Konjanovski: Është zbatuar një projekt lukrativ i idejuar për ta shkatërruar EMV-në

Janë bërë edhe një numër i madh blerjesh “të fryra”, me çka për vetëm katër vjet shpenzimet për prodhimin e një megavat-orë energji elektrike janë rritur nga 50 në 136 euro. Тashmë është bërë një plan për reduktimin e shpenzimeve, realizimi i të cilit do të zgjasë me vite. Planin e ka realizuar një pjesë […]

Nëntor 22, 2024 - 19:00
 0  6
Konjanovski: Është zbatuar një projekt lukrativ i idejuar për ta shkatërruar EMV-në
REK Manastir, foto: Elektranat e Maqedonisë së Veriut

Janë bërë edhe një numër i madh blerjesh “të fryra”, me çka për vetëm katër vjet shpenzimet për prodhimin e një megavat-orë energji elektrike janë rritur nga 50 në 136 euro. Тashmë është bërë një plan për reduktimin e shpenzimeve, realizimi i të cilit do të zgjasë me vite. Planin e ka realizuar një pjesë e menaxhmentit të mëparshëm të kompanisë dhe një pjesë e zyrtarëve në Qeveri, me qëllim që vendi të bëhet i varur nga importi i qymyrit, deklaron drejtori aktual për prodhimin e energjisë elektrike të termocentraleve të Maqedonisë së Veriut, Zoran Konjanovski, në një intervistë për “360 Gradë”, transmeton Portalb.mk.

Çmimi i prodhimit të energjisë elektrike në nivel të termocentraleve të Maqedonisë së Veriut është 118 euro/megavat-orë, ndërsa në nivel të prodhuesit më të madh në sistem, REK Manastiri, çmimi është 136 euro/megavat-orë. Jo më larg se katër vite më parë, në vitin 2020, ky çmim nuk ishte më shumë se 50 euro/megavat-orë.

Javën e kaluar 360 Gradë publikoi një analizë – si ndodhi që shpenzimet e EMV-së të rriten në një mënyrë dramatike nga rreth 200 në 500 milionë euro në tre deri në katër vitet e fundit.

Interesa lukrative

I pyetur se si është e mundur që brenda një kohe kaq të shkurtër të ketë një rritje kaq të madhe të shpenzimeve, e me këtë edhe një rritje të çmimit të prodhimit. Konjanovski u përgjigj – për shkak të rënies së prodhimit të qymyrit.

“Arsyet ndahen në dy drejtime. Së pari, për shkak të planifikimit lukrativ të disa elementeve të caktuara, një pjesë e Këshillit Drejtues të kompanisë tonë dhe një pjesë e njerëzve që e drejtonin sistemin energjetik në vend, me disa veprime kontribuan që ne të mos kemi prodhim të mjaftueshëm të qymyrit në minierat tona. Në pesë-gjashtë vitet e fundit është zvogëluar nxjerrja e zgjyrës nga minierat tona, e me këtë është zvogëluar edhe nxjerrja e qymyrit.  Sipas dokumentacionit të përgjithshëm të projektit, projektit kryesor minieror dhe projekteve shtesë minierore, raporti i nxjerrjes së zgjyrës dhe qymyrit është 10:1. Pra, duhet të nxirren 10 tonë zgjyrë, që të nxirret një ton qymyr. Por ata kanë qenë të të fokusuar vetëm te qymyri dhe kështu tani përfunduam në një situatë ku nuk mund të nxjerrim qymyr”, thotë Zoran Konjanovski.

I pyetur pse iu hoq EMV-së aftësia për të nxjerrë qymyr, Konjanovski pretendon se kjo gjë ka qenë diçka e qëllimshme.

“Kjo është bërë me plan mbase që kompanive të caktuara tu mundësohet që të importojnë qymyr“, thotë Konjanovski.

Shpenzime të fryra

Pra, importi i qymyrit, i cili sipas Konjanovskit është nxitur artificialisht, i ka rritur shumë shpenzimet e prodhimit. Por, ky nuk ka qenë faktori i vetëm. Drejtori thotë se janë bërë prokurime në të cilat malli i blerë nga viti në vit ka qenë disa herë më i shtrenjtë.

“Për shembull, nuk është e mundur që shiritat transportues që janë blerë nga një prodhues nga Bullgaria një vit të kushtojnë rreth 350 euro/metër, ndërsa vitin tjetër të kushtojnë 550 euro/metër. Nuk është normale që disa pjesë të tjera që janë blerë për termocentralin tonë me çmime 100, 200 apo 300 mijë euro, sot të kushtojnë 500, 600 apo 700 mijë euro. Shembuj të këtillë ka shumë. Unë mendoj se policia financiare dhe institucionet e tjera tashmë po punojnë dhe po marrin masat e duhura dhe shumë shpejt do të dalë në pah se kush, çfarë dhe pse e ka bërë atë që e ka bërë në kompaninë tonë”, thotë Konjanovski.

