Kryeprokurori Kocevski ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj prokurorëve Jove Cvetanovski dhe Mustafa Hajrullahi
Prokurori publik i Maqedonisë së Veriut Lupço Kocevski i ka zënë prokurorët e lartë të Shkupit, Jove Cvetanovski dhe kryetarin Mustafa Hajrulahi, se në mënyrë joprofesionale dhe të pandërgjegjshme kanë vendosur të ndjekin penalisht të pandehur të caktuar dhe për këtë arsye, ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj tyre, transmeton Portalb.mk. “Prokurori publik i Republikës së […]
Prokurori publik i Maqedonisë së Veriut Lupço Kocevski i ka zënë prokurorët e lartë të Shkupit, Jove Cvetanovski dhe kryetarin Mustafa Hajrulahi, se në mënyrë joprofesionale dhe të pandërgjegjshme kanë vendosur të ndjekin penalisht të pandehur të caktuar dhe për këtë arsye, ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj tyre, transmeton Portalb.mk.
“Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka shqyrtuar procesverbalin dhe raportin përfundimtar nga mbikëqyrja e kryer në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup, si dhe shënimet zyrtare të bashkangjitura dhe në bazë të konstatimeve nga situatat e konstatuara, ka vendosur që t’i paraqesë propozim Komisionit për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore të prokurorëve publikë për inicimin e procedurës disiplinore kundër prokurorit publik nga Prokuroria e Lartë Publike Shkup për punë joprofesionale dhe të pakujdesshme në 4 raste në të cilat ka hequr dorë nga ankesa apo akuza. Propozim për inicimin e procedurës disiplinore është dorëzuar edhe kundër prokurorit të lartë publik të Prokurorisë së Lartë Publike Shkup, të cilit i është referuar dhe me pëlqimin e të cilit është marrë vendimi në tre nga rastet e përmendura, si dhe për shkak të parregullsive të konstatuara për mënyrën e paraqitjes së lëndëve në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup”, njoftoi mbrëmë Ljupço Kocevski.
Paraprakisht, ai e pezulloi Hajrullahin, pasi një grup punonjësish e raportuan se i kërcënon, i sposton për një kohë të gjatë, u thotë se do të “fluturojnë” nga puna etj.
Hajrullahi, përmes Cvetanoskit, i ndërpreu të gjitha procedurat penale kundër ish-funksionarëve të akuzuar nga VMRO-DPMNE, pasi LSDM dhe BDI, me mbështetjen e VMRO-DPMNE-së, miratuan ndryshimet e turpshme të Kodit Penal, të cilat i shpëtuan këta zyrtarë.
“Inicimi i procedurës disiplinore është edhe një konfirmim i përkushtimit të Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut për të mundësuar ndjekje penale efikase të kryerësve të veprave penale dhe për të kërkuar përgjegjësi nga prokurorët publikë të cilët në mënyrë të paarsyeshme e kanë zvarritur procedurën ose kanë braktisur në mënyrë të paarsyeshme procedurën e ndjekjes”, thotë Kocevski.
Prokuroria Publike ka caktuar një konferencë për gazetarët më 11.12.2024, në të cilën do të marrin pjesë të gjithë prokurorët publik që trajtojnë lëndët me interes publik dhe në të cilën përfaqësuesit e mediave do të kenë mundësi të marrin informacione drejtpërdrejt nga prokurorët publikë kompetentë për trajtimin e rasteve të tyre specifike.
Kocevski thotë se “me seriozitet të jashtëzakonshëm i ka marrë apelet nga pushteti ekzekutiv dhe nga opinioni në përgjithësi, që të rritet aktiviteti i të gjitha organeve të hetuesisë, e veçanërisht Prokurorisë Publike në luftën kundër korrupsionit”.
Krahas pastrimit të radhëve të prokurorëve të korruptuar, prokurori i shtetit Kocevski thotë se në kuadër të kompetencave të tij, të cilat janë të karakterit organizativ dhe nuk ndërhyjnë në veprimet e prokurorëve publik, aktualisht është duke e riorganizuar Prokurorinë, për ndjekje më efikase të autorëve të krimeve, veçanërisht nga fusha e krimit financiar dhe korrupsionit.
Në këtë drejtim ka nxjerrë një Udhëzim obligativ, me të cilin ka ngarkuar të gjithë prokurorët publikë dhe të gjitha qendrat hetimore që menjëherë t’i japin prioritet trajtimit të rasteve të korrupsionit, por edhe t’i përditësojnë rastet e tyre dhe t’i shohin dhe nxjerrin në letër institucionet që ngadalësojnë dhe zvarritin hetimet. Zakonisht në vend të parë janë gjithmonë ekspertët e Ministrisë së Brendshme.
“Nëse pas urdhrave të lëshuara dhe kërkesave të prokurorit në afatin e përcaktuar ligjor nuk është pranuar përgjigje apo të dhëna përkatëse nga institucionet dhe organet kompetente, menjëherë do të dërgohen veprime urgjente”, thuhet në udhëzimin obligativ që çdo prokuror në Maqedoni duhet ta aplikojnë.
Nëse konstatohet zgjatje e paarsyeshme e procedurës, do të bëhet mbikëqyrje e jashtëzakonshme mbi veprimet e prokurorëve publikë përkatës, thotë Kocevski.
Një hap shtesë në këtë drejtim është forcimi i transparencës së Prokurorisë Publike, veçanërisht në procedurat që kanë të bëjnë me krimet kundër korrupsionit dhe janë me interes të veçantë publik.
Kujtojmë se Prokuroria Publike Themelore në Shtip ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetuese ndaj Hajrullahit për të cilin ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale të vazhdueshme – Ngacmimi në kryerjen e shërbimit nga neni 143, si dhe për veprën penale të vazhdueshme- Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353 i Kodit Penal.