Komuna e Çairit dhe Qyteti i Shkupit akoma pa zgjidhje për rrugën “Cvetan Dimov”

Kaosi në qarkullimin rrugor në rrugën Cvetan Dimov apo të njohur si rruga e “Jahja Pashës” është përditshmëri, sidomos në oraret kur qytetarët shkojnë dhe vijnë prej pune, shkruan Alsat. Zgjidhje për arterien kryesore të Çairit që të lidh me qendrën e Shkupit, është premtuar disa herë, por situata vazhdon të mbetet e njëjtë. Kreu […]

shtator 21, 2024 - 21:00
 0  6
Komuna e Çairit dhe Qyteti i Shkupit akoma pa zgjidhje për rrugën “Cvetan Dimov”
Rruga "Cvetan Dimov" - Çair, foto: Suad Bajrami

Kaosi në qarkullimin rrugor në rrugën Cvetan Dimov apo të njohur si rruga e “Jahja Pashës” është përditshmëri, sidomos në oraret kur qytetarët shkojnë dhe vijnë prej pune, shkruan Alsat. Zgjidhje për arterien kryesore të Çairit që të lidh me qendrën e Shkupit, është premtuar disa herë, por situata vazhdon të mbetet e njëjtë.

Kreu i Komunës së Çairit, Visar Ganiu për Alsat thekson se Qyteti i Shkupit jo vetëm nuk e zgjeron rrugën, por edhe më shumë e vështirëson gjendjen duke u dhënë leje objekteve dhe kioskave përreth rrugës, të cilat shtohen në numër.

“Le që nuk e rregullon rrugën, por investon për ta vështirësuar funksionimin. Aty investojnë për ta vështirësuar. Ju e keni parë në atë rrugë se sa trafika kanë marrë leje, sa objekte të cilat janë me karakter të përkohshëm, të gjitha janë me leje nga Qyteti i Shkupit për shkak se ata i kanë ingerencat. Ata e bëjnë ta vështirësojnë rrugën Cvetan Dimov, jo të bëjnë zgjidhje”, tha Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.

Ganiu thekson se Komuna e Çairit është e gatshme që me fondet e saj të marrë përsipër rregullimin e rrugës, por fillimisht Qyteti duhet të pajtohet që t’ia bartë kompetencat.

“Ne kemi me ndarë buxhet që edhe vetë ta rregullojmë atë rrugë, por kuptohet që duhet me na i bartë ingerencat që ne ta rregullojmë. Pasi që ta rregullojmë t’ia kthejmë qytetit të Shkupit. Ne jemi të gatshëm edhe një gjë të tillë ta bëjmë, por a ka vullnet nuk e di”, u shpreh Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.

Në maj të vitit 2023, Qyteti i Shkupit, ndau 140 milionë denarë ose afërsisht 2,3 milionë euro për zgjerimin e rrugës. Projekti parashikonte që rruga të ishte gati deri në maj të vitit 2025.

Megjithatë, Qyteti i Shkupit vetëm 7 muaj më vonë i tërhoqi paratë për të, nën arsyetimin se paratë kanë qenë lëndë e përmbarimit për shkak të borxheve nga udhëheqësia paraprake e qytetit në krye me Petre Shilegovin.

Sot, nga Qyteti i Shkupit theksojnë se paratë janë parashikuar për tri vitet e ardhshme, por presin që Komuna e Çairit të hartojë projektin e rishikuar urbanistik.

“Qyteti i Shkupit ka miratuar vendim për bashkëpunim ndërkomunal me Komunën e Çairit për përpunimin e dokumentacionit projektues dhe ndërtim të rrugës Cvetan Dimov nga udhëkryqi me bulevardin “Nikolla Karev” deri dhe me udhëkryqin “Xhon Kenedi” dhe rrugën “Hristijan Todorovski Karposh. Qyteti i Shkupit duhet të marrë pjesë me me 140 milionë denarë me TVSH. Në Buxhetin e Qytetit të Shkupit për vitin 2024, 2025 dhe 2026 janë parashikuar mjete për këtë qëllim, por Komuna e Çairit ende nuk ka hartuar projektin e reviduar urbanistik dhe për ato arsye nuk mundet të jepet miratim për ndërtim”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Ndryshe, 2,3 milionë eurot për projektin e zgjerimit të rrugës “Cvetan Dimov” apo të njohur si rruga e “Jahja Pashës”, Qyteti i Shkupit i ka tërhequr dhe i ka dedikuar për mbulimin e obligimeve Qytetit ndaj Ministrisë së Financave, thonë nga Komuna e Çairit, një muaj pasi kryetari i kësaj komune, Visar Ganiu tha se me Danella Arsovskën nuk kanë komunikim dhe bashkëpunim për këtë projekt. Nga Qyteti i Shkupit thonë se paratë kanë kanë qenë lëndë e përmbarimit për shkak të borxheve nga udhëheqësia paraprake e qytetit në krye me Petre Shilegovin.

Ndryshe, problemi me kaosin në rrugën “Cvetan Dimov” të njohur si rruga e “Jahja Pashës” parashihet të zgjidhet me projekt të përbashkët mes Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit, por ky bashkëpunim deri më tani në terren nuk ka ndryshuar asgjë. Ky problem shumëvjeçar, nuk ka arritur të zgjidhet edhe gjatë mandatit të kryetarit paraprak të Qytetit të Shkupit Petre Shilegov, i cili gjatë orës policore në bashkëpunim me komunën, vendosi një mur ndarës, me qëllim që të mos lejohet automjetet të kthejnë në mes të rrugës dhe të mos kalojnë qytetarët në vende ku nuk ka viza të bardha. Muri, sipas paralajmërimit ishte zgjidhje e përkohshme, por zgjidhja e tillë nuk është ndryshuar, ndërkaq kaosi vazhdon, sidomos në oraret kur qytetarët shkojnë dhe vijnë prej pune.