Presidenti i ri i KE-së: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE

E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE dhe ne duhet të punojmë për ta arritur këtë. Këtë e bëri të ditur dje presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, në darkën me liderët e Ballkanit Perëndimor, ku morën pjesë edhe përfaqësuesja e re e lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Kaja […]

dhjetor 4, 2024 - 14:00
 0  7
Presidenti i ri i KE-së: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE
Presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, në darkën me liderët e Ballkanit Perëndimor. Foto: António Costa nga rrjeti X

E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE dhe ne duhet të punojmë për ta arritur këtë. Këtë e bëri të ditur dje presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, në darkën me liderët e Ballkanit Perëndimor, ku morën pjesë edhe përfaqësuesja e re e lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Kaja Kallas dhe komisionerja për zgjerim, Marta Kos, transmeton Portalb.mk.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE. Le të punojmë për ta realizuar. Ky është mesazhi që dërgova së bashku me Kaja Kallas dhe Marta Kos në darkën e sotme me liderët e Ballkanit Perëndimor”, shkruan Kosta në një postim në X.


Në darkë me Kostën ishin kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski dhe kolegët e tij nga Shqipëria dhe Kosova, Edi Rama dhe Albin Kurti, anëtarja e Presidencës së BH-së Zeljka Cvijanoviq dhe presidentët e Malit të Zi dhe Serbisë, Jakov Milatoviq dhe Aleksandar Vuçiq.

Sipas burimeve nga Këshilli, Kosta dhe liderët nga Ballkani Perëndimor kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në rajon, si dhe për mënyrën më të mirë për të mbështetur këto vende për t’iu afruar BE-së dhe për të avancuar në negociatat e anëtarësimit.

Qëllimi i darkës ishte që Kosta të takohej me liderë nga Ballkani Perëndimor në fillim të mandatit të tij dhe të konfirmojë angazhimin e tij për t’i dhënë një shtysë të re marrëdhënieve të BE-së me atë rajon.

Darka me liderët e rajonit është një përgatitje për samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 18 dhjetor në Bruksel dhe të cilin Kosta do ta drejtojë për herë të parë.

Për takimin e djeshëm ka informuar kryeministri Hristijan Mickoski përmes një video-fjalimi nga Brukseli. Ai thotë se ka pasur dy takime dypalëshe, njëra me komisioneren e re për zgjerim Marta Kos dhe e dyta me presidentin e ri të Këshillit Evropian Antonio Kosta.

Të dy takimet, siç thotë Mickoski, kanë kaluar në një atmosferë jashtëzakonisht miqësore, në të cilën ai ka rikonfirmuar qëndrimet e tij se ultimatumet nuk do të pranohen, por se vendi është i gatshëm të bisedojë. Mickoski theksoi se nga takimet u dërgua mesazh se Qeveria e Maqedonisë mbetet e fokusuar në reformat dhe sigurimin e kushteve më të mira të jetesës për qytetarët, si dhe se synimi kryesor mbetet anëtarësimi i plotë i vendit në Bashkimin Evropian.

“Me Kosin dhe Kostën kemi biseduar në një atmosferë të përzemërt dhe konstruktive për gjithçka që jemi përballur deri më tani si sfidë në të kaluarën, si dhe për gjithçka që duhet të kishim hequr dorë në emër të vlerave evropiane. Në të njëjtën kohë, rikonfirmuam qëndrimet tona se nuk pranojmë ultimatume, por edhe se jemi të gatshëm të bisedojmë. Jemi të gatshëm të bisedojmë aq sa duhet që të gjejmë një mënyrë për të hapur klasterin e parë, për të kaluar shpejt atë proces negociator dhe për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, thotë Mickoski.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.