Mickoski: Gabimi është konstatuar, Komisioni për Falje ka marrë përgjegjësi dhe ka dhënë dorëheqje si akt moral

Gabimi është konstatuar dhe është akt moral të marrësh përgjegjësi, thotë kryeministri Hristijan Mickoski për dorëheqjet e djeshme të anëtarëve të Komisionit për Falje. Me këtë veprim, kryeministri pret që të mbyllet tema e faljeve të presidentes Gordana Siljanovska Davkova që nga 23 tetori ka trazuar publikun për shkak të disa personave që u gjetën […]

tetor 27, 2024 - 17:00
 0  4
Mickoski: Gabimi është konstatuar, Komisioni për Falje ka marrë përgjegjësi dhe ka dhënë dorëheqje si akt moral
Hristijan Mickoski, foto nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut

Gabimi është konstatuar dhe është akt moral të marrësh përgjegjësi, thotë kryeministri Hristijan Mickoski për dorëheqjet e djeshme të anëtarëve të Komisionit për Falje. Me këtë veprim, kryeministri pret që të mbyllet tema e faljeve të presidentes Gordana Siljanovska Davkova që nga 23 tetori ka trazuar publikun për shkak të disa personave që u gjetën në listën për falje, transmeton Portalb.mk

“Njeriu i gjallë që punon, di edhe të gabojë. Kur konstaton gabimin dhe merr përgjegjësi, kjo është akt moral. Kështu mund ta komentoj dorëheqjen e anëtarëve të Komisionit që merret me faljet. Gabimi është konstatuar dhe e vetmja gjë që ata kishin si akt moral ishte të tërhiqeshin, dhe këtë e bënë, kështu që pres që kjo temë të mbyllet në publik”, tha Mickoski.

Nga LSDM-ja opozitare theksuan se Komisioni për Falje është bërë një “kurban” për të shpëtuar nga përgjegjësia presidenten Siljanovska Davkova. Ata kërkojnë që ajo të tërhiqet nga posti i presidentes, dhe përgjegjësit, siç thonë, të mbajnë përgjegjësi.

“Për faljet skandaloze duhet të ketë përgjegjësi si për Siljanovskën ashtu edhe për ata që urdhëruan faljet. Në prill të vitit 2023, presidentja hungareze Katalin Novak dha dorëheqjen për shkak të një skandali me faljen e një personi. Siljanovska fali një bos droge dhe kriminelë të dënuar, të përfshirë në afera spiunazhi. A nuk është Hungaria dhe Orban modeli që ndjek Hristijan Mickoski? Ja, sipas shembullit të Hungarisë, le të ketë guxim Siljanovska dhe të mbajë përgjegjësi, të japë dorëheqje,” tha Ilievski.

Dje, Komisioni gjashtëanëtarësh për Falje dha dorëheqje kolektive. Vendimin e bëri publik në Facebook profesori Gordan Kalajxhiev, i cili në arsyetimin e tij deklaroi se e kishin marrë në përputhje me parimet e tyre personale dhe profesionale. Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova e pranoi dorëheqjen dhe njoftoi se do të ketë konsultime për përbërjen e re, si dhe për ndryshime në sistemin e faljes.

Kujtojmë se presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova pasdite më 24 tetor ka thirrur në takim gjashtë anëtarët e Komisionit për Falje, i cili vjen pas reagimeve që shkaktuan në opinion disa prej emrave që ishin në listën e të falurve në me rastin e festës 23 Tetori – Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase. Takimi erdhi edhe pas arrestimit të Akif Ravmanoskit, njërit prej personave të falur nga Siljanovska-Davkova, për të cilin mediat raportojnë se është një nga liderët e grupit kriminal “Baron”.

Më 24 tetor, dy ditë pas shpalljes së vendimit për faljen e tij në “Gazetën Zyrtare”, duke dalë nga burgu “Idrizovë”, ai ishte sërish i dyshuar për një vepër tjetër të kryer dhjetë ditë më parë, përkatësisht përfshirjen në një incident të armatosur në lagjen Çair.