Qeveria e RMV-së nesër do të vendosë për shkarkimin e Kocevskit

Në seancën e qeverisë nesër do të paraqitet propozimi për shkarkimin e kryeprokurorit Ljupço Kocevski. Dje, kryeministri Hristijan Mickoski, i pyetur për këtë temë, por edhe për interpelancat e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, përmendi se dy procese janë paralele, procedura ka filluar dhe nuk ka të ndalur, transmeton Portalb.mk. “Ministria e Drejtësisë është përgjegjëse për […]

shkurt 24, 2025 - 12:00
 0  4
Qeveria e RMV-së nesër do të vendosë për shkarkimin e Kocevskit
Prokurori i shtetit Lupço Kocevski, Foto: Printscreen nga video

Në seancën e qeverisë nesër do të paraqitet propozimi për shkarkimin e kryeprokurorit Ljupço Kocevski. Dje, kryeministri Hristijan Mickoski, i pyetur për këtë temë, por edhe për interpelancat e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, përmendi se dy procese janë paralele, procedura ka filluar dhe nuk ka të ndalur, transmeton Portalb.mk.

“Ministria e Drejtësisë është përgjegjëse për të paraqitur se si do të shkojë procedura. Do ta diskutojmë në seancën e qeverisë pasnesër. Procedura ka filluar, nuk ka ndalesë. Le të shkojmë hap pas hapi. Sapo zbrita, 15 minuta më parë. Le të më informojnë kolegët se çfarë ndodhi. Pason Këshilli Gjyqësor, ato dy procese janë paralele, nuk janë në konflikt me njëri-tjetrin”, theksoi kryeministri pas kthimit të tij nga SHBA.

Argumentet për shkarkimin nga Ministria e Drejtësisë do t’i shprehë në dokumentin që përgatisin dhe pasi ta miratojë Qeveria do t’i dërgohet për shqyrtim Këshillit të Prokurorëve Publikë. Si arsye për shkarkimin e prokurorit të shtetit renditen reputacioni dhe funksionaliteti i dëmtuar i prokurorisë, veprimet e kundërligjshme dhe korrupsioni, ndikimi dhe joefikasiteti.

Pretendohet se Kocevski qëllimisht dhe në mënyrë të pajustifikueshme ka bërë një gabim të madh profesional. Socialdemokratët kërkuan që politika të qëndrojë mënjanë dhe procesi të zhvillohet në përputhje me ligjet. Së fundmi prokurori Kocevski deklaroi se nëse vërtetohet se ka bërë shkelje disiplinore, ai vetë do të largohet nga pozita.

Mandati i prokurorit publik zgjat gjashtë vjet, ndërsa Kocevski në këtë pozitë është zgjedhur një vit më parë. Qeveria kërkon që Kocevskit t’i ndërpritet mandati para kohe, e arsyeja për këtë është, siç thonë nga atje, zhgënjimi për veprim jashtë kompetencave ligjore, duke theksuar se Kocevski në mënyrë të kundërligjshme e ka emëruar ushtruesen e detyrës së shefes së Prokurorisë së Lartë Publike në vend të të suspenduarit Mustafa Hajrlluhai.

Prokurori republikan Kocevski e mohon pretendimin se ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme, duke theksuar se ka zbatuar ligjin dhe afatet në të.

Kocevski u zgjodh në Kuvend si prokuror i ri publik i shtetit në shkurt të vitit 2024.

LEXO: Ministria e Drejtësisë njoftoi se ka ndërmarrë hapa konkrete për shkarkimin e prokurorit publik, Ljupço Kocevski