Mbyllja e Gjirit të Hormuzit/ Kina: Jo ndikime negative në ekonominë botërore
Kina bëri thirrje për një përpjekje më të madhe ndërkombëtare për të ulur tensionet në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, me qëllim parandalimin e ndikimeve të mëtejshme negative në ekonominë botërore. Kjo vjen në një kohë kur brenda Iranit po rriten thirrjet për bllokimin e Gjirit të Hormuzit si hakmarrje ndaj sulmeve amerikane mbi objektet […]

Kina bëri thirrje për një përpjekje më të madhe ndërkombëtare për të ulur tensionet në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, me qëllim parandalimin e ndikimeve të mëtejshme negative në ekonominë botërore.
Kjo vjen në një kohë kur brenda Iranit po rriten thirrjet për bllokimin e Gjirit të Hormuzit si hakmarrje ndaj sulmeve amerikane mbi objektet bërthamore iraniane.
Duke u përgjigjur për mbështetjen e parlamentit iranian për mbylljen e kësaj rruge kyçe detare, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, theksoi se Gjiri Persik dhe ujërat përreth tij janë kanale jetike për tregtinë ndërkombëtare të mallrave dhe energjisë.
“Ruajtja e sigurisë dhe stabilitetit në rajon shërben interesave të përbashkëta të komunitetit ndërkombëtar”, tha Guo Jiakun në një konferencë të rregullt për media të hënën.
“Kina i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të intensifikojë përpjekjet për uljen e tensioneve dhe të parandalojë që trazirat rajonale të ndikojnë më tej në zhvillimin ekonomik global”, shtoi ai.
Gjiri i Hormuzit, që lidh Gjirin Persik me oqeanin e hapur, është një nga pikat më kritike të kalimit të naftës në botë. Sipas Administratës Amerikane të Informacionit për Energjinë (EIA), rreth 20 milionë fuçi naftë bruto në ditë, ose 20% e konsumit global, kaluan nëpër këtë ngushticë midis Iranit dhe Omanit gjatë vitit të kaluar.
Për Kinën, importuesin më të madh të naftës në botë dhe blerësin më të madh të naftës iraniane, Gjiri i Hormuzit ka një rëndësi edhe më të madhe. Sipas vlerësimeve të EIA-së, Kina importoi 5.4 milionë fuçi naftë bruto në ditë në tre muajt e parë të vitit 2025 përmes këtij kanali, që përbën rreth gjysmën e importeve të saj ditore të naftës gjatë këtij periudhe, sipas llogaritjeve të CNN bazuar në të dhënat doganore kineze.
Të dielën, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, bëri thirrje që Kina të bindë Iranin të mos bllokojë Gjirin e Hormuzit, duke theksuar rëndësinë e këtij kanali për tregtinë dhe stabilitetin global.
