Maqedonia investon miliona për studime jashtë vendit, por ka evidencë vetëm për 100 të kthyer
Mbi 450 bursa shtetërore janë ndarë për studime në universitetet më prestigjioze në botë, por autoritetet kanë evidencë të qartë vetëm për rreth 100 studentë që janë kthyer dhe janë punësuar në Maqedoninë e Veriut. Pjesa tjetër mbetet jashtë radarit institucional, ndërsa Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ende nuk ka një pasqyrë të plotë […]
Mbi 450 bursa shtetërore janë ndarë për studime në universitetet më prestigjioze në botë, por autoritetet kanë evidencë të qartë vetëm për rreth 100 studentë që janë kthyer dhe janë punësuar në Maqedoninë e Veriut. Pjesa tjetër mbetet jashtë radarit institucional, ndërsa Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ende nuk ka një pasqyrë të plotë për efektet e këtij programi milionësh, raporton Portalb.mk.
Të dhënat e fundit të siguruara nga MASh tregojnë se janë ndarë 252 bursa në ciklin e parë (179 të përfunduara), 200 në ciklin e dytë (152 të përfunduara) dhe 7 në ciklin e tretë. Por, kur bëhet fjalë për rezultatin final, kthimin dhe punësimin e bursistëve, shifrat bëhen të paqarta.
Sipas Ministrisë, “rreth 100 studentë janë kthyer dhe janë punësuar”, por kjo shifër nuk bazohet në një sistem të mirëfilltë monitorimi, por në komunikim të drejtpërdrejtë me studentët.
“Deri më tani, janë dhënë 252 bursa për ciklin e parë, nga të cilat 179 janë përfunduar, 200 për ciklin e dytë, nga të cilat 152 janë përfunduar, 7 për ciklin e tretë janë dhënë dhe përfunduar. Sipas të dhënave tona, të marra duke kontaktuar studentët, 100 studentë janë kthyer dhe janë punësuar në Maqedoni. Po bëjmë përpjekje që të kthejmë një numër edhe më të madh studentësh që do të ndihmojnë në zhvillimin e vendit”, thuhet në përgjigjen e MASH-it.
Kjo nënkupton se për një pjesë të madhe të bursistëve, shteti nuk ka informacion të saktë nëse janë kthyer, ku punojnë, apo nëse i kanë përmbushur detyrimet kontraktuale.
Regjistri digjital, premtim që ende nuk funksionon
Edhe pse vitin e kaluar MASh paralajmëroi krijimin e një regjistri digjital për të ndjekur bursistët dhe për t’i lidhur me tregun e punës, ky mekanizëm ende nuk jep rezultate konkrete.
Sipas përgjigjes, regjistri është i detyrueshëm vetëm për bursistët e rinj që kanë filluar studimet në vitin akademik 2025/2026 dhe ata do të regjistrohen vetëm pasi të diplomojnë.
Kjo do të thotë se aktualisht nuk ekziston një bazë funksionale e të dhënave për shumicën e bursistëve ekzistues, ndërsa ndërmjetësimi për punësim përmes këtij sistemi mbetet vetëm në letër.
“Lidhur me regjistrin, ai është i detyrueshëm për bursistët e rinj, të cilët kanë filluar studimet në vitin akademik 2025/2026 dhe duhet të regjistrohen pas përfundimit të studimeve. Kështu që, është ende herët për ndërmjetësim në angazhimin në punë, si dhe për analizimin e efekteve të kushteve të reja kontraktuale”, pranojnë nga MASh. 
Detyrime në letër, pa zbatim në praktikë
Edhe pse bursistët kanë detyrim kontraktual që pas studimeve të kthehen dhe të punojnë në vend, madje dyfish më gjatë se periudha e studimit, zbatimi i këtyre obligimeve mbetet i paqartë.
Ata duhet të presin deri në gjashtë muaj për një punësim në institucionet shtetërore. Nëse nuk u ofrohet punë, mund të kalojnë në sektorin privat, por detyrimi formal për të punuar në vend mbetet.
“Përndryshe, çdo kandidat i përzgjedhur merr përsipër me kontratë që nëse merr bursën, për çdo vit të kaluar duke studiuar jashtë vendit do të punojë për dy vjet në Maqedoni. Pas përfundimit të studimeve dhe kthimit në vend, kandidati është i detyruar të jetë i disponueshëm për punësim në organet e administratës shtetërore, si dhe në institucionet shtetërore të arsimit të lartë dhe shkencore për gjashtë muaj, ku pozicioni i tij i punës do të jetë i përshtatshëm për llojin dhe nivelin e kualifikimeve të tij arsimore. Nëse brenda periudhës gjashtëmujore kandidatit nuk i ofrohet punësim i përshtatshëm në organet e administratës shtetërore, institucionet shtetërore të arsimit të lartë dhe shkencore, ai mund të kërkojë punësim në sektorin privat. Nëse brenda periudhës gjashtëmujore kandidatit nuk i ofrohet punësim i përshtatshëm në organet e administratës shtetërore, detyrimi i tij për të punuar në Maqedoni për çdo vit të kaluar duke studiuar jashtë vendit nuk pushon”, thuhet në përgjigjen e MASH-it.
