Mexhiti dhe Limani biseduan për decentralizimin dhe projektet e komunave
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti dhe u.d. kryetari i komunës së Gostivarit, Valbon Limani sot biseduan se si Qeveria mund të ndihmojë në procesin e decentralizimit dhe realizimit të projekteve komunale. “Biseduam për projekte reale. Do të ndihmojmë të përfundojë projekti për kanalizimin fekal Blloku 21, që është shumë i rëndësishëm […]
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti dhe u.d. kryetari i komunës së Gostivarit, Valbon Limani sot biseduan se si Qeveria mund të ndihmojë në procesin e decentralizimit dhe realizimit të projekteve komunale.
“Biseduam për projekte reale. Do të ndihmojmë të përfundojë projekti për kanalizimin fekal Blloku 21, që është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Gostivarit. Gjithashtu, të vazhdojë projekti i rëndësishëm për fshatin Çegran, që është fshati më i madh në nivel të Republikës së Maqedonisë. Është një projekt për të cilin nevojiten 1,3 milionë euro, ku ne do të ndihmojmë, ndërsa fjalën kryesore e ka komuna”, informoi Mexhiti pas takimit në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Kjo Qeveri, shtoi ai, në këtë mandat do të ndajë miliarda euro për projektet kapitale në komuna, ku çdo komunë do të marrë sipas numrit të banorëve sipas metodologjisë së vendosur. Ministri tha se janë këtu për të ndihmuar edhe në përgatitjet dhe realizimin e projekteve dhe nismave në interes të qytetarëve.
“Biseduam edhe për procesin e decentralizimit si të përforcohet, si të zhvillohet, këtu është faza e ardhshme e decentralizimit fiskal që do t’i ndihmojë Maqedonisë të mos jetë e fundit në rajon si një vend i jo centralizuar. Biseduam edhe rreth bllok aksioneve për arsimin dhe gjëra të tjera, ku pagat janë rritur, bllok dotacionet shkojnë vetëm për paga nuk mbesin vetëm për transport, ndërsa ende më pak për investimet kapitale në arsim nëpër komuna”, tha Mexhiti.
Ai njoftoi se takimet e tilla do të jenë më të shpeshta, me qëllim të përmirësimit të realizimit të projekteve të mira në interes të qytetarëve.
Kryetari i komunës së Gostivarit Limani theksoi se është diskutuar për problemet me të cilat përballen komunat, për projektet e planifikuara të komunës, si dhe për ndihmën që mund ta marrin nga MMJPH.
“Po ashtu, tani në cilësinë e zëvendëskryeministrit të parë kemi diskutuar për projektet që ka paraparë Qeveria, për thirrjet që do të bëhen këtë muaj dhe vitin e ardhshëm dhe që kanë lidhje me investimet kapitale në komuna. Por edhe për problematikat aktuale të komunave që kanë të bëjnë me bllok dotacionet që na vijnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nga Ministria e Mbrojtjes, por edhe probleme të tjera me të cilat ne, por edhe qytetarët tanë përballemi në lidhje me mjedisin jetësor, për cilësinë më të mirë të ajrit, por edhe për infrastrukturën nëntokësore”, theksoi kryetari Limani.