Prokuroria më në fund u “ngjall”, 13 muaj pas padisë nga Policia ngriti aktakuza për parkingun e uzurpuar mbrapa Poliklinikës Bit Pazar

Pas zhvillimit të procedurës paraprake, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur aktakuzë kundër një personi fizik dhe një personi juridik për veprën penale uzurpim i patundshmërive nga neni 225 i Kodit Penal. I pandehuri 47-vjeçar, pronar dhe udhëheqës i personit juridik të paditur, ka marrë në posedim pronën e dikujt tjetër – […]

dhjetor 4, 2024 - 14:00
 0  6
Prokuroria më në fund u “ngjall”, 13 muaj pas padisë nga Policia ngriti aktakuza për parkingun e uzurpuar mbrapa Poliklinikës Bit Pazar
Foto e vitit 2015-të nga "Google Street". Parkingu mbrapa Poliklinikës "Bit Pazar"

Pas zhvillimit të procedurës paraprake, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur aktakuzë kundër një personi fizik dhe një personi juridik për veprën penale uzurpim i patundshmërive nga neni 225 i Kodit Penal. I pandehuri 47-vjeçar, pronar dhe udhëheqës i personit juridik të paditur, ka marrë në posedim pronën e dikujt tjetër – tokën prapa Shtëpisë së Shëndetit në Shkup – Poliklinikës Bitpazar, transmeton Portalb.mk.

“I pandehuri ka shfrytëzuar tokën shtetërore, e cila i është dhënë me të drejtë për shfrytëzim shtëpisë së shëndetit dhe e paraparë si pronë në përdorim të përgjithshëm në Planin e Detajuar Urbanistik të Komunës Çair, i akuzuari e përdorte si vend parkimi të improvizuar. Në emër dhe me shpenzime të personit juridik ka vendosur një rampë dhe një pikëpagese dhe ka angazhuar një person për inkasim me çmim prej 50 denarë për 90 minuta shfrytëzim, duke kufizuar dhe kontrolluar hyrjen dhe daljen në tokë”, njoftojnë nga Prokuroria.

Së bashku me aktakuzën, prokurori publik në Gjykatën Themelore Penale Shkup ka dorëzuar propozim të veçantë për caktimin e masës së sigurimit – ndalim për kryerjen e disa aktiviteteve të punës, përkatësisht ndalim të shfrytëzimit të tokës në fjalë.

Kujtojmë se kanë kaluar mbi 13 muaj prej kur Policia ka dorëzuar padi penale kundër dy personave në lidhje me uzurpimin e pronës shtetërore dhe transformimin e të njëjtit në parking privat me pagesë, por Prokuroria vetëm tani ka ndërmarrë masa konkrete. Parkingu ilegal ka funksionuar për mbi një vit në kushte normale, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Me një sërë shkrimesh, Portalb.mk ka dëshmuar se toka mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar” është shtetërore dhe e njëjta në mënyrë të paligjshme po shfrytëzohet si parking me pagesë. Nga ana tjetër, institucionet hedhin fajin te njëra-tjetra për përgjegjësinë se kush duhet të veprojë, megjithëse toka ndodhet në Komunën e Çairit dhe sipas decentralizimit, kompetenca i takon Komunës së Çairit.

Më shumë për rastin në fjalë mund të gjeni në linqet më poshtë: