Kurti: 363 qytetarë u punësuan në komunat veriore falë skemave qeveritare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nga data 30 gusht janë punësuar 363 persona në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Kurti po ashtu tha se janë edhe 428 vende të lira të punës, të cilat mbështeten nga skema e Qeverisë së Kosovës. “Shtatë muaj nga fillimi i skemës, deri […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nga data 30 gusht janë punësuar 363 persona në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Kurti po ashtu tha se janë edhe 428 vende të lira të punës, të cilat mbështeten nga skema e Qeverisë së Kosovës.
“Shtatë muaj nga fillimi i skemës, deri më 30 gusht në katër komunat në veri kemi ndërmjetësuar dhe mbështetur punësimin e 263 personave, ndërkaq të deklaruara janë edhe 428 vende të lira të punës”, tha Kurti.
Kreu i qeverisë kujtoi se skema e masës 1.8 “Qeveria për Familjet” u prezantua për herë të parë në korrik të vitit 2022, me një fond prej 10 milionë eurosh.
Në shkurt të këtij viti u lansua masa e posaçme për mbështetjen e punësimit për qytetarët e katër komunave veriore.
Përmes kësaj skeme, subvencionimi arrin në 70 për qind të pagës bruto për gjashtë muajt e parë, deri në shumën e 350 eurove, duke mbuluar 2 mijë vende pune.
“Kemi ndërmjetësuar dhe mbështetur punësimin e 363 personave deri më 30 gusht, ndërsa janë të hapura edhe 428 vende të lira pune. Më shumë punësim do të thotë më shumë mirëqenie, integrim dhe ndërveprim mes komuniteteve,” tha Kurti.
Ai i ftoi qytetarët të aplikojnë në Zyrat e Punësimit në komunat veriore.