Mickoski: Kemi informacione se BDI mund të ndërmarrë hapa për destabilizimin e shtetit këtë vjeshtë
Kemi informacione të marra nga disa se kjo kryesi e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në përpjekje për të mbrojtur kapitalin që ka krijuar në 20 vitet e fundit do të ndërmarrë hapa drejt destabilizimit të shtetit. Sipas këtyre informacioneve, presim që kjo të ndodhë këtë vjeshtë. Kështu ka deklaruar sot në një konferencë për […]
Kemi informacione të marra nga disa se kjo kryesi e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në përpjekje për të mbrojtur kapitalin që ka krijuar në 20 vitet e fundit do të ndërmarrë hapa drejt destabilizimit të shtetit. Sipas këtyre informacioneve, presim që kjo të ndodhë këtë vjeshtë. Kështu ka deklaruar sot në një konferencë për media të mbajtur së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për të zbuluar më shumë detaje rreth informacioneve që ka paraqitur në intervistën e fundit për të përjavshmen “Fokus”, se sjellja e BDI-së kërcënon imazhin ndëretnik në shtet dhe paraqet kërcënim për paqen dhe stabilitetin e shtetit, transmeton Portalb.mk.
“Ne si qeveri kemi të drejtën e plotë për të mbrojtur sovranitetin territorial, integritetin dhe paqen e qytetarëve. Ky është edhe qëllimi i një shteti. Në bazë të informacioneve që kemi, presim që kjo të ndodhë këtë vjeshtë. Të presim që koha të japë përgjigje se a do të konfirmohen ato informata apo jo”, tha Mickoski.
I pyetur se çfarë ka ndryshuar në qëndrimin e partisë në pushtet ndaj BDI-së, pas përkrahjes së tyre në ndryshimet në Ligjin për Qeverinë, kryeministri tha se përkrahja në progresin e qytetarëve është e mirëpritur nga çdo parti politike, veçanërisht siç thekson ai, në drejtimi të dhënies së konstruktivitetit për përmirësimin e kushteve të jetesës, për përmirësimin e standardit dhe mbështetjen në procesin e reformës.
“Pres që në të ardhmen, kur të kemi ligje më të mira reformuese, të mbështeten nga të gjithë aktorët politikë, jo vetëm nga BDI. Ne paguhemi nga qytetarët dhe duhet të punojmë për interesat e tyre. Por kur marrim informacione për sjellje potencialisht devijuese të grupeve dhe partive politike, ne jemi të detyruar t’ia shpallim publikut. Ndryshe nuk do të ishim një qeveri që do të justifikonte pritshmëritë e qytetarëve”, tha ai.
Kryeministri ka treguar në intervistën për “Fokus” se nuk përjashton mundësinë që grupe dhe struktura të caktuara të manipulohen në mënyrë të pandërgjegjshme dhe kjo, sipas tij, të shkaktojë rrezik të integritetit territorial dhe sovranitet, pra të krijojë krizë.
Ndryshe, Bashkimi Demokratik për Integrim e udhëhoqi koalicionin parazgjedhor “Fronti Europian” në zgjedhjet e fundit të 8 majit. Ata arritën të marrin 18 deputetë, por nuk arritën të bëhen pjesë e koalicionit qeveritar.
Koalicioni qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski përbëhet nga VMRO-DPMNE-ja, VLEN-i dhe ZNAM.