Kurti takon sekretarin e shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pietro Parolin
Kryeministri Albin Kurti, gjatë ditë së tretë të qëndrimit në New York, takoi sekretarin e shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pietro Parolin. “Me themelimin e misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Vatikan, që shënon avancim të raporteve bilaterale, Republika e Kosovës dhe Selia e Shenjtë kanë treguar vullnetin për thellim të mëtejmë […]
Kryeministri Albin Kurti, gjatë ditë së tretë të qëndrimit në New York, takoi sekretarin e shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pietro Parolin.
“Me themelimin e misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Vatikan, që shënon avancim të raporteve bilaterale, Republika e Kosovës dhe Selia e Shenjtë kanë treguar vullnetin për thellim të mëtejmë të marrëdhënieve”, shkruan në kumtesë.
“Takimi i sotëm në New York ishte mundësi shumë e mirë për të vijuar diskutimet mbi çështjet dhe fushat që bashkëpunimi i deritanishëm të fuqizohet edhe më tej”, thuhet tutje aty.
Në komunikatë gjithashtu u tha se Kurti e njoftoi sekretarin Parolin rreth mbështetjes dhe mbrojtjes institucionale që Kosova i ofron objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare
“Ai gjithashtu foli për përkushtimin e Republikës së Kosovës për respektimin e të drejtave dhe lirive fetare, dhe për politikat sociale dhe masat e punësimit të qeverisë. Kryeministri theksoi që Republika e Kosovës është vend i të gjithë qytetarëve të saj dhe që, në këtë drejtim, Qeveria punon në sigurimin e mundësive të barabarta për të gjithë drejt zhvillimit ekonomik të sigurt”.
“Duke e falënderuar për takimin dhe për mikpritjen që i ishte bërë atij në Selinë e Shenjtë në qershor të vitit të kaluar, kryeministri Kurti e ftoi sekretarin Parolin që sikurse Kosova, edhe Selia e Shenjtë të hap misionin e saj në Republikën e Kosovës”.