kohë të mjaftueshme.

Marrëveshja me Greqinë ka hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2019 dhe kishte një periudhë prej pesë vjetësh për të zbatuar obligimet e saj, përfshirë edhe ndërrimin e dokumenteve personale./REL