Mickoski: Në hetimin për rastin “Lotaria Shtetërore” janë përfshirë edhe persona të tjerë nga pushteti i kaluar
Edhe disa persona të tjerë nga pushteti i mëparshëm janë pjesë e hetimeve për aktivitete kriminale në “Llotarinë Shtetërore”, ka zbuluar mbrëmë kryeministri Hristijan Mickoski në një intervistë për TV 21, transmeton Portalb.mk. “Ka informacione se edhe zyrtarë të tjerë të lartë janë pjesë e këtij hetimi. Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me […]
Edhe disa persona të tjerë nga pushteti i mëparshëm janë pjesë e hetimeve për aktivitete kriminale në “Llotarinë Shtetërore”, ka zbuluar mbrëmë kryeministri Hristijan Mickoski në një intervistë për TV 21, transmeton Portalb.mk.
“Ka informacione se edhe zyrtarë të tjerë të lartë janë pjesë e këtij hetimi. Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me Prokurorinë Publike, në bazë të provave që disponon janë duke vepruar në këto raste, për të cilat ekziston dyshimi i bazuar se këta persona kanë kryer krime të rënda”, tha Mickoski.
Ai ka shtuar se ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, i cili është i dyshuar në këtë rast, së bashku me një person tjetër, pardje kanë dalë nga vendi me një automjet diplomatik dhe kanë shkuar në Kosovë.
Lidhur me grupin terrorist të shpërbërë në rajonin e Gostivarit dhe Strugës, Mickoski theksoi se po përgatiste sulme terroriste, jo vetëm në vend, por edhe më gjerë, dhe siç theksoi, grupi është çmontuar së bashku me partnerët e vendit.
“Kishte dyshim të bazuar se kjo celulë po përgatiste sulme që kishte objektiva në vend, do të thosha sulme terroriste dhe kjo është një nga celulat e shumta që janë aktive në rajon. Por tashmë është siguruar dhe eliminuar, të paktën në vendin tonë. Unë supozoj se vendet e tjera do të funksionojnë në ditët në vijim dhe do t’i eliminojnë. Së bashku me partnerët tanë e neutralizuam atë”, tha ai.
Kryeministri ka komentuar edhe aksionin e Ministrisë së Brendshme për çmontimin e grupit kriminal Bellanoca/Baron.
“Aksioni i policisë ndaj strukturave kriminale që kanë qenë prezente në qytetet në të gjithë vendin gjatë viteve të fundit, dekadave të fundit, do të thosha, është një grup që ka dyshime të bazuara se është i lidhur me shumë vepra kriminale, përfshirë edhe vrasje”, tha ai.
Mickoski shtoi se sipas informacioneve që disponon, me këtë aksion policor janë zbardhur shtatë vrasje në Maqedoni.
“Mund të them se në bazë të dëshmive që janë siguruar, ky është operacioni policor më kompleks në historinë e Maqedonisë dhe një operacion që do të zbulojë dhe zbardhë vrasjet që kanë ndodhur në vitet e fundit. Deri në këtë moment kam informacione se janë zbardhur shtatë vrasje të kryera nga ky grup”, tha kryeministri Mickoski.
Ndryshe, dje ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski përmes një konference për media dhe Prokuroria përmes komunikatave informuan në detaje për tre aksionet. Në të parin u përmend edhe një ish-kryeministër për keqpërdorime në Lotarinë Shtetërore. Në aksionin e dytë bëhej fjalë për siç thuhet, grup terrorist dhe në aksionin e tretë për grupin kriminale Bellanoca/Baron.