Kryeparlamentari Gashi zhvilloi takime me ambasadoren greke në RMV dhe të dërguarin e Norvegjisë për BP
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, realizoi disa takime. Njërin me përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Erik Matiasen, kur mori pjesë edhe ambasadorja jorezidente e Norvegjisë, Kristin Melsom, si dhe me ambasadoren e Republikës së Greqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sofija Filipidu, transmeton Portalb.mk. Në takimin me ambasadoren greke u shkëmbyen mendime […]
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, realizoi disa takime. Njërin me përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Erik Matiasen, kur mori pjesë edhe ambasadorja jorezidente e Norvegjisë, Kristin Melsom, si dhe me ambasadoren e Republikës së Greqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sofija Filipidu, transmeton Portalb.mk.
Në takimin me ambasadoren greke u shkëmbyen mendime për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit parlamentar bilateral në të gjitha nivelet, si dhe për nevojat e mundshme për të ndërmarrë hapa për pasurimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me interes të ndërsjellë midis dy vendeve.
Ambasadorja Filipidu informoi mbi zhvillimet aktuale në Republikën e Greqisë dhe procedurën e zgjedhjes së presidentit të shtetit, i cili, në pajtim me Kushtetutën, kryhet përmes zgjedhjes në Parlamentin Grek. Shprehu pritshmërinë që pas përfundimit të këtij procesi do t’i kushtohet më shumë vëmendje nisjes së bashkëpunimit më dinamik me kolegët grekë.
Kryetari Gashi, duke e përshëndetur mbajtjen e këtij takimi, u shpreh i hapur për vizita të ndërsjella me homologët e Kuvendit të Greqisë, por edhe në nivel të komisioneve dhe grupeve të bashkëpunimit, të cilët gjatë gjithë mandateve të kaluara kanë shprehur interesim për bashkëpunim konkret, veçanërisht në fushën e integrimit evropian.
“Të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, por mund të punojmë së bashku për të ardhmen”, ka konkluduar Kryetari Gashi.
Nga ana tjetër, në takimin me Matiasen, bashkëbiseduesit i përshëndetën marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe miqësinë, duke theksuar se ato janë forcuar edhe më tej përmes anëtarësimit në NATO.
Gashi theksoi se emërimi i të dërguarit special për Ballkanin Perëndimor e tregon interesin që qeveria norvegjeze i kushton rajonit. Ai shprehu mirënjohjen e tij edhe për mbështetjen e fuqishme që Norvegjia, e cila edhe pse nuk është anëtare e BE-së, për shkak të lidhshmërisë së saj të ngushtë me BE-në, u jep aspiratave evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në takim u shkëmbyen mendime edhe për avancimin e rrugës së anëtarësimit të vendit, duke qenë se Matiasen ka përvojë shumëvjeçare lidhur me marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
U përshëndet edhe puna e ambasadorëve në të dy vendet, pasi aktivitetet e tyre kontribuojnë në intensifikimin dhe avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit bilateral.