Mickoski: Do t’i lus këshilltarët e VMRO-së që të votojnë programet në Qytetin e Shkupit, por asgjë nuk do të ndryshojë
Kryeministri Hristijan Mickoski sot në një deklaratë për media tha se nga pozita e liderit të VMRO-DPMNE-së do të kërkojë nga këshilltarët në Qytetin e Shkupit nga radhët e partisë së tij që t’i mbështesin programet, siç kërkoi kryetarja Danela Arsovska. Por, sipas Mickoskit, edhe nëse miratohen programet, asgjë nuk do të ndryshojë në kryeqytet, […]
Kryeministri Hristijan Mickoski sot në një deklaratë për media tha se nga pozita e liderit të VMRO-DPMNE-së do të kërkojë nga këshilltarët në Qytetin e Shkupit nga radhët e partisë së tij që t’i mbështesin programet, siç kërkoi kryetarja Danela Arsovska. Por, sipas Mickoskit, edhe nëse miratohen programet, asgjë nuk do të ndryshojë në kryeqytet, transmeton Portalb.mk.
“Kam dëgjuar ato mesazhe që programet nuk janë votuar, këto janë ngecur, ato janë ngecur. Unë si kryetar i VMRO-DPMNE-së do të kërkoj nga këshilltarët që vijnë nga grupi i këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së që në seancën e ardhshme t’i votojnë ato programe menjëherë, nëse është në dorë të programeve. Mendoj se kam marrë informacion se do të ketë takim më 29 gusht. Unë do t’i lus që ato programe që Danela Arsovska thotë se nuk i votohen , t’i votojnë dhe do të shihni se asgjë nuk do të ndryshojë. Këtu duhet ta dini se asgjë nuk do të ndryshojë”, tha kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Në qytetin e Shkupit sot po mbahet takimi koordinues i përfaqësuesve të grupeve të këshillit me kryetaren Danela Arsovska, në të cilin pritet të prezantojë planin për daljen nga kriza në kryeqytet. Takimi është i mbyllur për publikun dhe para fillimit, koordinatorët e grupeve të këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së janë shprehur optimist lidhur me takimin.
Kujtojmë se keqkuptimet dhe mosmarrëveshjet mes Qeverisë dhe Qytetit të Shkupit në vend se të qartësohen, kulmuan pas takimit të mbajtur të hënën (19.08) në mes të kryeministrit Hristijan Mickoski, ministrit të vetëqeverisjes lokale, Zlatko Perinski dhe kryetares së Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska. Para fillimit të vitit shkollor qyteti është lënë në mëshirë të fatit. Në vend të zgjidhjes së problemeve me transportin publik, funksionimit të ndërmarrjeve publike dhe plehrave në të cilat po mbytet qyteti, të dyja palët vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën, pa plane konkrete se si të gjejnë zgjidhje për problemet e shumta në të cilat kryeqyteti po fundoset.
Pasi ministri i Pushtetit Lokal Zlatko Perinski pas takimit të së hënës shprehu dyshim se gjërat mund të shkojnë në drejtimin e duhur, kryetarja Danela Arsovska në një konferencë për media në Qytetin e Shkupit sulmoi me të gjitha armët këshilltarët e VMRO-DPMNE-së, të cilët “një herë i kanë qëndruar pas dhe kanë premtuar” – ndërsa tani me mosvotimin e tyre po bllokojnë pikërisht realizimin e atyre premtimeve në Qytetin e Shkupit.