Khamenei reagon pas armëpushimit: I dhamë një shuplakë të rëndë SHBA

Ajetollahu Ali Khamenei, lideri Suprem i Iranit ka reaguar për herë të parë që pas arritjes së armëpushimit me Izraelin pas 12 ditëve luftime. Në një postim në rrjetin social X Ali Khamenei shkruan se vendi i tij “i dha një shuplakë të rëndë SHBA-ve, pasi nuk arritën asnjë sukses” kur vendosën të përfshihen drejtpërdrejt […]

qershor 26, 2025 - 15:00
 0  5
Khamenei reagon pas armëpushimit: I dhamë një shuplakë të rëndë SHBA

Ajetollahu Ali Khamenei, lideri Suprem i Iranit ka reaguar për herë të parë që pas arritjes së armëpushimit me Izraelin pas 12 ditëve luftime.

Në një postim në rrjetin social X Ali Khamenei shkruan se vendi i tij “i dha një shuplakë të rëndë SHBA-ve, pasi nuk arritën asnjë sukses” kur vendosën të përfshihen drejtpërdrejt në konflikt përkrah Izraelit kundër Teheranit.

“Regjimi amerikan u përfshi drejtpërdrejt në luftë, sepse e ndjeu se nëse nuk ndërhynte, regjimi sionist do të shkatërrohej plotësisht. Ata u përfshinë për ta shpëtuar, por nuk arritën asgjë,” tha Khamenei.

Ai shtoi se Republika Islamike e Iranit sulmoi dhe dëmtoi bazën ajrore Al-Udeid në Katar, një nga bazat më të rëndësishme amerikane në rajon, duke e cilësuar këtë si një “shuplakë të rëndë” ndaj SHBA-ve.

Ky sulm u konsiderua nga SHBA si një përgjigje ndaj bombardimeve që kishte kryer mbi objektiva bërthamore iraniane gjatë fundjavës, por pa synuar përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.

Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi sulmin iranian si “shumë të dobët” dhe deklaroi se 13 nga 14 raketat e lëshuara ishin interceptuar. Në reagimin e tij, Ajatollah Khamenei paralajmëroi se Irani ka qasje ndaj bazave kyçe amerikane në rajon dhe se mund të ndërmarrë veprime “kurdo që e konsideron të nevojshme”.

“Fakti që Republika Islamike ka qasje në qendra kyçe të SHBA-ve në rajon dhe mund të veprojë në çdo moment që e sheh të arsyeshme, është shumë domethënëse,” tha ai. Khamenei shtoi gjithashtu se çdo akt agresioni ndaj Iranit do të sillte një “kosto të rëndë” për SHBA-të, duke lënë të hapur mundësinë për sulme të përsëritura në të ardhmen.