Kërkohet shtimi i sigurisë në institucionet korrektuese të Kosovës

Katër persona, tre prej tyre të burgosur, e një në arrest shtëpiak, kanë arritur t’i ikin drejtësisë. Rasti i fundit ishte të mërkurën kur një i burgosur arriti të largohej, derisa po trajtohej në QKUK. Njohës të drejtësisë e sigurisë kërkojnë që të ndërmerren veprime për rritjen e sigurisë në burgje. Sipas tyre, me arratisje […]

gusht 10, 2024 - 02:00
 0  6
Kërkohet shtimi i sigurisë në institucionet korrektuese të Kosovës
kerkohet-shtimi-i-sigurise-ne-institucionet-korrektuese-te-kosoves

kerkohet-shtimi-i-sigurise-ne-institucionet-korrektuese-te-kosoves

Katër persona, tre prej tyre të burgosur, e një në arrest shtëpiak, kanë arritur t’i ikin drejtësisë. Rasti i fundit ishte të mërkurën kur një i burgosur arriti të largohej, derisa po trajtohej në QKUK. Njohës të drejtësisë e sigurisë kërkojnë që të ndërmerren veprime për rritjen e sigurisë në burgje. Sipas tyre, me arratisje të tilla po rrezikohet siguria publike.

Një u largua nga burgu i Dubravës, një nga ai i Smrekonicës, një nga arresti shtëpiak, e një derisa po merrte trajtim mjekësor në QKUK.

Për më pak se 8 muaj, katër persona kryerës të veprave penale arritën t’i ikin drejtësisë, si rrjedhojë edhe rrezikuan sigurinë publike.

Pas Enver Sekiraqës, Faton Hajrizit e Ujkan Metajt, të mërkurën, derisa po merrte trajtim në repartin e Hematologjisë në QKUK, ka arritur të ikë edhe një i burgosur tjetër, i akuzuar për veprën penale fajde.

Njohës të sistemit të drejtësisë e shohin të rëndësishme që vazhdimisht të ketë analiza në lidhje me nivelin e sigurisë së institucioneve korrektuese.

Por, nga Shërbimi Korrektues i Kosovës thonë se kanë nxjerrë urdhra operativë për ngritjen e nivelit të sigurisë.

Institucionet Korrektuese veprojnë sipas përgjegjësive dhe obligimeve të përcaktuara me dispozita ligjore. Të burgosurit të cilët janë larguar kanë qenë të vendosur në institucionet e tipit të hapur, ku elementet e sigurisë fizike dhe materiale janë të ulëta. Megjithatë, janë marrë masa dhe janë nxjerrë urdhra operativë për ngritjen e nivelit të sigurisë në të gjitha Institucionet Korrektuese. Si rezultat i këtyre masave, gjatë këtij viti janë bërë bastisje sistematike dhe gjenerale, ku në njëzet e një (21) raste kanë rezultuar pozitive në gjetjen dhe parandalimin e kontrabandës.

Ndërsa zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, tha se nuk është nën kompetencën e Ministrisë ndërmarrja e veprimeve drejt shtimit të sigurisë në institucionet korrektuese.

Derisa largimin nga këto institucione duket se nuk e kanë pasur shumë të vështirë, kapja e kthimi i të burgosurve në to po merr kohë.

Bashkë me ata që po largohen nga burgjet, në kërkim nga Policia e Kosovës janë edhe mbi 100 të tjerë, të cilët po dyshohen për vepra të ndryshme penale.

Sipas Gzim Shalës, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, kapja e tyre bëhet e vështirë kur Kosovës i mungon bashkëpunimi me disa shtete tjera.

Që nga 2007-ta e deri më tani nga burgjet e Kosovës janë larguar 57 persona./RTK