Mickoski: Fakti që nuk vazhduam me procesin e ndërrimit të prokurorëve, nuk do të thotë se kemi harruar se çfarë kanë bërë dhe nga vijnë
Prokurori që e udhëheq hetimin për rastin e Koçanit është i njëjti që e votuan partitë politike BDI dhe LSDM, dhe në mëngjes, në Koçan, para orës 8, ai (kryeprokurori republikan Ljupço Kocevski) arriti me dy bashkëpunëtorët e tij – Islam Abazin dhe Gavril Bubevskin, për të cilët është e qartë se nga vijnë dhe […]


Prokurori që e udhëheq hetimin për rastin e Koçanit është i njëjti që e votuan partitë politike BDI dhe LSDM, dhe në mëngjes, në Koçan, para orës 8, ai (kryeprokurori republikan Ljupço Kocevski) arriti me dy bashkëpunëtorët e tij – Islam Abazin dhe Gavril Bubevskin, për të cilët është e qartë se nga vijnë dhe nga cilat teftere janë zgjedhur – u përgjigj kryeministri Hristian Mickoski, në pyetjet e gazetarëve, lidhur me mënyrën se si do të veprojnë në lidhje me kërkesën e BDI-së dhe LSDM-së për formimin e një komisioni parlamentare dhe ndërkombëtare, respektivisht për formimin e një komisioni hetimor, pasi dy partitë opozitare nuk janë të kënaqura me mënyrën se si po zhvillohet hetimi për tragjedinë në Koçan, në të cilin humbën jetën 59 të rinj, transmeton Portalb.mk.
Mickoski tha se fakti që ata nuk vazhduan me procesin për ndryshimin e kryeprokurorit, nuk do të thotë se kanë harruar prej nga vijnë dhe çfarë kanë bërë, por tërheqja e tyre në këtë moment do të thotë lënia e hapësirës për të dhënë një përgjigje të qartë dhe përgjegjësi për çdo person që ka ndihmuar, edhe në mënyrën më të vogël, në këtë tragjedi.
“Kjo nuk është diçka përfundimtare. Ne po e ndjekim me kujdes punën. Këta të njëjtë ishin të preferuarit e LSDM-së dhe BDI-së, të cilët tani thonë se nuk janë të kënaqur me hetimin që po bëhet. Unë do t’i pyesja nëse kanë qenë të kënaqur me hetimin për spitalin modular, hetimin për Llaskarcën, Besa Trans-in, Soravia-n dhe shumë hetime të tjera që ishin të njohura në publik. Unë nuk po ik nga asnjë Komision Hetimor, supozoj se as grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe koalicioni nuk do të ikin, por do të doja ta zgjeronim me këto raste gjyqësore që përfunduan në mënyrën që përfunduan, jemi të gatshëm të diskutojmë dhe debatojmë me këdo që mendon se mund të shtojë vlerë në çdo proces”, tha Mickoski.
Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, paraprakisht njoftoi se Qeveria do ta ndërpresë procedurën për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit Ljupço Kocevski edhe nëse merr mendim nga Këshilli i Prokurorëve Publikë lidhur me propozimin për shkarkim.
Deklarata e Mitevës erdh pas paralajmërimit të kryeminsitrit Hristijan Mickoski, i cili deklaroi se, procedura për shkarkimin e Kocevskit, e cila është iniciuar nga Qeveria në shkurt, duhet të mbetet në fazën në të cilën është aktualisht, për shkak të hetimit të tragjedisë në Koçan, për të cilën po punon ekipi prej 11 prokurorësh.
Siç tha ai, prokurorëve që punojnë në këtë rast “duhet t’u jepet shans të punojnë”. Ai po ashtu tha se puna e përbashkët e Prokurorisë Publike dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) në kuadër të hetimeve për tragjedinë e Koçanit ka rezultuar me sigurimin e 34 personave.
Ndryshe, procedurën për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit Ljupço Kocevski e ka iniciuar Qeveria në shkurt të këtij viti, pikërisht një vit pasi ai ka marrë këtë pozitë. Pas kalimit të seancës së qeverisë, propozimi për shkarkimin e Kocevskit mbërriti në Këshillin e Prokurorëve Publikë në fillim të marsit.
Propozimin për shkarkimin e tij Kocevski e ka marrë më 6 mars, dhjetë ditë para tragjedisë në Koçan. Në ndërkohë ai është dashur të vendosë për mocionin për shkarkim, ndërsa Këshilli i Prokurorëve Publikë është dashur të japë mendim brenda 15 ditëve.