Maqedonia e Veriut nuk ka kapacitet të mbërrijë 5 përqind të buxhetit në mbrojtje, siç po diskutohet në NATO
Ideja e promovuar nga SHBA-ja që shtetet anëtare të NATO-s të ndajnë së paku 5 përqind të BPV-së së tyre kombëtare për mbrojtjen është një qëllim shumë i vështirë për t’u arritur për Maqedoninë e Veriut, tha ministri i Mbrojtjes Vlado Misajllovski në një intervistë për edicionin e revistës “360 Gradë“, transmeton Portalb.mk. Misajllovski nuk […]


Ideja e promovuar nga SHBA-ja që shtetet anëtare të NATO-s të ndajnë së paku 5 përqind të BPV-së së tyre kombëtare për mbrojtjen është një qëllim shumë i vështirë për t’u arritur për Maqedoninë e Veriut, tha ministri i Mbrojtjes Vlado Misajllovski në një intervistë për edicionin e revistës “360 Gradë“, transmeton Portalb.mk.
Misajllovski nuk përjashton që me politika dhe kursime të mira, vendi do të mund të rrisë buxhetin e mbrojtjes, i cili tani është rreth 2 përqind e BPV-së dhe, siç thotë ministri, kjo është një shumë serioze që po ndahet.
“Për të arritur në pesë përqind, duhet të rrisim gradualisht zërin tonë, pra përqindjen e buxhetit nga BPV-ja. Shpresoj se do të bëjmë politika të mira, se do të kemi kursime ku mund të rrisim më tej buxhetin për modernizim, sepse ka një përqindje të atij buxheti që duhet të dedikohet”, theksoi ministri.
Sipas ministrit, nuk mjafton vetëm të bëjmë dhe të paraqesim në mënyrë fiktive se e kemi atë buxhet, por duhet të përdoret si duhet për modernizimin e Ushtrisë.
“Ne mund të marrim çdo përgjegjësi këtu në NATO se do të blejmë pajisje shtesë, por duhet të shikojmë realitetin dhe të programojmë me kujdes të gjitha këto gjatë viteve të ardhshme për të treguar se po, ne vërtet po modernizojmë, por nuk do të gënjejmë, sepse nuk mund të thuash vetëm – po, do të arrijmë pesë përqind vitin e ardhshëm, kur gjithashtu do të kemi nevojë të ndërtojmë shkolla, spitale ose të ndihmojmë secilin sektor në vend”, tha Misajllovski.
RMV, buxheti në vitin 2025 është minimalisht 2% i BPV-së
Në dhjetor të vitit të kaluar (2024), ministria e Mbrojtjes për Portalb.mk, thanë se buxheti për vitin 2025 do të arrijë në minimalisht 2% të BPV-së për mbrojtje.
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut, prej se është bërë anëtare e NATO-s, vazhdimisht ka shënuar rritje në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes. Portalb.mk, pyeti në ministrinë e Mbrojtjes për diskutimin e mundshëm të rritjes së BPV-së për vendet e NATO-s, të cilën e përmendi Rutte, por nuk morëm ndonjë koment, ndërsa sa i përket buxhetit, ata njoftuan se do të ketë rritje për 322.360.000 denarë se viti paraprak.
“Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut për vitin 2025, i cili aktualisht është në procedurë parlamentare, pritet të jetë 20.450.820.000 denarë. Krahasuar me buxhetin e miratuar për vitin 2024, i njëjti pritet të rritet për 322.360.000 denarë që tregon se buxheti këtë vit pritet të arrijë në minimalisht 2% të PBB-së për Ministrinë e Mbrojtjes. Buxheti i mbrojtjes është në përputhje me vendimin e samitit të NATO-s në Uells në vitin 2014, i cili u konfirmua në samitin e NATO-s në Uashington këtë vit”, thanë nga ministria e Mbrojtjes për Portalb.mk.
Më 27 Mars 2020,vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.