Kolapsi i Qendrës Klinike ka mbingarkuar Spitalin e Qytetit: 150 operime urgjente të kryera për 10 ditë
Koshat plot me çarçafë, batanije dhe jastëkë në korridorin në katin e parë të Klinikës Universitare për Sëmundje Kirurgjike “Sh. Naum Ohridski”, më e njohur si “Spitali i Vjetër i Qytetit”, dëshmojnë për vrullin e pacientëve me raste urgjente që i kanë trajtuar në dhjetë ditët e fundit, pasi problemet e akumuluara në instilacionin për […]
Koshat plot me çarçafë, batanije dhe jastëkë në korridorin në katin e parë të Klinikës Universitare për Sëmundje Kirurgjike “Sh. Naum Ohridski”, më e njohur si “Spitali i Vjetër i Qytetit”, dëshmojnë për vrullin e pacientëve me raste urgjente që i kanë trajtuar në dhjetë ditët e fundit, pasi problemet e akumuluara në instilacionin për furnizim me oksigjen dhe në stacionin e kompresorit shkaktuan kolaps të sistemit shëndetësor në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, në të cilën janë mbyllur të gjitha sallat e operacionit, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.
Kur hyni në Klinikën e Sëmundjeve Kirurgjike nuk do vini re asgjë të pazakontë, përveç rrëmujës së zakonshme në korridoret e saj. Por atë që po ndodh në katin më të lartë e përjetojnë vetëm personeli mjekësor dhe pacientët.
Për shkak të kaosit të përgjithshëm që ka ndodhur këto ditë, vetëm pacientëve që janë raste urgjente u bëhen ndërhyrje kirurgjikale. Kjo do të thotë se operohen vetëm pacientët me gjakderdhje në tru dhe me komplikime abdominale si ngatërrim i zorrëve, dëmtim të organeve të stomakut, gjakderdhje në stomak, apendiksit, etj. Por, për shembull, nëse dikush ka pasur të caktuar një operacion të tëmthit apo hernies, nuk do mund të operohej as në Qendrën Klinike dhe as në “Sh. Naum Ohridski”.
Ende nuk dihet plotësisht arsyeja e kolapsit të sallave të operacionit në Qendrën Klinike, ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë nuk dhanë përgjigje në pyetjet e Meta.mk për atë nëse është lokalizuar problemi dhe kur pritet të vihen në përdorim sallat e operacionit.
Me këtë e gjithë barra tashmë bie mbi Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “Sh. Naum Ohridski” dhe në SPQ “8 Shtatori”.
Vetëm në dhjetë ditët e fundit, në “Sh. Naum Ohridski” janë pranuar rreth 180 pacientë, prej të cilëve 150 i janë nënshtruar intervenimeve kirurgjikale. Mesatarisht bëhen rreth 13 operacione në ditë. E gjithë kjo bëhet në katër (nga gjithsej pesë) salla funksionale kirurgjikale.
Numri i përgjithshëm i pacientëve që kanë qarkulluar në këtë spital në bazë ditore është 400, dhe atë vetëm në ambulantat.
Disa nga kirurgët me të cilët biseduam thonë se ndodh të punojnë nga 6-7 ditë, nga 24 orë. Disa prej tyre shkojnë në shtëpi vetëm për të bërë dush dhe pastaj sërish kthehen në punë. Në dispozicion kanë vetëm katër ndihmësinfermierë.
“Nëse kjo gjendje vazhdon duhet të bisedohet për rialokim të punonjësve të klinikës që do të kontribuoin më shumë këtu. Punonjësit tanë po japin një mund mbinjerëzor. Nuk na mungojnë kirurgët dhe mjekët, aq sa na mungon personeli mjekësor i mesëm. Na mungojnë infermiere, jo për shkak të rritjes së numrit të pacientëve, por për shkak të angazhimit jashtë orarit të punës. Deri më tani në turnin e tretë në bllokun operativ kemi pasur një infermiere – operatore instrumentesh, por tani kërkojmë dy, sepse njëra duhet të punojë me rastet urgjente që tashmë janë pranuar dhe tjetra, mos dhashtë Zoti, si para disa ditësh kur kishte përleshje me armë, me njerëz të lënduar, e nuk mund t’i thërrasim nga shtëpia”, thotë Arsenkov.
Klinika Universitare për Sëmundje Kirurgjike “Sh. Naum Ohridski” ka një kapacitet prej 100 shtretërish spitalorë, tetë për kujdes intensiv dhe gjashtë shtretër në dhomën postoperative. Në klinikë punojnë 350 persona, prej të cilëve 150 janë infermiere, ndërsa njëqind janë mjekë.
Ministri i Shëndetësisë në largim, Ilir Demiri, duke folur për kaosin në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, dy ditë më parë tha se sallat kirurgjike janë ndërtuar 30 vite më parë dhe po në atë kohë edhe instalimi për furnizim me oksigjen dhe stacioni i kompresorit.
“Në stacion kishte havari pasi është prishur njëri nga kompresorët dhe ka shkaktuar dëm, sepse në ato tuba ka depërtuar vaj, pas çka kompresori doli jashtë funksionit. Tubat janë pastruar plotësisht, në mënyrë që të ketë oksigjen cilësor. Kërkova urgjentisht nga drejtuesit që të bëjnë një kërkesë për servisimin e kompresorëve. Të shtunën e kaluar ka ndodhur i njëjti problem, pa ndonjë havari është shpërndarë erë e keqe në rrjetin e shpërndarjes së oksigjenit, për çka reaguam menjëherë, tha Demiri.
“U bë një ekzaminim, na rekomanduan ndryshimin e filtrave të stacioneve të kompresorit. Me qenë se nuk mundemi t’i shfrytëzojmë sallat, vendosëm për një zgjidhje alternative, që të anulohen të gjitha rastet dhe të operohen vetëm ato urgjentet, ndërsa pacientët të dërgohen në spitalin e qytetit, ndërsa të tjerët në “8 Shtatori”, shtoi ai dhe informoi se janë blerë 6 kompresorë të jashtëm që mund të shërbejnë për ndërhyrje urgjente më të komplikuara dhe për pacientët që ndodhen në KARIL (Klinika për Anestezion, Reanimacion dhe Trajtim Intensiv).
Demiri tha se Prokuroria Publike do të hetojë se cili është shkaku i vërtetë i problemit me erën e pakëndshme që shfaqet kur kompresorët kyçen në furnizimin qendror me oksigjen.
Ndryshe, Prokuroria Themelore Publike do të hetojë nëse ka vepër penale në atë që tash më një javë nuk punojnë sallat e operacionit në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”.
Sipas informatave të para të publikuara javën e kaluar, disa nga arsyet për mosfunksionimin e sallave është era e pakëndshme e cila është përhapur përmes sistemit të ventilimit dhe problemi me furnizimin me oksigjen.