U promovua me shumë bujë, ndërsa u ndërpre në heshtje kontrata për komunën e zgjuar “Smart Aerodrom”
Partneriteti publikо-privat me të cilin Aerodromi duhej të bëhej komunë e zgjuar (smart) dështoi. Ndryshe nga njoftimi me zë të lartë pranverën e kaluar se pushteti vendor kishte zgjedhur një partner privat dhe kishte nënshkruar kontratë me të, nuk u bë publike se kontrata ishte shkëputur vetëm tre muaj pas nënshkrimit të saj. Kontrata me […]
Partneriteti publikо-privat me të cilin Aerodromi duhej të bëhej komunë e zgjuar (smart) dështoi. Ndryshe nga njoftimi me zë të lartë pranverën e kaluar se pushteti vendor kishte zgjedhur një partner privat dhe kishte nënshkruar kontratë me të, nuk u bë publike se kontrata ishte shkëputur vetëm tre muaj pas nënshkrimit të saj. Kontrata me konsorciumin e drejtuar nga kompania belge “Crescent” parashikonte instalimin e ndriçimit LED në komunë, i cili do të reduktonte faturat e energjisë elektrike, më pas të siguronte një sistem për marrjen me qira të trotinetëve dhe biçikletave elektrike, instalimin e ekraneve digjitale të informacionit dhe të ketë zona falas interneti dhe karikues për makina elektrike, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Në mars, lideri i atëhershëm i opozitës dhe kryeministri aktual Hristijan Mickoski, pa pritur realizimin e projektit, njoftoi se Aerodromi “u bë komuna e parë e zgjuar në Maqedoni”. Këtë deklaratë ai e bëri kur ish-kryetari i komunës Timço Mucunski dhe përfaqësuesi i kompanisë belge “Crescent”, Eric van Seele, nënshkruan kontratën për partneritet publiko-privat në vlerë prej dhjetë milionë eurosh.
Duhej të zgjaste 13 vjet, në të cilat do të investonte konsorciumi i kryesuar nga “Crescent” dhe në këmbim komuna do t’u paguante çdo muaj 72.5 përqind të tarifës komunale për ndriçimin publik.
Por më 3 qershor, kontrata u anulua nga Mucunski, i cili në atë kohë ishte ende në krye të komunës. Mori vendim për ndërprerje të njëanshme për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve nga partneri privat.
BIRN mori vendimin nga Komuna e Aerodormit. Aty thuhet se partneriteti publiko-privat ndërpritet për “shkelje të theksuar të detyrimeve nga partneri privat, pra për mosdhënie garancie bankare për përmbushjen në kohë dhe cilësore të detyrimeve sipas kontratës”.
Megjithatë, në kontratë parashikohej që brenda 15 ditëve pas nënshkrimit, kompania të dorëzonte garancinë bankare, e cila duhej të ishte dhjetë përqind e vlerës së kontratës.
Dritat e mençura në Aeroport ishin edhe premtim parazgjedhor i VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet lokale të vitit 2021. Shpallja për përzgjedhjen e partnerit është publikuar në dhjetor 2023 dhe për të ka aplikuar vetëm një kandidat.
Ushtruesi aktual i detyrës kryetar i Aerodromit, Dejan Miteski, thotë për BIRN se komuna aktualisht është duke punuar në një analizë të detajuar të studimit ekzistues dhe se janë duke marrë parasysh avantazhet dhe disavantazhet e zgjidhjeve të propozuara, kostot totale për zbatimin e tyre, por edhe arsyet për dështimin e procedurës së mëparshme.
“Pasi ta përfundojmë këtë analizë, do të dalim me një propozim zgjidhje adekuate dhe të qëndrueshme, e cila do të reflektojë nevojat e qytetarëve dhe do të sigurojë funksionim efikas dhe të qëndrueshëm të ndriçimit publik”, thotë Miteski.
Ndryshe, në promovimin e projektit pranverën e kaluar, kryeministri aktual Mickoski e lavdëroi projektin.
“Komuna e Aerodromit u bë komuna e parë e zgjuar në Maqedoni, sot u nënshkrua projekti me një kompani të listuar në bursën belge”, tha atëherë Mickoski, duke siguruar se është një “projekt fantastik”, që është dëshmi se edhe në nivel lokal është e mundur të arrihen, siç tha ai, suksese evropiane.
Kompania belge deri më tani ka punuar në projekte të ngjashme në Kroaci dhe qytete të tjera evropiane. Në konsorcium ishte edhe “Capital Alliance Group”, e regjistruar në Britani dhe në pronësi të shtetasit maqedonas Ljubomir Rakita. Kompania e dytë që duhej të merrte pjesë në realizimin e projektit ishte SII – smart install and integration, një kompani vendase, e cila deri vonë kishte një emër tjetër, “Elektromikiica”, dhe bashkëpunonte me komunat e tjera.