“Ky regjim është një Luçifer”, Berisha: Ka larguar të rinjtë nga vendi, kjo është katastrofë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi pasditen e sotme një takim me Lidhjen Demokratike të Gruas. Gjatë fjalës së tij, kreu i demokratëve nuk i ka kursyer akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e bërë përgjegjës për largimin e të rinjve nga vendi. “Zonjat dhe zonjushet demokrate, si në tërësi opozitarët, por këto më shumë […]
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi pasditen e sotme një takim me Lidhjen Demokratike të Gruas.
Gjatë fjalës së tij, kreu i demokratëve nuk i ka kursyer akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e bërë përgjegjës për largimin e të rinjve nga vendi.
“Zonjat dhe zonjushet demokrate, si në tërësi opozitarët, por këto më shumë se të gjithë të tjerët, kanë përjetuar një kalvar me regjimin e rilindjes.
Mund t’i japim shumë epitete këtij regjimi, por kam arritur në përfundimin se më shumë se çdo gjë tjetër i përshtatet ta quajmë Luçifer.
Me këtë term të marrë nga mitologjia, ku u instalua për të bërë ndryshim dhe krijoi një katastrofë me fuqitë shkatërrimtare, të paparë në ndonjë komb tjetër.
Dhe në këtë katastrofë, ato që e pësuan më rëndë dhe më shumë janë nënat shqiptare.
Janë vajzat dhe familjet shqiptare.
Sot në Shqipëri janë qindra e mijëra nëna që nuk i kanë në vatra fëmijët e tyre, por i kanë përcjellë në rrugët e dheut vetëm e vetëm për mbijetesë.
Sot në Shqipëri më shumë se në çdo vend tjetër, janë qindra mijëra gjyshe që jetojnë në vetminë më të thellë, sepse ata që mund të tregonin kujdesin më minimal, janë larguar nga Shqipëria dhe kanë marrë rrugët e dheut.
Sot në Shqipëri janë qindra mijëra nëna, motra që përballen me egërsinë më të madhe me një varfëri të frikshme, e cila iu imponon atyre të numërojnë kafshatët, iu imponon atyre të mos mjekohen se ilaçet nuk mund t’i blejnë, iu imponon atyre të zhyten gjithnjë e më shumë në vetmi. Të pranojnë në njëfarë mënyrë fatin e tyre jo të mirë.
Pse e thashë atë Luçifer unë? Nuk e thashë për të bërë një krahasim të pakrahasueshëm. Por të marrim pak këtë qeveri. Kur Edi Rama krijoi kabinetin me një prezencë të fuqishme grash dhe vajza, unë e përshëndeta me sinqeritet të plotë, pavarësisht se ai ishte një kundërshtar dhe ato ishin kundërshtare.
Por kur shoh dramën në të cilën përjeton sot nëna, motra, vajza shqiptare, dhe faktin që këto zonja të pushtetit nuk shqipërojnë një herë të vetme, qoftë dhe problemin më të vogël që kanë nënat dhe motrat shqiptare, nuk arrijnë të gjejnë forcën minimale morale për t’i dërguar një telegram ngushëllimi nënës së Martin Canit që u vra në gjirin e shkollës, por që meqenëse u vra në shkollë, ai për Edi Ramën është armik, sepse për të nuk kushton jeta e njeriut, por kushton akuza që i bëhet shkollës.
Pra, në këtë aspekt kjo është një metamorfozë e frikshme, një metamorfozë njerëzore që as në romanet e Kafkës apo të Oruellit nuk e gjen dot.”-tha Berisha.