Kontratat për punësim në Toksikologji janë të pavlefshme pasi janë nënshkruar vetëm një drejtor
Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor ka bërë kontroll në Klinikën e Toksikologjisë në lidhje me kontratat e punës dhe ka konstatuar se kontratat janë nënshkruar nga vetëm një drejtor, transmeton Portalb.mk. “Në përputhje me dispozitat ligjore lidhur me nënshkrimin e akteve, drejtori mjekësor dhe organizativ kanë kompetencë të përbashkët në nënshkrimin e kontratave të punës, […]
Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor ka bërë kontroll në Klinikën e Toksikologjisë në lidhje me kontratat e punës dhe ka konstatuar se kontratat janë nënshkruar nga vetëm një drejtor, transmeton Portalb.mk.
“Në përputhje me dispozitat ligjore lidhur me nënshkrimin e akteve, drejtori mjekësor dhe organizativ kanë kompetencë të përbashkët në nënshkrimin e kontratave të punës, vendimet e pushimit nga puna, prokurimet publike etj. Nëse këto akte i nënshkruan vetëm një drejtor, sipas ligjit për shëndetësi konsiderohen të panënshkruara, por ligjvënësi nuk ka paraparë gjobë për këtë çështje”, tha sot drejtoresha e IShSSh-së Renata Mlladenovska.
Ajo bëri të ditur se për këtë do ta informojnë ministrin e Shëndetësisë, i cili duhet të vendosë më tej për vlefshmërinë e kontratave të punës.
Drejtoresha organizative e Klinikës së Toksikologjisë, Besija Ilazi, tha dje në një deklaratë për mediat se Klinika ka nevojë për 18 punësimet që bënë bujë në opinion.
Ajo thotë se kishin nevojë për këto punësime dhe për këtë arsye insistoi që marrëveshjet të bëheshin. Sipas saj, personat punonin vazhdimisht dhe më shumë seç duhej, ishin në krye të detyrës, gjë që nuk lejohej pa kontratë.
Ilazi thotë se po mundohet ta zgjidhë këtë problem.
“I kam dërguar një kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë më 28 shkurt, e cila është pranuar. Edhe në Ministrinë e Financave. Ne kemi marrë leje nga Ministria e Shëndetësisë që kontratat mund të bëhen lirisht”, thotë Ilazi.
Në muajin e kaluar filluan skandalet në Klinikën e Toksikologjisë. Fillimisht, punonjësit përmes një letre për media, e më pas në konferencë për media, theksuan se drejtoresha Ilazi nuk u flet në gjuhën maqedonase, nuk e kuptojnë dot dhe nuk i lejon të punësojnë dy biologë të diplomuar dhe një mjeke ndihmëse, ndërsa ajo insiston që të punësohen 18 persona të cilëve u ka skaduar kontrata e punës më 31 dhjetor 2023.
Ministri i Shëndetësisë paralajmëroi para zgjedhjeve dhe menjëherë pas zgjedhjeve e shkarkoi drejtorin mjekësor Danil Petrovski, ndërsa për drejtorin organizativ Ilazi tha se do të jetë drejtoreshë derisa nuk e shkel ligjin.
Kujtojmë se më 2 maj, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (IShSSH) ka kryer inspektim kontrollues në Klinikën e Toksikologjisë pas lëshimit të vendimit paralajmërues me masa inspektuese të urdhëruara, nga i cili është konstatuar se punëtorët dhe bashkëpunëtorët shëndetësorë të cilëve u ka skaduar kontrata janë ende të regjistruar në Klinikën e Toksikologjisë.