Ministria e Shëndetësisë: Katër pacientë që trajtoheshin jashtë shtetit janë lëshuar në mjekim shtëpiak

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se, numri i pacientëve të hospitalizuar nga tragjedia në Koçan mbetet i pandryshuar. Në Shkup po mjekohen 16 persona, të cilët janë në gjendje stabile. Prej tyre, gjashtë janë të shtruar në spitalin e vjetër të qytetit, gjashtë në SPQ “8 shtatori” dhe katër në Qendrën Klinike, transmeton Portalb.mk. Në Klinikën […]

Mars 30, 2025 - 18:00
 0  6
Ministria e Shëndetësisë: Katër pacientë që trajtoheshin jashtë shtetit janë lëshuar në mjekim shtëpiak
Qytetarë të mbledhur para Spitalit në Koçan pas tragjedisë së zjarrit në diskotekë. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se, numri i pacientëve të hospitalizuar nga tragjedia në Koçan mbetet i pandryshuar. Në Shkup po mjekohen 16 persona, të cilët janë në gjendje stabile. Prej tyre, gjashtë janë të shtruar në spitalin e vjetër të qytetit, gjashtë në SPQ “8 shtatori” dhe katër në Qendrën Klinike, transmeton Portalb.mk.

Në Klinikën e Toksikologjisë në 24 orët e fundit janë pranuar katër pacientë që kanë qenë jashtë vendit. Pas analizave të bëra toksikologjike, ata janë lëshuar në mjekim shtëpiak, ndërsa të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Në Selanik, te dy pacientë është vërejtur përmirësim, prandaj ata janë ekstubuar dhe transferuar nga kujdesi intensiv në departamentin e kirurgjisë plastike.

Te pacientët e tjerë nuk ka ndryshim të gjendjes ndërsa tani për tani nuk janë paralajmëruar kthim të të lënduarve prej jashtë vendit.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.