Kundërspin: Gjuha shqipe në RMV është zyrtare, nëse Albin Kurti ju thotë ndryshe po shtrembëron të vërtetën

Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është zyrtare. Deklaratat e papërgjegjshme dhe të pavërteta të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nuk përputhen me atë që shkruan për këtë në aktin më të lartë të shtetit, Kushtetutën. Shqipja është zyrtare dhe aktualisht e rrezikuar që të shfuqizohet nga Gjykata Kushtetuese, kushdo që ju thotë ndryshe, qoftë […]

Nëntor 19, 2024 - 18:00
 0  6
Kundërspin: Gjuha shqipe në RMV është zyrtare, nëse Albin Kurti ju thotë ndryshe po shtrembëron të vërtetën
Albin Kurti në mbledhjen e përbashkët ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Foto: Qeveri e RMV-së

Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është zyrtare. Deklaratat e papërgjegjshme dhe të pavërteta të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nuk përputhen me atë që shkruan për këtë në aktin më të lartë të shtetit, Kushtetutën. Shqipja është zyrtare dhe aktualisht e rrezikuar që të shfuqizohet nga Gjykata Kushtetuese, kushdo që ju thotë ndryshe, qoftë ky edhe kryeministër, ju gënjen ose shtrembëron të vërtetën. Nëse nuk do të ishte zyrtare, Afrim Gashi i VLEN-it asnjëherë nuk do të kishte shqiptuar asnjë fjalë në këtë gjuhë gjatë betimit të tij si i pari i Parlamentit. Portalb-i shpesh ka informuar për implementimin e dobët të gjuhës shqipe nga ana e institucioneve dhe se ka hapsirë të madhe për përmirësime dhe avancime të saj në çdo aspekt të mundshëm, por kjo nuk e bën gjuhën shqipe jozyrtare në vend.

Pas seancës së përbashkët ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, kryeministri Albin Kurti para medieve shtrembëroi të vërtetën me (mos) ekzistimin e një ligji për gjuhën shqipe në Maqedoni.

“Nuk ka në Maqedoninë e Veriut ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, edhe nuk ka pasur as në të kaluarën. Ekziston ligji për përdorimin e gjuhëve që e përmend shifrën 20 për qind, po ai nuk është ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, është ligj për përdorimin e gjuhëve.” tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Skandali thellohet kur ai flet për abrogimin e mundshëm të këtij ligji nga ana e Gjykatës Kushtetuese, dhe mes tjerash thotë se “në Maqedoninë e Veriut nuk mund të thuhet që na paska qenë shqipja gjuhë zyrtare dhe tash po rrezikohet, sepse kjo nuk është e vërtetë”

Nuk ka asnjë dilemë që gjuha shqipe është zyrtare në RMV

Për të sqaruar më mirë këtë, Portalb-i bisedoi me profesoreshën e të drejtës, Besa Arifi. Ajo tha që gjuha shqipe është zyrtare s’ka asnjë diskutim, pasi kjo fillimisht rregullohet me Kushtetutën e vendit.

Besa Arifi
Besa Arifi, foto nga arkivi personal

“Amandamendi V i Kushtetutës së RMV hyn në grupin e 15 amandamenteve me të cilat Kushtetuta e RMV u ndryshua dhe plotësua bazuar në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit të vitit 2001. Amandamenti V qartësisht përcakton që gjuha që e flasin së paku 20% e qytetarëve (ku nënkuptohet se bëhet fjalë për etnitetin shqiptar si etnitet i vetëm që në nivel republikan është i përfaqësuar mbi 20%) është poashtu zyrtare” tha Arifi.

Arifi shtoi se me këtë amandament “rregullohet përdorimi i gjuhës zyrtare që është e ndryshme nga maqedonishtja në dokumentet personale, në komunikim mes qytetarëve dhe institucioneve, si dhe përdorimi i gjuhës në organet e pushtetit qendror dhe lokal”

Jo vetëm me Kushtetutë, Arifi thotë se gjuha shqipe garantohet edhe me ligjet pozitive të vendit, atë të vitit 2008 dhe ligjin për përdorimin e gjuhëve të vitit 2018.

“Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është rregulluar me dy ligje, atë të vitit 2008 dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve të vtiti 2018 ku qartësisht është shënuar se gjuha shqipe, si gjuhë që flitet nga mbi 20% e qytetarëve në RMV është gjuhë zyrtare. Ligji i vitit 2018 ka zgjeruar përdorimin zyrtar të gjuhës shipe në të gjitha nivelet” tha Arifi.

  • Klikoni KËTU për të lexuar Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.
  • Klikoni KËTU për të lexuar ligjin për përdorimin e gjuhëve.Ligji për përdorimin e gjuhëve:
  • (1) Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në raportet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik.
  • (2) Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, (gjuha shqipe) gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe shkrimi i saj, në pajtim me këtë ligj.

Të mos relativizohet me arritjet që janë burim i Marrëveshjes së Ohrit

Besa Arifi kërkon që politikanët të rezervohen nga këto deklarata.

“Mund të ketë dilema lidhur me implementimin adekuat të Ligjit për përdorimin e gjuhës, por nuk ka asnjë dilemë që gjuha shqipe është gjuhë zyratare në RMV. Relativizimi i arritjeve të Marrëveshjes së Ohrit në bazë të të cilave është ndryshuar Kushtetuta dhe janë sjellë ligje specifike për rregullimin e përdorimit të gjuhëve zyrtare nuk i bën nder asnjë politikani. Faktet duhen pranuar ashtu siç janë dhe politikanët duhet të jenë të kujdesshëm të mos i shtrembojnë ato.” tha Besa Arifi.

