LSDM: Ku janë miliardat e Mickoskit për të luftuar ndotjen e ajrit?
Shkupi vazhdon të jetë ndër qytetet më të ndotura në botë, qytetarët thithin ajër të ndotur edhe në qytete të tjera. Edhe pse VMRO-DPMNE premtoi luftë aktive kundër ndotjes së ajrit, qytetarët shohin se as kryetarët e kësaj partie dhe as pushteti qendror nuk po marrin asgjë. Në opozitë, Hristijan Mickoski premtoi 1 miliard euro […]
Shkupi vazhdon të jetë ndër qytetet më të ndotura në botë, qytetarët thithin ajër të ndotur edhe në qytete të tjera. Edhe pse VMRO-DPMNE premtoi luftë aktive kundër ndotjes së ajrit, qytetarët shohin se as kryetarët e kësaj partie dhe as pushteti qendror nuk po marrin asgjë. Në opozitë, Hristijan Mickoski premtoi 1 miliard euro investime për mbrojtjen e mjedisit dhe uljen e ndotjes deri në 50%. Erdhi në pushtet, u ul në karrige dhe Mickoski nuk bën asgjë, nuk ka investime, nuk ka masa kundër ndotjes, pretendojnë nga LSDM, transmeton Portalb.mk.
“Gjatë mandatit të LSDM-së në qytetin e Shkupit janë blerë 33 autobusë të rinj ekologjik me gaz, janë bërë 300.000 m2 me gjelbërim të ri dhe janë mbjellë mbi 20.000 drunj dhe fidane të reja, janë vendosur fasada energjetike dhe pastrues në 13 shkolla të mesme, u zëvendësuan kaldaja për ngrohjen e ndërtesave shtetërore dhe në shkolla, inverterët, u subvencionuan biçikletat, oxhaqet aktive u reduktuan me 8000, u mbyllën të gjitha deponitë e egra në zonën urbane të qytetit. VMRO-DPMNE erdhi në pushtet dhe asgjë nuk po bëhet. Nuk ka autobusë të rinj, nuk ka transport ekologjik, nuk ka sipërfaqe të reja të gjelbëruara, parqe, pemë të mbjella. Deponitë nuk pastrohen, mbeturina ka në çdo hap, nuk shohim asnjë projekt mjedisor apo masa për uljen e ndotjes. Edhe projektet afatgjata për transport publik miqësor ndaj mjedisit, siç është projekti BTR me fonde plotësisht të siguruara, janë ndërprerë nga VMRO-DPMNE. Është shkatërruese që qeveria e VMRO-DPMNE nuk bën asgjë derisa qytetarët thithin ajër të ndotur”, thonë nga LSDM.
Kujtojmë se një hulumtim për cilësinë e ajrit në mjediset e mbyllura në Kumanovë, Gostivar, Strumicë, Kavadar dhe Strugë i realizuar në kuadër të projektit “Përballja me ndotjen e ajrit” të UNDP-së dhe Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor tregon se ndotja e ajrit në mjediset e mbyllura i tejkalon dy herë rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ndotja e ajrit në mjediset e klasave nëpër shkolla dhe kopshte është e lartë dhe shumë shpesh mbi kufijtë maksimalë të lejuar për përqendrimet e grimcave PM.