Kurti s’paraqitet në Prokurorinë Speciale për rastin e rezervave shtetërore, ndodhet jashtë vendit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur më 16 dhjetor në Prokurorinë Speciale, megjithë ftesën që i ishte bërë javën e kaluar për të dëshmuar sot në orën 9:30 lidhur me rastin e rezervave shtetërore. Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, ka thënë se nga Kryeministria janë njoftuar se Kurti është në udhëtim jashtë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur më 16 dhjetor në Prokurorinë Speciale, megjithë ftesën që i ishte bërë javën e kaluar për të dëshmuar sot në orën 9:30 lidhur me rastin e rezervave shtetërore.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, ka thënë se nga Kryeministria janë njoftuar se Kurti është në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet.
Një ditë më herët, Kurti kishte publikuar në rrjete sociale fotografi nga vizita e tij në Slloveni.
Katër ditë më parë, burime të Radios Evropa e Lirë në Prokurorinë Speciale e kishin konfirmuar se Kurti është ftuar lidhur me rastin e rezervave shtetërore, në të cilin është e implikuar edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari.
Në gusht të vitit të kaluar, disa persona ishin arresuar nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore. Në mesin e të arrestuarve kishte edhe punëonjës të MINT-it.
Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-incizimeve nga portali “Nacionale” në Kosovë, në të cilat pretendohej se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, si dhe rezervat e grurit, nuk kishin arritur kurrë.
Hajdari kishte thënë në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk kishte dhënë më shumë detaje.
Kurti i kishte dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.
Pas ftesës për intervistim në Prokurorinë Speciale, nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore, Hajdari ishte mbrojtur në heshtje në paraqitjen e saj para prokurorve.
Rezervat shtetërore përbëhen nga mielli, vaji, sheqeri, barnat, produktet higjienike, nafta etj., që mund të përdoren në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme – si pasojë e fatkeqësive natyrore apo luftërave – por edhe në rast të mungesës së këtyre artikujve në treg.
Ato i menaxhon Departamenti i Rezervave Shtetërore të Mallrave, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Kosova nisi mbledhjen e këtyre rezervave nga viti 2012. Ato sigurohen me buxhet të shtetit, por edhe nga mallrat që konfiskohen për shkak të veprave kundërvajtëse dhe kalojnë në pronësi të shtetit.
Se sa është sasia e këtyre rezervave nuk dihet, meqë ky informacion, me Ligjin për rezervat shtetërore, konsiderohet sekret shtetëror, ashtu si edhe vendndodhja e tyre.