Mesazhe nga PE-ja në Strazburg: RMV-ja duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese edhe nëse ka përshtatje në këtë proces

Maqedonia e Veriut duhet të kryejë obligimin që e ka marrë dhe të bëjë ndryshimet kushtetuese edhe nëse do të ketë ndryshime apo përshtatje në këtë proces. Ky është mesazhi kryesor të cilin e përcollën zyrtarë nga Parlamenti Evropian në Strazburg, shkruan Portalb.mk. Në një deklaratë për media, eurodeputeti Karlo Ruseleri cili është edhe kryetar […]

Nëntor 26, 2024 - 19:00
 0  6
Mesazhe nga PE-ja në Strazburg: RMV-ja duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese edhe nëse ka përshtatje në këtë proces
Zëvendës-kryeredaktori i Portalb.mk, Fisnik Xhelili në Parlamentin Evropian në Strazburg

Maqedonia e Veriut duhet të kryejë obligimin që e ka marrë dhe të bëjë ndryshimet kushtetuese edhe nëse do të ketë ndryshime apo përshtatje në këtë proces. Ky është mesazhi kryesor të cilin e përcollën zyrtarë nga Parlamenti Evropian në Strazburg, shkruan Portalb.mk.

Në një deklaratë për media, eurodeputeti Karlo Ruseleri cili është edhe kryetar i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Maqedonia e Veriut lidhur me çështjen e Bullgarisë theksoi se kjo është çështje dypalëshe që duhet të zgjidhet mes dy vendeve.

“BE-ja këtu dhe sipas disa përvojave që kemi pasur deri më tani, duke përfshirë qasjen e Kroacisë ndaj BE-së, mund të jetë ndihmëse, mund të jetë ndërmjetëse, mund të jetë lehtësuese, por është gjithashtu e qartë se me një dimensioni parlamentar mund të përpiqemi të ketë zbutje të marrëdhënieve të tilla”, tha Ruseler.

Karlo Ruseler kryetar i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Maqedonia e Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Karlo Ruseler kryetar i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Maqedonia e Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ai mes tjerash tha se periudhën në vijim, së bashku me një dimension të thelluar parlamentar, mund të kontribuojnë për Maqedoninë e Veriut, e cila ishte praktikisht në të njëjtin pozicion si Kroacia në 2005.

“Së bashku mund ta bëjmë Maqedoninë e Veriut gati sa më shpejt të jetë e mundur për anëtarësim në BE. Jemi të vetëdijshëm se ka pasur edhe disa çështje dypalëshe që ende po e prishin rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, por ne do të bëjmë gjithçka që mundemi me qëndrimet tona, diplomacinë parlamentare që të përpiqemi të thellojmë mirëkuptimin”, tha Ruserel.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut dhe të gjitha vendet e tjera nga Ballkani Perëndimor duhet të përdorin atë që u është dhënë, të gjitha mundësitë dhe potencialet që u hapen.

Shpresë për të ardhmen evropiane të RMV-së

Një grup gazetarësh nga RMV-ja këto ditë ndodhen në Strazburg të Francës ku po realizojnë takime me zyrtarë të BE-së, në kuadër të projektit “Përgatitja e gazetarëve për mbulim gjithëpërfshirës dhe të informuar të procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE”, të zbatuar nga UNOPS. Pjesëmarrës është edhe zëvendës-kryeredaktori i Portalb-it Fisnik Xhelili.

Nga takimet me diplomatë dhe zyrtarë të Parlamenti Evropian u theksua se ndryshimet kushtetuese mbeten kusht që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën për në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, burimet nga PE-ja japin pak shpresë se procesi eurointegrues i vendit mund të çbllokohet nga ngërçi dhe të arrihet ndonjë marrëveshje që Bullgaria të pranojë ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar.

“Vendi juaj duhet të ndryshojë kushtetutën, pavarësisht nëse do të ketë ndryshime apo përshtatje”, tha një zyrtar.

“Mund të ketë mundësi të ndryshohen disa hapa”, tha një zyrtar nga PE-ja.

Zyrtarët me të cilët biseduam na thanë se duhet të respektohen marrëveshjet e arritura dhe RMV-ja të bëjë ndryshimet kushtetuese.

Koalicioni qeveritar në RMV me qëndrime të ndryshme

Shpresat për ndryshimet kushtetuese deri në fund të këtij viti i ka shuar kryeministri Hristijan Mickoski. Ai ka thënë se nuk planifikohen ndryshimet kushtetuese të ndodhin deri në fund të vitit 2024.

Ndryshe nga kryeministri, partneri i tij në qeveri, njëri nga liderët e koalicionit VLEN dhe njëherit ministër i shëndetësisë Arben Taravari pret që deri në fund të vitit të ndodhin ndryshimet kushtetuese.

Pa ndryshime kushtetuese nuk ka BE

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.