Kurti: Përkushtimi i Qeverisë ndaj arkeologjisë mbetet i palëkundur
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se ka vizituar parakun arkeologjik Ulpiana, ku vitin e kaluar u zbulua një mbishkrim i veçantë, i Perandorit Justinian (527-565). Kurti ka thënë se pas zbulimit historik janë zgjeruar gërmimet në bazilikën e Justinianit duke shpërfaqur fragmente nga mozaiku i dekoruar me motive gjeometrike të shpendëve, me kupa […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se ka vizituar parakun arkeologjik Ulpiana, ku vitin e kaluar u zbulua një mbishkrim i veçantë, i Perandorit Justinian (527-565).
Kurti ka thënë se pas zbulimit historik janë zgjeruar gërmimet në bazilikën e Justinianit duke shpërfaqur fragmente nga mozaiku i dekoruar me motive gjeometrike të shpendëve, me kupa e shatërvanë.
“Mozaik i punuar nga gurë vendor, që karakterizohet me një arritje të lartë artistike, e ku veçohen më shumë se katër nuanca. Vepra artistike këto të punuara nga njerëz të cilët kanë jetuar në kohën e sundimit të Justinianit. Dëshmi të tilla ndriçojnë të kaluarën e pasur e të lashtë të vendit tonë. E kjo pasuri, paraqet njëkohësisht një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim të turizmit, duke e shndërruar Ulpianën në destinacion tejet interesant për vizitorë vendor e të huaj”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se për të siguruar kushte për ruajtje e prezantim të lokalitetit, është miratuar Plani i Menaxhimit dhe është bërë thirrja për zbatim të këtij plani, përmes së cilit synohet funksionalizimi e interpretimin dinjitoz të këtij thesari të trashëgimisë sonë kulturore.
“Pjesë e ekipit të arkeologëve, sot ishin edhe shumë studentë të nivelit Bachelor, Master e Doktoratë, ku një numër prej tyre janë mbështetur nga qeveria nëpërmjet bursave të studimit. Arkeologët e arkeologet e reja paraqesin gjeneratën pasuese të cilët do të vazhdojnë me hulumtimin në Ulpianë e lokalitete tjera arkeologjike në vendin tonë. Përkushtimi i Qeverisë ndaj arkeologjisë mbetet i palëkundur, duke e përfshirë atë në prioritetet programore e duke ofruar mbështetje institucionale, profesionale e financiare”, ka shkruar Kurti.