“Kush e ka radhën”, protestoi para parlamentit: Kërkojmë publikimin e dokumenteve të diskotekës “Puls”
Lëvizja qytetare “Kush e ka radhën” sot ka protestuar para Kuvendit, duke kërkuar drejtësi për viktimat e tragjedisë në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 59 persona dhe 196 u plagosën, shkruan Portalb.mk. Protestuesit, simbolikisht, sollën karrige dhe pankartë ku shkruante: “Parlamenti është në seancë, ju lutemi për zhurmë” – duke aluduar në vendimin […]


Lëvizja qytetare “Kush e ka radhën” sot ka protestuar para Kuvendit, duke kërkuar drejtësi për viktimat e tragjedisë në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 59 persona dhe 196 u plagosën, shkruan Portalb.mk.
Protestuesit, simbolikisht, sollën karrige dhe pankartë ku shkruante: “Parlamenti është në seancë, ju lutemi për zhurmë” – duke aluduar në vendimin e deputetëve për të mos mbajtur seancë pas aksidentit.
“Ne si qytetarë jemi të frustruar nga mosveprimi i Kuvendit. Jo vetëm këto dy javë, ai është vazhdimisht pasiv. Derisa deputetët janë me pushime, vendosëm të mblidhemi dhe të diskutojmë për problemet”, tha Borjan Eftimov nga Lëvizja.
Ai bëri një kërkesë publike pranë institucioneve që të publikojnë dokumentacionin e plotë për funksionimin e diskotekës “Puls”. Kjo kërkesë i drejtohet: Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Inspektoratit për Urbanizëm, Pushtetit Lokal në Koçan, Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Organit Konsultativ për Parandalim në Koçan.
“Ne po kërkojmë që dokumentacioni të publikohet për të parë nëse është kryer mbikëqyrje adekuate e funksionimit të diskos gjatë viteve,” shtoi Eftimov.
Përveç “Puls”, lëvizja bëri thirrje për transparencë edhe në raste të tjera, përfshirë tragjeditë me Besa Trans, Durmo Tours, Onkologjinë dhe spitalin modular.
Nga Lëvizja “Kush e ka radhën?” theksuan se kanë përgatitur kërkesa specifike për inspektoratet.
“Ne kërkojmë ngritjen e një shërbimi civil të quajtur “E-Inspektorati”, i cili do të mundësojë funksionimin transparent të të gjitha inspektorateve në vend. Me këtë, çdo qytetar do të mund të ketë pasqyrë se cilat objekte kanë qenë të vëzhguara dhe cilat jo. Ashtu siç ishim të detyruar më parë të kontrollonim kur ajri ishte i ndotur për të ditur se kur mund të dilnim jashtë, tani jemi në gjendje të kontrollojmë kur rrezikohet siguria jonë dhe cilat objekte e garantojnë atë” theksuan nga iniciativa.
Gjithashtu, Lëvizja propozoi vendosjen e një numri qendror telefonik për raportimin e parregullsive në punën e inspektorateve. Në këtë numër çdo qytetar do të mund të denoncojë parregullsitë, të cilat më pas do t’u përcillen institucioneve kompetente.
Zgjidhje urbane për qytetet, Nisma ka kërkesa edhe për problemet urbane dhe transportin publik.
“Kërkojmë nga autoritetet që të angazhohen për sigurimin e transportit publik funksional. Ne mbështesim ambicien e Hekurudhave të Maqedonisë për të prezantuar një tren urban, i cili do t’i japë transportit publik një dimension të ri. Ne propozojmë gjithashtu që zona të caktuara në qytete të caktohen ekskluzivisht për këmbësorët. Kjo tashmë praktikohet në pjesë të Lagjes së Dibranëve, ku disa rrugë janë të mbyllura për makina gjatë fundjavave.
Kërkesat për drejtësi dhe llogari
Borjan Eftimov foli për kërkesat që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe llogaridhënien, veçanërisht për rastin e zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan, si dhe për tragjedi të tjera në të cilat humbën jetën qytetarët.
“Për rastin e “Pulsit”, nisma ka dyshime serioze nëse institucionet kompetente do ta zbatojnë drejtësinë në nivelin e duhur. Prandaj, kërkojmë publikim transparent të gjithë dokumentacionit për funksionimin e diskotekës nga viti 2012 e deri më sot, nga të gjitha institucionet kompetente. Duhet të përcaktohet nëse ekzistojnë dokumente të tilla dhe nëse është bërë ndonjëherë ndonjë mbikëqyrje”, theksoi Eftimov.
Përveç rastit “Puls”, nisma kërkon transparencë edhe për tragjeditë që kanë të bëjnë me “Besa Trans”, “Durmo Tours”, onkologjinë dhe spitalin modular në Tetovë.
“Në këto tragjedi, ku sistemi dështoi, publiku mbeti i painformuar në tërësi, në mënyrë që të mbrojë disa individë ose grupe që kanë qeverisur shtetin për 33 vitet e fundit. Ne gjithashtu kërkojmë përgjegjësi nga sektori privat – kompanitë duhet të edukojnë anëtarët e tyre në mënyrë që ata të merren me krizat dhe të mbrojnë qytetarët. Odat ekonomike nuk mund të reagojnë vetëm kur kërkojnë ndihmë financiare nga shteti ose leje për t’i zgjeruar terrasat e tyre”, shtoi tutje Eftimov.
Ai u shpreh i zhgënjyer për mosaktivitetin e Kuvendit, duke theksuar se ai mbetet pasiv, edhe pse roli parësor i tij është të përfaqësojë qytetarët.
“Deputetët përderisa shkojnë në pushime të paguara me paratë tona, ne jemi këtu, pa shpenzime të udhëtimit dhe mëditje. Ne jemi sot këtu sepse nuk duam të heshtim. Kjo është thirrje për përgjegjësi, sepse të gjithë mund të jemi viktimat e radhës. Duhet të dëgjohet zëri, dhe institucionet të reagojnë”, tha Eftimov.
Në zjarrin e rënë në diskotekën “Pulse” më 16 mars 2025, jetën e humbën 59 persona, midis të cilëve 6 të mitur, u lënduan 196 persona të cilët trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka kishte shkelje të shumta: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.
- LEXO: Mjaft ishim ne, sistemi është i radhës: Protestë në Shkup për jetët e marra nga korrupsioni (Foto – Video)
- LEXO: Që të mos “rrihen” për tragjedinë e Koçanit, do t’i heshtin pyetjet e deputetëve, Kuvendi dy javë në pauzë
- LEXO: Është zgjeruar në 11 ekipi i prokurorëve që hetojnë rastin në Koçan, do të merren në pyetje 300 dëshmitarë