Lady Gaga rikthen pasionin për muzikën me albumin e ri “Mayhem”

Lady Gaga ka rilidhur shpirtin e saj me muzikën përmes albumit të ri, “Mayhem”, i cili do të publikohet sot. Në një intervistë për Associated Press, ajo ka rrëfyar se si e bëri një hap pas nga karriera dhe u përqendrua te jeta e saj personale, duke gjetur përsëri lidhjen me artin e saj. Kthimi […]

Mars 7, 2025 - 17:00
 0  6
Lady Gaga rikthen pasionin për muzikën me albumin e ri “Mayhem”

Lady Gaga ka rilidhur shpirtin e saj me muzikën përmes albumit të ri, “Mayhem”, i cili do të publikohet sot.
Në një intervistë për Associated Press, ajo ka rrëfyar se si e bëri një hap pas nga karriera dhe u përqendrua te jeta e saj personale, duke gjetur përsëri lidhjen me artin e saj.

Kthimi te rrënjët e saj muzikore

Pas një periudhe introspektive, Gaga është rikthyer te muzika “dark pop” që e bëri të famshme. Albumi i saj i ri përfshin 14 këngë dhe është një rikthim i fuqishëm pas “Harlequin”, albumit të saj me frymëzim nga muzika jazz për filmin “Joker: Folie à Deux”, i cili arriti vetëm vendin e 20-të në toplistën e “Billboard 200”.

Megjithatë, “Mayhem” është pritur shumë më mirë. Kënga “Disease”, si dhe bashkëpunimi me këngëtarin Bruno Mars në këngën “Die With a Smile”, kanë kryesuar toplistën e Billboardit “Hot 100” për pesë javë dhe kanë fituar një çmim “Grammy” për performancën më të mirë në grup ose duo pop.

Artiste që merr kontrollin mbi suksesin e saj

Në vitet e para të karrierës, kritikat shpesh e kanë portretizuar Lady Gagan si një produkt të industrisë, duke minimizuar rolin e saj si krijuese. Këtë herë, ajo është e vendosur të tregojë se është arkitektja e suksesit të saj.

“Shumë shpesh, si një grua në muzikë, të thonë se suksesin tënd e krijuan të tjerët. Me këtë album, doja të vërtetoja se isha unë krijuesja e gjithçkaje”, ka thënë Gaga.

Largimi nga fama për të rigjetur veten

Gaga ka pranuar se fama erdhi me një kosto. Në kulmin e suksesit, ajo ka ndjerë se po humbiste veten në marrëdhënie toksike dhe një ambient që favorizonte konkurrencën mbi kreativitetin.

“Unë e humba atë që do t’i mësoja fëmijës tim: të ulet vetëm dhe të shkruajë një poezi. Kam rigjetur pasionin tim duke u rikthyer te jeta e thjeshtë, e përqendruar te muzika dhe njerëzit që dua”, ka thënë ajo.

Një muaj i ngjeshur para syve të publikut

Pavarësisht se u tërhoq nga jeta publike për pak kohë, Gaga po kthehet me performanca madhështore. Ajo këndoi me Bruno Marsin në spektaklin e ndarjes së çmimeve “Grammy”, interpretoi një këngë për nderim ndaj viktimave të zjarreve në Kaliforni, dhe ka bërë një performancë befasi në spektkalin ”Super Bowl”.

Në muajt e ardhshëm, ajo do të jetë një nga yjet kryesorë të festivalit “Coachella” dhe do të mbajë një koncert falas në plazhin Copacabana në Rio de Janeiro.

Gaga në “Saturday Night Live”

Si pjesë e rikthimit të saj, Gaga do të jetë njëkohësisht prezantuese dhe e ftuara muzikore në “Saturday Night Live këtë fundjavë”.

“Do të jetë një punë e vështirë, por unë ja gati”, ka thënë ajo.

Për të siguruar një performancë të suksesshme, ajo po kalon kohë me kastin e “SNL” për të ndërtuar një bashkëpunim të mirë.

“Sa më shumë të lidhem me ta, aq më e mirë do të jetë shfaqja”, ka thënë Gaga.

Duke u fokusuar te muzika dhe krijimtaria e saj, Lady Gaga është kthyer në atë që ajo beson se ka qenë gjithmonë, “një artiste e vërtetë që nuk ka nevojë të luajë një rol, por thjesht të bëjë muzikë”.