Koçani ringjalli plagët e modularit: Familjarët kërkojnë që rasti të kthehet nga fillimi, për devijimin e procesit alarmoi edhe Kadriu
Tragjedia e zjarrit në Koçan ka ngjallur plagët e familjarëve të viktimave të zjarrit në spitalin modular të Tetovës, ata kërkojnë që ky rast të kthehet nga fillimi dhe në bankën e të akuzuarve që ulen fajtorët e vërtetë. Që për këtë rast deri tani nuk është thirrur askush në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit […]


Tragjedia e zjarrit në Koçan ka ngjallur plagët e familjarëve të viktimave të zjarrit në spitalin modular të Tetovës, ata kërkojnë që ky rast të kthehet nga fillimi dhe në bankën e të akuzuarve që ulen fajtorët e vërtetë. Që për këtë rast deri tani nuk është thirrur askush në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit është vërtetuar disa herë, ndërsa gjykimi paraprak dhe ai aktual janë për vepra të tjera. Për devijimin e këtij procesi alarmoi edhe një herë prokurorja Lejla Kadriu e cila fillimisht udhëhoqi hetimet dhe më pas u suspendua, shkruan Portalb.mk.
Shpresa e fundit është që rasti të kthehet nga fillimi. Kështu i tha Portalb-it Ibin Emshiu i cili i cili humbi babanë dhe vëllain nga zjarri në modular.
“Të gjykohet Venko Filipçe, Koço Angjushev, inspektorati dhe kryetarja e komunës, sepse në këtë shtet nuk ka ngelur më asgjë”, tha Emshiu.
Ai shtoi se pas dokumentarit të IRL-së tani është më e lehtë si rast sepse siç thotë ai ka pasur investigim 360 shkallë.
“E bëjnë vetëm me tallje këtë, ta zgjasin rastin në harresë”, shtoi ai.
Ai porositi Qeverinë e re që të rishikojë rastin në modular.
“Porosi Qeverisë së re, urgjentisht duhet shikuar edhe rasti i spitalit modular me rastin e Koçanit sepse këto raste janë kulmi, dhimbja është e njëjtë, por në veçanti e spitalit ka kahje shtetërore”, tha Emshi.
Që në përgjegjësi nuk u thirr askush për shkaqet e zjarrit e ka ritheksuar edhe një herë Lejla Kadriu, prokurorja e cila i udhëhoqi në fillim hetimet për zjarrin në spitalin modular dhe më pas u suspendua.
“Servuan të gjitha llojet e informacioneve “për veprimet e ndërmarra gjatë hetimit” për spitalin modular në Tetovë. Ndërsa në prapavijë sollën 2 prokurorë “për të na ndihmuar” se çështja ishte voluminoze. Doli se prokurori Dejan ishte thjesht një postier nëpërmjet të cilit mbanin kontrollin e asaj që po merrej dhe kujdeseshin që të mos e pësojë askush që duhej të mbrohej. Erdhi ekspertiza e ekspertit nga elektroteknika e cila tregon qartë se shkak dhe pasojë e zjarrit ka qenë energjia elektrike e instaluar keq. Ishte e qartë se kush ishte kontraktori dhe kush ishte porositës”, tha Kadriu.
Ajo shtoi se kur ka kërkuar nga kolegët e saj prokurorë që të pajtohen për dhënien e urdhrit për ekspertizë të ndërtimit sepse doli se kishte shumë lëshime, siç tha prokurori Dejan nga Prokuroria Publike në Shkup ishte kundër ndërsa të tjerët e mbështetën.
“Dhe për ta maskuar ekspertizën nga eksperti elektrik, i cili ishte i qartë, i njëjti Dejan ka kërkuar që të përgatitet një ekspertizë tjetër dhe ata e kanë bërë këtë. Ndërsa tani ekspertët për spitalin modular të Tetovës kryen ekspertizë për një modular në një qytet tjetër. Më pezulluan sepse u pengoja, isha shumë e zëshme dhe gjysma e qeverisë duhej të përfundonte në paraburgim në bazë të ekspertizës dhe provave të mbledhura”, tha Kadriu.
Ajo shtoi se i njëjti prokuror është emëruar të ndihmojë në Prokurorinë e Koçanit.
“Tani çfarë do të fshihet si dhe gjurmëve dhe dëshmive e kujt duhet tu iket do ta shohim”, përfundoi Kadriu.
Pavarësisht se Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po zhvillon një hetim të dytë për zjarrin në modular, ende nuk ka vendim. Nga Prokuroria nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske se pse ende nuk ka asgjë konkrete.
Kanë kaluar gati dy vite që kur në gusht 2023 u njoftua se Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar hetim tjetër për këtë tragjedi. Ky rast sipas Prokurorisë është në fazën e para marrjes së vendimit. Ndërkaq nga Prokuroria në dhjetor 2024 njoftuan se ende nuk kanë arritur të sigurojnë dokumentacionin shtesë.
Në ndërkohë në Gjykatën e Tetovës ka rifilluar gjykimi për zjarrin në modular, por ky gjykim nuk është i thirrur për shkaqet e zjarrit.
Në bankën e të akuzuarve janë ish drejtori mjekësor Florin Besimi dhe ish drejtori ekonomik Artan Etemi të cilët gjykohen për veprën “krime të rënda kundër sigurisë publike”.
Ndërsa Spitali i Tetovës akuzohet për veprën “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
- LEXO: Rifilloi gjykimi për zjarrin në modular: U prezantuan video dëshmitë, të akuzuarit nuk ndjejnë faj
Kujtojmë që dokumentari “Vrasje në Tetovë”, të cilin IRL e publikoi në gusht 2023 tregon për një sërë lëshimesh gjatë ndërtimit të spitalit modular që sollën deri te shpërthimi i zjarrit, edhe pse autoritetet u përpoqën ta përshkruajnë atë si një aksident të shkaktuar nga një lidhje e shkurtër e kabllos vazhduese.
Lëshime u konstatuan edhe në specifikimin teknik, në ndërtim, por edhe më pas në hetim. Në vend se si ndërtim, spitali është evidentuar si pajisje urbane, për të cilën nuk ka nevojë të respektohet ligji për ndërtim.
Ndryshe, më 8 shtator 2021 në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një zjarri i tmerrshëm dhe që mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.