Çmimet e shërbimeve për nxjerrjen e qymyrit gjithashtu janë rritur në mënyrë dramatike, thotë Konjanovski.

“Çmimi i një ton qymyri të nxjerrë nga minierat tona në vitin 2022 ishte rreth 11.5 euro/ton, që në  vitin 2023 të arrijmë në 27 euro fantastike për një ton qymyr. E që këtë vit, në muajin e nëntë, të kemi një çmim prodhimi të një ton qymyri prej 37 euro/ton. Epo, këtu mund të shihni lukrativitetin e të gjithë asaj që na ndodh në REK Manastir. Pra, nga njëra anë nuk kemi mundësi të nxjerrim qymyr, nga ana tjetër janë rritur shpenzimet e nxjerrjes së qymyrit në REK Manastir, ndërsa nga ana e tretë importojmë ose qymyr ose energji elektrike”, thotë Konjanovski.

Do të rritet importi i qymyrit nga Greqia

Por, Konjanovski thotë se tashmë në këtë kompani ka filluar procedura e disiplinës teknologjike, e cila po i jep rezultatet e para. Përdorimi i mazutit është reduktuar në mënyrë dramatike, që tregon se qymyri që përdoret tani është i një cilësie më të lartë. Mazuti përdoret si lëndë djegëse shtesë kur vlera kalorike e qymyrit është e ulët.

Por, me qenë se nevojitet një kohë më e gjatë që minierat e qymyrit të sillen në gjendjen për nxjerrje të sasive më të mëdha, Konjanovski thotë se praktika e importit të qymyrit nga Greqia do të vazhdojë. Dhe do të importohet edhe më shumë, sepse strategjia e menaxhmentit të ri është që të prodhohet sa më shumë energji elektrike,  në vend që ajo të importohet.

Konjanovski thotë se me marrëveshje me kompanitë nga Greqia është arritur çmim disi më i ulët për lëndën e parë, si dhe është rënë dakord për cilësi më të mirë.

“Tendenca është që me rritje të sasive të qymyrit të importuar prej rreth 70-80% të reduktohet importi i energjisë elektrike, do thosha, në 10-15% të asaj që e kemi importuar deri më tani. Pra, një reduktim enorm të importit të energjisë elektrike me prodhimin e saj në vendin tonë, por meqë ne nuk kemi qymyr, duhet ta sigurojmë atë si burim”, shton Konjanovski.

Nuk do ketë tronditje për qytetarët, por një stres-test për EMV-në

Çdo gjashtë muaj EMV-ja paraqitet në tenderin e furnizuesit universal “EVN Home”, i cili u shet energji elektrike amvisërive dhe kompanive të vogla. Me fjalë të tjera, çmimi i energjisë elektrike për familjet varet drejtpërdrejt nga çmimi të cilin e ofron EMV-ja.

Në tenderin e fundit, para kësaj vere, EMV-ja ofroi një çmim prej 60 euro/megavat-orë. Kjo është dy herë më e ulët se çmimi  aktual i prodhimit të energjisë elektrike të kompanisë. Kështu që iu parashtrua pyetje – çfarë çmimi do të ofrojë EMV-ja për gjashtë muajt e ardhshëm, nga janari deri në fund të qershorit? Konjanovski e përsëriti atë që e tha kryeministri, nga 58 deri në 62 euro për megavat-orë. Kjo do të thotë se çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë ose nuk do të rritet ose do të rritet minimalisht. Por shtrohet pyetja – si do të funksionojë EMV-ja, nëse dihet se qeveria ka thënë se nuk do i japë para?

Konjanovski e pranon se këtë vit do ta mbyllin me humbje, e ndoshta edhe vitin e ardhshëm. Por, siç shpjegon ai, ata i shohin punët në një afat më të gjatë. Në tre vitet e ardhshme ata fillimisht duhet të stabilizojnë kompaninë dhe nga viti 2027 të fillojnë të punojnë me fitim.

“Duke punuar në mënyrë ekonomike, me qasje korrekte, me dëshirën për t’i kryer disa gjëra deri në fund, me njohuri për kryerjen e atyre gjërave, me profesionalizëm, presim që vitin e ardhshëm ta ulim çmimin e prodhimit për 35%, ndoshta edhe më shumë, por për momentin të qëndrojmë në këto shifra. Dhe çdo vit që vjen të bjerë çmimi i prodhimit për një megavat-orë energji të prodhuar. Unë ju përmenda se me projeksionet tona, diku nga viti 2027 do të duhet ta rrisim edhe prodhimin vendor të qymyrit, dhe me këtë do ta reduktojmë nevojën për import dhe do të ktheheshim pesë, gjashtë, dhjetë vjet pas në prodhim”, deklaroi Konjanovski.

Intervistën e plotë mund ta shikoni në fillim të këtij teksti, ose në këtë LINK.