Kurti: Shqipja nuk ka qenë e as është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut që të jetë e kërcënuar

Në Maqedoninë e Veriut nuk ka ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, dhe nuk ka pasur as në të kaluarën. Ekziston një ligj për përdorimin e gjuhëve që flasin të paktën 20 përqind e qytetarëve, por nuk është ligj për gjuhën shqipe, por ligj për përdorimin e gjuhëve. Këtë e tha sot kryeministri i Kosovës, […]

Nëntor 18, 2024 - 18:00
 0  5
Kurti: Shqipja nuk ka qenë e as është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut që të jetë e kërcënuar
Albin Kurti në mbledhjen e përbashkët ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Foto: Qeveri e RMV-së

Në Maqedoninë e Veriut nuk ka ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, dhe nuk ka pasur as në të kaluarën. Ekziston një ligj për përdorimin e gjuhëve që flasin të paktën 20 përqind e qytetarëve, por nuk është ligj për gjuhën shqipe, por ligj për përdorimin e gjuhëve. Këtë e tha sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për media pas seancës së përbashkët ndërqeveritare me qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Kosovës, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për mundësinë e rrezikimit të gjuhës shqipe në Maqedoni, diçka e përmendur nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), nga ku edhe presin nga qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë të mbrojnë gjuhën shqipe, transmeton Portalb.mk.

“Së pari me sa kam kuptuar unë, kjo është një çështje e Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, pasi që tre dispozitat të ligjit për përdorimin e gjuhëve, janë dërguar në Komisionin e Venecias dhe këto tre dispozita paradoksalisht nuk janë zbatuar në të kaluarën. Tash i përket Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut që ta vlerësoi. Por duhet ta sqarojmë një gjë: Nuk ka në Maqedoninë e Veriut ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, dhe nuk ka pasur as në të kaluarën. Ekziston ligji për përdorimin e gjuhëve që e përmend shifrën 20%, por ai nuk është ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, është ligj për përdorimin e gjuhëve. Kjo është e para. Në anën tjetër besoj që të gjithë duhet të presim për një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese i cili nuk bën as përjashtime as diskriminim dhe i cili e respekton shumë gjuhësin që ekziston në RMV ku nuk e flasin e gjithë popullsia të njëjtën gjuhë. Ju e dini që në Kosovë, ndonse shqiptarë janë rreth 93%, 4% i kemi serb, edhe serbishtja është gjuhë zyrtare. Por në Maqedoninë e Veriut nuk mund të thuhet që na paska qenë shqipja gjuhë zyrtare e tash po u rrezikoka”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ndryshe, në seancën ndërqeveritare në Prishtinë, kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se pret që bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve vitin e ardhshëm të arrijë në gjysmë miliardë euro.

“Vitin e ardhshëm bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliardë euro, duke përfshirë tregtinë mes dy vendeve tona. Në vitet e ardhshme do të punojmë drejt një bashkëpunimi edhe më të madh ekonomik, sepse do të na sjellë përfitime për të dyja vendet”, tha Mickoski.

Kryeministri thekson se në atë drejtim janë edhe nënshkrimi i marrëveshjeve të sotme në fushën e energjisë, kufirit dhe atë ekonomik.

“Do të jem i lumtur nëse për disa javë nga sot do të kemi një pikë kufitare, ku qytetarët do të ndalojnë në një vendkalim, jo ​​në dy. Në këtë mënyrë nuk do të ketë bllokime në kufi dhe do të përshpejtohet transferimi i qytetarëve”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti theksoi rëndësinë e fqinjësisë së mirë dhe zbatimin e plotë në praktikë të çdo marrëveshjeje që do të nënshkruhet.

“Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut nuk kanë asnjë mosmarrëveshje. Kemi komunikim të hapur dhe bashkëpunim të gjerë. Ne jemi fqinjë, miq dhe partnerë të lidhur jo vetëm përmes tregtisë, por edhe përmes lidhjeve mes familjeve tona dhe bizneseve që po forcohen gjithnjë e më shumë”, thekson Kurti.

Ai tha se ky takim vjen me rastin të 15 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Ai shtoi se deri më tani janë nënshkruar mbi 50 marrëveshje dhe memorandume, duke theksuar zbatimin e plotë dhe të saktë të tyre.

“Sot do ta avancojmë këtë progres duke nënshkruar dy memorandume dhe një protokoll në fusha të rëndësishme si energjia, arsimi dhe lehtësimi i lëvizjes së lirë”, theksoi Kurti.

Ndryshe, Miskoski në Prishtinë u prit nga homologu i tij Albin Kurti me nderimet më të larta shtetërore.

Pas përfundimit të së seancës u nënshkruan protokolle dhe memorandume bashkëpunimi në tre fusha.

E para është memorandum për energjetikën, minierat dhe burimet minerale, ku përcaktohen nismat për bashkëpunim në fushën e energjetikës, gazit, qymyrit, energjisë elektrike dhe projekteve të rëndësishme infrastrukturore për interkoneksionin e gazit dhe nisma të tjera projektesh, si dhe nisja e bashkëpunimit për të shqyrtuar mundësinë e zhvillimit të një lidhjeje të re direkte të gazit midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

E dyta është informacion mbi nënshkrimin e Protokollit ndërmjet Qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës për zbatimin e Marrëveshjes për pikëkalimet kufitare të përbashkëta “Bllacë – Hani i Elezit” dhe “Jazhincë – Glloboqicë”. Ky protokoll rregullon mënyrën e kontrolleve dhe inspektimeve doganore, infrastrukturën e pikave të përbashkëta kufitare, ndërlidhjen reciproke të sistemeve të menaxhimit kufitar dhe mënyrën e mirëmbajtjes së objekteve.

Dokumenti i tretë, që u nënshkruua, është një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës.

“Palët pajtohen të punojnë së bashku për përmirësimin e cilësisë në arsimin profesional dhe trajnimet si dhe në arsimin për të rritur në të dyja vendet, duke pasur parasysh dispozitat ligjore të të dy vendeve që rregullojnë punën e tyre. Me anë të memorandumit, palët pajtohen për shkëmbimin e përvojave në arsimin profesional dhe trajnim, përfshirë shkëmbimin e informacionit mbi mënyrën e funksionimit të qendrave rajonale për arsimin dhe trajnimin profesional”, thuhej në njoftimin e Qeverisë së RMV-së.

Ministri për Çështje Evropiane në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezanimë 30 tetor kishte paralajmëruar takimin ndërmjet dy qeverive dhe kryeministrit Hristijan Mickoski dhe Albin Kurti.

Ndryshe, në takimin bilateral ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoskimë 5 gusht ndër të tjera u diskutua edhe për organizmin e seancës së përbashkët qeveritare deri në fund të vitit 2024. Paraprakisht, në vitin 2022 dhe 2023 ishte planifikuar organizmi i seancës së dytë të përbashkët ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, por nuk ishte realizuar.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë filluar disa projekte që prekin interesat e të dy vendeve, si rruga Shkup – Bllacë, Prizren – Tetovë dhe pika e përbashkët kufitare “One Stop Shop”, si një zgjidhje për tejkalimin e kolonave të gjata në kalimet Në lidhje me projektin e fundit, në muajin qershor filloi punën edhe Komiteti i Përbashkët i Ekspertëve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”.