Levica propozoi uljen me 50 përqind të çmimit të pagesave rrugore

Grupi parlamentar i Levicës propozon ndryshime dhe plotësime në Ligjin për rrugët publike, me të cilat do të mundësohet zvogëlimi i tarifave rrugore për 50 përqind dhe rregullimi ligjor i shumës së tarifave dhe arkëtimi i tyre, tha deputeti Amar Mexhinoviq, transmeton Portalb.mk. -“Qytetarët e Maqedonisë prej vitesh paguajnë tarifa të larta, ndërsa rrugët mbeten […]

shkurt 24, 2025 - 18:00
 0  3
Levica propozoi uljen me 50 përqind të çmimit të pagesave rrugore
Pagesë rrugore, pikëpagesë rrugore. Foto: NP Rrugë shtetërore

Grupi parlamentar i Levicës propozon ndryshime dhe plotësime në Ligjin për rrugët publike, me të cilat do të mundësohet zvogëlimi i tarifave rrugore për 50 përqind dhe rregullimi ligjor i shumës së tarifave dhe arkëtimi i tyre, tha deputeti Amar Mexhinoviq, transmeton Portalb.mk.

-“Qytetarët e Maqedonisë prej vitesh paguajnë tarifa të larta, ndërsa rrugët mbeten në gjendje kaotike. Gropa, rrëshqitje dheu, seksione të papërfunduara dhe tenderë kriminalë. Vetëm në vitin 2023 shteti ka mbledhur 62 milionë euro nga taksat, me çka Maqedonia është ndër vendet me tarifat më të shtrenjta në rajon dhe në kontinent”, tha Mecinoviq.

Amendamenti i parë ka të bëjë me uljen e tarifave me 50 përqind, ndërsa i dyti është që masa e tarifave rrugore dhe arkëtimi i tyre të rregullohet me ligj.

“Me këtë ligj do të ulet përgjysmë shuma që paguajnë qytetarët për përdorimin e rrugëve, për të gjitha kategoritë e automjeteve. Amendamenti i dytë është që shuma e tarifave dhe arkëtimi i tyre për herë të parë do të rregullohet me ligj në vend të rregullores së qeverisë, sepse tani është rregulluar me rregullore qeveritare dhe jo me ligj”, tha ai.

Sipas Levicës, kjo do të sjellë transparencë në vendimmarrje lidhur me pagesat rrugore.

“Ky ligj duhet t’i dërgojë mesazh Qeverisë se legjislativi do t’i mbrojë qytetarët në lakmitë e tyre të paskrupullta. I bëjmë thirrje Kuvendit që menjëherë ta miratojë këtë ligj dhe i theksojmë publikut se nga pozicioni i vendimmarrjes, Levica do të vendoste një sistem vignetta për pagesat tona rrugore”, shtoi Mexhinoviq.

Kujtojmë që Portalb.mk ka raportuar edhe për ankesat e qytetarëve për çmimet e larta të pikë-pagesave rrugore.

Kujtojmë se Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore e mbylli vitin 2024 me të ardhura të realizuara mbi 66.5 milionë euro në bazë të mbledhjes së pagesave rrugore.