Kritika për gjyqësorin dhe administratën, Mickoski pranon raportin e KE-së: T’i realizojmë reformat, t’i tejkalojmë dallimet politike sepse nuk kemi kohë për të humbur
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski ka pranuar raportin e fundit të Bashkimit Europian për vitin 2023. Sipas asaj që deklaroi i pari i Qeverisë, në raport janë evidentuar mangësi në fushën e gjyqësorit dhe administratës publike. Mickoski porositi, se për këtë duhet të tejkalohen edhe dallimet politike, pasi siç tha, nuk ka kohë […]
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski ka pranuar raportin e fundit të Bashkimit Europian për vitin 2023. Sipas asaj që deklaroi i pari i Qeverisë, në raport janë evidentuar mangësi në fushën e gjyqësorit dhe administratës publike.
Mickoski porositi, se për këtë duhet të tejkalohen edhe dallimet politike, pasi siç tha, nuk ka kohë për të humbur.
Mickoski premtoi se do të vazhdojë angazhimin e tij në realizimin e reformave, për siç tha, ato përmirësojnë jetesën e qytetarëve të RMV-së.
“E di se qytetarët jetojnë jetë të vështirë dhe na duhen hapa kyç përpara dhe reforma, dhe ajo që për mua paraqet prioritet është lufta kundër korrupsionit dhe krimit. Sërish është mirë kur marrim një pasqyrë reale për gjendjen. Me raportin ne fituam një pasqyrë reale dhe objektive për gatishmërinë e shtetit në arritjen e vlerave dhe standardeve europiane. Është detektuar një përparim dhe mangësi në disa sfera, ose nuk ka aspak përparim në shumë sfera të tjera. Ajo që më inkurajon, është se edhe në këtë periudhë të shkurtër BE-ja i njeh përpjekjet tona në luftën kundër korrupsionit, diçka që nuk ka rastisur në raportin paraprak. Mangësitë më të mëdha regjistrohen në Kapitullin 1, në pjesën e gjyqësorit dhe reformën në administratën publike. Duhet ta bëjmë më të mirën, t’i tejkalojmë pengesat politike dhe të fokusohemi në atë që duhet të gjithë ta bëjmë, sepse nuk kemi kohë për të humbur. Na pret edhe shumë kohë, të gjithë ne, sepse reformat dhe rruga europiane janë të gjata. Prandaj premtoj, se unë dhe si Qeveri punojmë në atë çfarë paraqet përmirësim të gjendjes në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën e jetesës ku mangësitë janë më të mëdha. Prandaj duhet angazhim edhe i pushteti ekzekutiv, por edhe legjislativ, administratës, sektori privat, akademikët… Nuk heqim dorë nga reformat – sepse është mënyra më e mirë për ta përmirësuar jetesën e qytetarëve dhe ta fuqizojmë dosjen maqedonase në rrugën drejt BE-së”, tha mes tjerash Mickoski.