Kurti dhe Sveçla takojnë shefin e EULEX-it, diskutohet edhe për dezinformimin dhe lajmet e rreme
Kryeministri Kosovës Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, e kanë pritur sot në takim shefin e Misionit Evropian për Sundim të Ligjit, Giovanni Pietro Barbano. Gjatë takimit me të parin e EULEX-ut, Kurti i vlerësoi marrëdhëniet me misionin evropian, si reagues i dytë i sigurisë në vend e në këtë prizëm veçanërisht edhe […]
Kryeministri Kosovës Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, e kanë pritur sot në takim shefin e Misionit Evropian për Sundim të Ligjit, Giovanni Pietro Barbano.
Gjatë takimit me të parin e EULEX-ut, Kurti i vlerësoi marrëdhëniet me misionin evropian, si reagues i dytë i sigurisë në vend e në këtë prizëm veçanërisht edhe atë në raport me bashkëpunimin me Policinë e Kosovës.
I pari i ekzekutivit theksoi dhe gatishmërinë e vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në fushat si ajo e forenzikës përmes Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës.
“U diskutua edhe çështja e lajmeve të rreme dhe dezinformimit e cila u konsiderua si tejet shqetësuese”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Më tej, u nënvizua se incidentet ndëretnike janë gjithnjë e në rënie të dukshme, në veçanti gjatë këtij mandati qeverisës.
Të dy palët mbeten të përkushtuara në gjithëpërfshirjen e të gjitha komuniteteve dhe harmonisë sa më të gjerë ndëretnike.
Kryeministri Kurti e falënderoi shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, për takimin duke shprehur rëndësinë e fuqizimit të bashkëpunimit.