Kompanitë izraelite, përplasën kryeministrin Mickoski dhe kreun e socialdemokratëve Filipçe

Kompanitë izraelite, përplasën kryeministrin Mickoski dhe kreun e socialdemokratëve Filipçe. Duke komentuar akuzat e LSDM-së se ka angazhuar kompani izraelite për përndjekjen e opozitës, Mickoski tha se kjo nuk është pjesë e karakterit të tij. “Mendoj se një tip i tillë i sjelljes nga ana jonë nuk ekziston, e as që është pjesë e karakterit […]

Prill 19, 2026 - 18:30
Kompanitë izraelite, përplasën kryeministrin Mickoski dhe kreun e socialdemokratëve Filipçe

Kompanitë izraelite, përplasën kryeministrin Mickoski dhe kreun e socialdemokratëve Filipçe. Duke komentuar akuzat e LSDM-së se ka angazhuar kompani izraelite për përndjekjen e opozitës, Mickoski tha se kjo nuk është pjesë e karakterit të tij.

“Mendoj se një tip i tillë i sjelljes nga ana jonë nuk ekziston, e as që është pjesë e karakterit tim, e as që kam qëllim të merrem me politika të tilla të estradës”, deklaroi Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Kreu i socialdemokratëve, Venko Filipçe megjithatë thotë se Mickoski nuk e mohoi në mënyrë eksplicite se nuk ka angazhuar agjenci për përndjekje. Qëllimi i tij është vetëm të përçajë dhe të krijojë armiq të brendshëm e të jashtëm, tha Filipçe.

“Njeriu, zëdhënësi i të cilit e dinë se çfarë shkruan në kallëzimet dhe cili do të jetë rezultati nga procese të caktuara gjyqësore, përnjëherë nuk ndjenë asgjë. Amplituda të çuditshme të ndjenjave, gradualisht rriten dhe përnjëherë zhduken. Nëse kryeministri e di çfarë ndodhë me kallëzimin atëherë ka përgjegjësi penale, nëse nuk e di, atëherë ka përgjegjësi politike sepse kërcënohet dhe kjo është diçka që nuk guxon ta bëjë. Ky është regjim autokrat”, tha Venko Filipçe – Kryetar i LSDM-së.

Mickoski iu kundërpërgjigj edhe akuzave të Blerim Bexhetit të BDI-së për presion politik, pas kallëzimit penal që mori nga MPB-ja. Kryeministri tha se nëse është i pafajshëm duhet ta dëshmojë para organeve të drejtësisë.

“Unë dua sa më pak të ketë kallëzime penale për ish funksionarë dhe funksionarë aktual e të ardhshëm. Mendoj se periudhën e fundit u bëmë shumë të ndjeshëm, duhet të fokusohemi në gjërat e vërteta e ato janë luftë e pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit dhe punë e pandalshme për të ardhme më të mirë të qytetarëve të Maqedonisë”, theksoi Hristijan Mickoski.

Blerim Bexheti mori kallëzim penal nga Ministria e Brendshme për shpërdorim të detyrës zyrtare sa ka qenë kryetar i Komunës së Sarajit. MPB e dyshon Bexhetin se bashkë me një zyrtar nga Qyteti i Shkupit, kanë mundësuar që një kompani nga fshati Krushopek të përfitojë në mënyrë të paligjshme mbi 700 mijë euro.

Sipas MPB-së, Bexheti në periudhën tetor 2022 – mars 2023, në kundërshtim me ligjin, dy herë ka miratuar vendim për regjimin e qarkullimit dhe ndryshim të vendimit në bazë të kërkesave nga kompania nga Krushopeki në kundërshtim me planin urbanistik për fshatin Gllumovë./Alsat.mk.