Levica ngriti kallëzim penal kundër Gashit për shkak të bllokimit të ligjit për “Branitellat”, LSDM nuk heq dorë nga zgjidhja ligjore

Levica opozitare bëri të ditur se kundër kryeparlamentarit Afrim Gashi ka bërë kallëzim penal për shkak se ka vepruar në kundërshtim me Rregulloren dhe nuk ka thirrur seancë të komisionit për ligjin për “Branitellat”, pasi kryetarja e komisionit amë parlamentar nuk e ka bërë këtë brenda afatit të përcaktuar, transmeton Portalb.mk. Me këtë veprim, siç […]

tetor 22, 2024 - 19:01
 0  4
Levica ngriti kallëzim penal kundër Gashit për shkak të bllokimit të ligjit për “Branitellat”, LSDM nuk heq dorë nga zgjidhja ligjore
Afrim Gashi, kryetar i Alternativës. Foto: Profili i tij zyrtar në Facebook

Levica opozitare bëri të ditur se kundër kryeparlamentarit Afrim Gashi ka bërë kallëzim penal për shkak se ka vepruar në kundërshtim me Rregulloren dhe nuk ka thirrur seancë të komisionit për ligjin për “Branitellat”, pasi kryetarja e komisionit amë parlamentar nuk e ka bërë këtë brenda afatit të përcaktuar, transmeton Portalb.mk.

Me këtë veprim, siç tha deputeti i së Majtës, Sashko Jançev, kryetari i Kuvendit ka vepruar nga pakujdesia në lidhje me kompetencat e tij dhe ka kryer vepër penale kundër detyrës zyrtare.

“Ligji për “Branitellat” ka ngecur në procedurë parlamentare pasi kryetarja e Komisionit amë ka vendosur që të mos mbahet seancë, pra ka vendosur ta bllokojë ligjin. Në një situatë të tillë, kur kryetari i Komisionit vendos të mos thërrasë seancë sipas një ligji të caktuar, është detyrë dhe kompetencë e kryetarit të Kuvendit të zhbllokojë procedurën ligjore. Sipas nenit 126 paragrafi 3 i Rregullores së Punës, Kryetari i Kuvendit është ai që duhet ta thërrasë Komisionin dhe të caktojë anëtarin që do ta udhëheqë seancën e atij Komisioni. Kryetari i Kuvendit një muaj më parë në një deklaratë për media tha se nuk ka ndërmend të zhbllokojë ligjin për mbrojtësit, se nuk ka ndërmend të thërrasë seancë dhe deri më sot një seancë e tillë nuk është thirrur”, tha deputeti nga radhët e Levicës, Sashko Jançev, në konferencën e sotme për media në Kuvend.

Në lidhje me ligjin për “Branitellat”, sot është deklaruar edhe LSDM-ja opozitare, e cila ishte propozuese e ligjit.

Nga aty kanë bërë të ditur se nuk do të heqin dorë nga ligji për “Branitellat” dhe kanë bërë të ditur se në ditët në vijim do të dalin me informacione konkrete për hapat që do të ndërmarrin në lidhje me këtë projektligj.

“Dje kemi pasur koordinimin e grupit parlamentar, kemi diskutuar hapat e ardhshëm për ligjin për “Branitellat”. Në ditët në vijim do të dalim publikisht me të gjitha ato që do të ndërmarrim në lidhje me këtë ligj. Nuk heqim dorë nga miratimi i ligjit”, tha deputetja Jovana Trençevska nga LSDM në një konferencë për media sot në Kuvend.

Ndryshe, Ligji për “branitellat” është një ligj i cili ka krijuar debate ndërmjet përfaqësuesve shqiptar dhe maqedonas në Qeverinë dhe Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, pasi të drejtat që i takojnë “branitellave” nuk i takojnë edhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Me këtë ligj përfshihen forcat e sigurisë nga viti 1991 deri në vitin 2024, ashtu që vlera e ndihmës pritet të jetë nga 1.2 milionë denarë për personat me 20 % invaliditet, deri 5 milionë denarë për personat me 100 % invaliditet ushtarak.