Juristi Emir Kurtishi për Portalb.mk thotë se deklaratat si kjo e Albin Kurtit mund të shfrytëzohen si alibi dhe kundërargumente nga ana e kundërshtarëve të ligjit, marrë parasysh se aktualisht ky ligj është në tavolinë të Gjykatës Kushtetuese.

Emir Kurtishi, foto nga Facebook.
Emir Kurtishi, foto nga Facebook.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është dashur të sillet më me maturi, diplomaci dhe xhentilesë, siç i ka hije një burrështetasi dhe t’i jep mbështetje ligjit aktual që ta ruajmë këtë pozitë të rregullimit të përdorimit zyrtar të gjuhës, sepse këto herëpashere mund të shfrytëzohen si alibi dhe kundërargumente nga ana e kundërshtarëve të ligjit, pikërisht tash në prag të vendosjes së vlerësimit të kushtetutshmërisë së ligjit nga ana e Gjykatës Kushtetuese” tha Emir Kurtishi.

Përpos kësaj, Kurtishi tha se s’mund të thuhet që shqipja asnjëherë s’ka qenë zyrtare “kur dihet mirëfilli se me Kushtetutën e vitit 1974, shqiptarët kanë gëzuar status të barabartë me maqedonasit, rrjedhimisht gjuha shqipe ka qenë zyrtare krahas asaj maqedonase”.

Ai thotë se ligji aktual për përdorimin e gjuhëve, në pjesën e gjuhëve zyrtare shumë qartë, në kllapa, e thekson se bëhet fjalë për gjuhën shqipe.

“Realisht dhe praktikisht, në RMV me ligjin aktual kemi përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe në veçanti, sepse në ligj theksohet qartë kjo në kllapa “gjuha shqipe”, mirëpo hendikepi kryesor konsiston në mos rregullimin në nivel kushtetues të kësaj të drejteje me rëndësi për shqiptarët, andaj ajo dispozitë kushtetuese, përkatësisht amendamenti V apo neni 7, gjithmonë do të jetë gjeneratorë i debateve të këtilla të kontestimit të gjuhës në këtë nivel të përdorimit siç është tani, shkaku i përkthimit në përqindje të një populli të tërë, pra 20 për qind” shtoi Kurtishi.

Protesta, tensione dhe deklarata të ashpra i paraprinë zyrtarizimit të gjuhës shqipe në vitin 2018. Asokohe presidenti Gjorge Ivanov refuzoi që ta dekretojë ligjin me çka në vend u krijua një lëmsh juridik.

Rikujtojmë që pak javë më herët, me një retorikë të ngjashme nga ana e partnerëve të Kurtit në Qeveri, koalicionit VLEN, u arsyetua edhe shfuqizimi i instrumentit balancues nga ana e Gjykatës Kushtetuese, gjithashtu një arritje që buronte nga Marrëveshja e Ohrit.

Ata që sot e keqinformojnë Kurtin, dikur uronin zyrtarizimin e shqipes

Izet Mexhiti, zëvendës kryeministri i parë ka përkrahur këtë deklaratë të Albin Kurtit. Mexhiti në ‘Facebook’ për rregullimin ligjor të gjuhës shqipe thotë “aspak zyrtare, aspak formale, aspak e barabartë me maqedonishten – thjeshtë, gjuhë në kllapa”.

Mexhiti krejtësisht ndryshe fliste për të njëjtin ligj në vitin 2018.

Izet Mexhiti në 'Facebook', viti 2018.
Izet Mexhiti në ‘Facebook’, viti 2018.

Arben Taravari gjithashtu ka përkrahur deklaratën e Albin Kurtit. Ai në ‘Facebook’ ka thurur lavde për Kurtin për t’i dalë në krahë pas kritikave që i mori ky i fundit për shkak të deklaratave të pavërteta për gjuhën shqipe.

Por, Taravari gjithashtu fliste krejtësisht ndryshe për të njëjtin ligj në vitin 2018.

Arben Taravari në Facebook, 2018.
Arben Taravari në Facebook, 2018.

Që gjuha shqipe është zyrtare e dëshmon edhe fakti që edhe bashkëpunëtori tjetër i Albin Kurtit në Maqedoninë e Veriut, Afrim Gashi, betimin si kryetar i Kuvendit e bëri në gjuhën shqipe. Madje për këtë, deputetja e LSDM-së Bisera Kostadinovska-Stojçevska kishte dorëzuar ankesë në Sektorin e Inspektimit në Ministrinë e Kulturës.

Portalb-i shpesh ka informuar për implementimin e dobët të gjuhës shqipe nga ana e institucioneve, por kjo nuk e bën gjuhën shqipe jozyrtare në vend. Zyrtarët në vend e kanë për detyrë të avancojnë sa më shumë impelementimin e saj por duke mos nëpërkëmbur avancimin e deritanishëm.
Kumtesat që media jonë i merr nga Qeveria e Maqedonisë, Parlamenti dhe intitucionet e tjera janë edhe në gjuhën shqipe. Madje, në vend ka institucione që kanë për kompetencë të monitorojnë zbatimin e gjuhës shqipe e cila ka shumë punë sepse instirucionet nuk e respektojnë ligjin.

Rikutjojmë që këto tema hapen shtatë vjet pas miratimit të ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë.Në dhejtor në Gjykatën Kushtetuese do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.