Kurti në Tiranë: Është hera e fundit që flas për masat ndëshkuese të BE-së, të hiqen plotësisht

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij në progresin e Planit të Rritjes teksa foli për masat e BE-së të ndërmarra ndaj Kosovës përmendi edhe çështjen e pamundësisë për të formuar Qeverinë e re. “Unë besoj se është e rëndësishme të flasim hapur ndërsa jemi mbledhur për të vlerësuar progresin e

Nëntor 21, 2025 - 17:00
 0
Kurti në Tiranë: Është hera e fundit që flas për masat ndëshkuese të BE-së, të hiqen plotësisht
Kurti në Tiranë: Është hera e fundit që flas për masat ndëshkuese të BE-së, të hiqen plotësisht

Kurti në Tiranë: Është hera e fundit që flas për masat ndëshkuese të BE-së, të hiqen plotësisht

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij në progresin e Planit të Rritjes teksa foli për masat e BE-së të ndërmarra ndaj Kosovës përmendi edhe çështjen e pamundësisë për të formuar Qeverinë e re.

“Unë besoj se është e rëndësishme të flasim hapur ndërsa jemi mbledhur për të vlerësuar progresin e Planit të Rritjes. Ne ishim të parët që përmbushëm Agjendën e Reformave dhe disi, tani jemi prapa në zbatimin e saj. Dhe unë e kam mirëpritur kritikën. Ne duhet të jemi në ballë të këtyre reformave. Por ne jemi prapa jo nga zgjedhja, por nga rrethanat. Vonesat në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të shkurtit të këtij viti shkaktuan pengesa, megjithatë ky ishte një ushtrim i demokracisë, ku deputetët shprehën vullnetin e tyre të lirë, ku procedurat u respektuan dhe mosmarrëveshjet u zgjidhën në gjykatë. Tani po shkojmë drejt zgjedhjeve të treta brenda një viti, të cilat, siç kanë treguar dy të mëparshmet, do të jenë të lira, të ndershme dhe konkurruese, duke treguar qëndrueshmërinë e demokracisë sonë dhe fuqinë e institucioneve tona. Jam i bindur se këto zgjedhje do të rezultojnë në një qeveri të re që do të ecë shpejt në zbatimin e Agjendës së Reformave të Planit të Rritjes”, ka thënë Kurti mes të tjerash.

Ai ka uruar Shqipërinë në avancimin drejt Bashkimit Evropian.

“Dua të filloj duke uruar Shqipërinë në avancimin e saj drejt Bashkimit Evropian me hapjen e kapitullit të fundit, duke shënuar hapjen e secilit prej 33 kapitujve. Kjo është një arritje e rëndësishme. Prej takimit tonë të fundit në Maqedoninë e Veriut këtë vit, u mbajt Samiti i Procesit të Berlinit në Londër, ku dhamë mbështetjen për të arriturat e reja dhe miratuam Agjendën e Gjelbër të rishikuar për Ballkanin Perëndimor. Muajin e kaluar organizata Ëorld Justice Project publikoi indeksin mbi sundimin e ligjit, e cila e renditi Kosovën të tretën mes 15 shteteve të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, dhe të dytën mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor sa i përket përmirësimit në sundim të ligjit. Renditemi si vendi më i sigurtë në rajon, me kriminalitetin më të ulët dhe progresin më të madh në luftimin e korrupsionit. E kemi shënuar rritjen ekonomike më të fuqishme dhe pas takimit tonë në korrik në Maqedoni të Veriut, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e hoqën Kosovën nga lista e shteteve fragjile dhe të ndikuara nga konfliktet. Ky progres i verifikuar ndërkombëtarisht dhe i bazuar në dëshmi është në kontrast të plotë me politikën e BE-së për masa ndëshkuese dhe mungesën e progresit në dhënien e statusit të merituar të vendit kandidat për Kosovën”, ak thënë ai.

Kurti ka theksuar se masat e vendosura ndaj Kosovës duhet të hiqen, ashtu sic pati kërkuar ish-Përfaqësuesi i Lartë dhe ish-Zëvendëspresidenti i BE-së, Josep Borrell.

“Masat e BE-së të ndërmarra ndaj Republikës sonë demokratike në Ballkanin Perëndimor i bëjnë dëm linjëzimit tonë të plotë me Politikën e Përbashkët për Punë të Jashtme dhe Siguri të BE-së.Kjo është hera e fundit që do të adresoj masat ndëshkuese të BE-së. Ato duhet të hiqen plotësisht dhe tërësisht, ashtu siç kërkoi vitin e kaluar ish-Përfaqësuesi i Lartë dhe ish-Zëvendëspresidenti i BE-së, Josep Borrell. Gjithashtu, asnjë vend në rajonin tonë nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e kërkimit të statusit të vendit kandidat sesa Kosova sot. Të flitet për urgjencën e zgjerimit (të BE-së) në njërën anë, ndërkohë që lihet aplikimi i Kosovës të mbledhë pluhur për tre vjet në një raft të BE-së, është, së paku, një paradoks”, tha ai.Më tej u tha se “Ne i mirëpresim nismat e reja. Gjithashtu e kuptojmë se përparimi ynë individual drejt bashkimit me Tregun Unik të BE-së është i lidhur ngushtë me përparimin tonë kolektiv në lëvizshmërinë dhe tregtinë rajonale, ose, siç do të thoshte Komisioni, Shtylla e Parë është e lidhur me Shtyllën e Dytë të Planit të Rritjes. Ne nuk shohim pengesa në Udhërrëfyesin e Roaming-ut. Në samitin e fundit në Shkup, identifikuam tre sektorë për “nearshore” si pjesë e nismës së Autostradës së Tregut Unik: 1) Teknologjinë Informative dhe të Komunikimit, 2) Mbrojtjen 3) Agrikulturën. Transformimi ekonomik i Inteligjencës Artificiale ka filluar dhe ne duhet të sigurohemi që është gjithëpërfshirës, etik dhe demokratik. Ne kryesojmë në digjitalizim dhe kemi mbulim të lartë të rrjetit me brez të gjerë të internetit. Gjithashtu kemi çmimin më të ulët të energjisë elektrike në rajon. Këto elementë: lidhshmëria, përballueshmëria dhe gatishmëria digjitale – formojnë infrastrukturën e së ardhmes, duke na bërë një qendër të fuqishme potenciale për Fabrikat e Inteligjencës Artificiale të Bashkimit Evropian”.
Duke u shpreh i bindur që do të ketë edhe një mandat qeverisës, Kurti premtoi se do të ndajnë të paktën një miliard euro në vit në investime kapitale për projekte strategjike.