Kurti deklarohet për kritikat e Osmanit: Kemi qenë vazhdimisht në bashkërendim për politikën e jashtme, të arriturat i kemi të përbashkëta
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar fjalimin e ashpër të presidentes Osmani, javën e kaluar në Kuvend, ku ajo tha se “luajtja bizhoz me aleancat dëmton Republikën”. Kurti i pyetur për këtë deklaratë tha se ka qenë vazhdimisht në koordinim e bashkërendim me presidenten Osmani sa i përket politikës së jashtme, shkruan gazeta online
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar fjalimin e ashpër të presidentes Osmani, javën e kaluar në Kuvend, ku ajo tha se “luajtja bizhoz me aleancat dëmton Republikën”.
Kurti i pyetur për këtë deklaratë tha se ka qenë vazhdimisht në koordinim e bashkërendim me presidenten Osmani sa i përket politikës së jashtme, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Unë këtu jam për këto tri inaugurime dhe besoni që ajo ka qenë një javë kur ne e votuam buxhetin e r Kosovës, që është e arritura më e madhe besoj për shtetin tonë. Buxheti për vitin 2025 do të jetë 50 për qind më i lartë se në vitin 2021, siç e kemi gjetur asokohe. Pra nga 2.4 miliardë në 3.6 miliardë. Unë vazhdimisht kam qenë në komunikim e bashkërendim edhe me presidenten Osmani, edhe me kryeparlamentarin Konjufca, edhe Ministren Gërvalla, sa i përket politikës së jashtme”, tha Kurti.
Ai deklaroi se të arriturat i kanë “të përbashkëta”, derisa doli menjëherë tek gjendja në veri, duke potencuar se “se situata e sigurisë atje nuk ka qenë kurrë më e mirë sesa tani”.
“Besoj që të arriturat i kemi të përbashkëta edhe kësisoj duhet të vazhdojmë. Të gjitha vështirësitë, sfidat, nuk ka të tilla që nuk i tejkalojmë dhe besoj që kurrë nuk ka qenë gjendja në veriun e Kosovës më e mirë dhe më e sigurt se deri tani. Keqbërës, ndonjë element terrorist nuk është që nuk ka, mirëpo strukturat paralele grupet kriminale që kanë qenë atje, ose kanë ikur në Serbi, ose janë në ndonjë burg në Kosovë ose strehohen diku jashtë rajonit tonë. Me fjalë të tjera nuk kemi burime të brendshme të destabilitetit potencial apo të kërcënimit të sigurisë të cilët nuk i menaxhojmë e nuk ia dalim në ballafaqim me ta”, tha Kurti para mediave.
“Bixhoz me aleancat”, e kishte interpretuar presidentja e vendit, Vjosa Osmani tensionimin e marrëdhënieve ne partnerët strategjikë të Kosovës, në fjalimin e saj vjetor javën e kaluar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Ajo ka thënë se vënia në rrezik e tyre apo luajtja bixhoz me to e cënon vetëm mbrojtjen e republikës.
Osmani kishte thënë se dobësimi i aleancave dhe partneriteteve është një gabim strategjik, dhe se asnjëherë nuk i kishte kuptuar talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e emrit të tyre për pushtet.
“Forca jonë më e madhe qëndron në aleancat tona, partneriteti dhe aleancat mes shteteve janë më të mëdha sesa cilido prej nesh si politikan. Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre apo luajtja bixhoz me to e cenon vetëm mbrojtjen e Republikës. Asnjëherë nuk i kam kuptuar as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e emrit të tyre për pushtet. As njëra, as tjetra nuk i bën nder Kosovës”, kishte thënë javën e kaluar Osmani në fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Republikës së Kosovës.