Megjithatë, deri më tani, MASh konfirmon se nuk ka iniciuar asnjë procedurë për kthimin e mjeteve nga ata që nuk i kanë përmbushur obligimet.
Arsyeja? Kontratat e mëparshme kanë qenë praktikisht të pazbatueshme për shkak të penaliteteve tepër të larta.
“Deri më tani nuk janë iniciuar procedura për kthimin e fondeve. Marrëveshjet që janë lidhur në të kaluarën nuk kanë qenë të zbatueshme në praktikë, për shkak të shumës së madhe që kërkohej nga studentët nëse nuk e përmbushnin detyrimin. Prandaj, janë bërë disa ndryshime në kushte”, thonë nga ministria. 
Vetëm 10 raste konkrete angazhimi
Nga e gjithë skema, vetëm rreth 10 studentë janë angazhuar konkretisht në projekte shtetërore përmes iniciativës “Ura për në shtëpi”.
“Vitin e kaluar, rreth 10 studentë, përmes shoqatës “Ura për në shtëpi”, me të cilën Ministria e Arsimit dhe Shkencës nënshkroi memorandum bashkëpunimi, filluan përmbushjen e këtij detyrimi përmes angazhimit në projekte të institucioneve shtetërore”, thonë nga MASH.
Miliona euro pa kthim të qartë
Programi i bursave prej vitesh konsiderohet një nga investimet më të mëdha në arsim, me shuma që arrijnë deri në 40 mijë dollarë për student. Por, edhe pas më shumë se një dekade, shteti ende nuk mund të tregojë qartë se çfarë përfiton në këmbim.
Sa studentë janë kthyer realisht? Sa prej tyre punojnë në sektorë kyç? Dhe sa e kanë përmbushur detyrimin ndaj shtetit?
Për këto pyetje, edhe një vit pas ndryshimeve të reja, përgjigjet mungojnë.
Ndryshe një artikull i Prizmës i vitit 2024, tregoi se shteti nuk i shfrytëzon në mënyrë efikase të rinjtë, për shkollimin jashtë shtetit, të cilëve u ndan shuma serioze nga buxheti
Enti Shtetëror i Revizionit (EShR) në raport shënon se nuk ekziston një sistem efikas për monitorim se cilët nga bursistët i kanë përmbushur detyrimet e kontratave.
Në katër vitet e fundit, sipas raportit të EShR-së, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shpenzuar rreth 8,8 milionë euro për këta studentë.
Shuma maksimale e paguar nga MASH-i është 40.000 dollarë në vit për një bursist.
Forumi Arsimor Rinor (FAR) e shpjegon këtë më qartë në hulumtimin e tij “Potenciali i pashfrytëzuar studentor” të botuar në qershor të vitit 2024.
“Të rinjtë kur i përfundojnë studimet zakonisht kthejnë vetëm një të dhënë në formë vërtetimi për studimet e kryera. Pas kësaj rruga e karrierës së këtyre studentëve nuk ndiqet fare”, thotë Llucija Çukellovska, një nga autoret e hulumtimit.
Këtë e konfirmuan atëkohë edhe bursistët me të cilët kishte folur BIRN. Ata thonin se pas përfundimit të studimeve pothuajse nuk ka asnjë komunikim me MASH-in. Megjithatë, tani me ndryshimet e reja, kontakti është përmirësuar.
Pas kthimit, bursistët duhet të paraqiten në MASh dhe për herë të parë të regjistrohen në regjistër të posaçëm digjital (e-registar.mon.gov.mk), që u prezantua vitin e kaluar, në drejtim të gjetjes më të lehtë të një angazhimi të përshtatshëm pune. Nëse studentit nuk i ofrohet angazhim brenda gjashtë muajve nuk i përfundon obligimi për të punuar në shtet. 
Nëse studenti, brenda tre muajve pas diplomimit, punësohet në një kompani Fortune 500 jashtë vendit, atëherë ai mund të qëndrojë jashtë RMV-së maksimumi tre vjet, me qëllim që siç tha ministrja Vesna Janevska vitin e kaluar, duke fituar përvojë korporative ndërkombëtare, pas së cilës fillon obligimi i tij për të punuar në vendin e tij dyfish më shumë se gjatë kohës së studimit.
Regjistri përmban të dhëna për studentin, llojin e studimeve, periudhën e studimit, statusin e punësimit, kontakt të dhënat, etj, dhe të gjithë do të duhet të përditësojnë të dhënat e tyre të paktën një herë në vit nëse ka ndonjë ndryshim. Studenti mund të zgjedhë ta bëjë profilin e tij të dukshëm dhe kështu do të jetë më e lehtë të lidhet me studentët e tjerë, me institucionet shkencore dhe arsimore dhe me punëdhënësit.