Toshkovski: Po mblidhen prova shtesë për arratisjen e Artan Grubit

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski theksoi se aktualisht po mblidhen më shumë prova nëse polici i cili ishte në detyrë kur ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi u largua nga vendi ka bërë gabim nga pakujdesia apo nëse ishte organizuar në kuadër të një grupi specifik që organizoi arratisjen, transmeton Portalb.mk. “Për këtë është hapur një […]

Jan 22, 2025 - 14:00
 0  4
Toshkovski: Po mblidhen prova shtesë për arratisjen e Artan Grubit
Pançe Toshkovski, ministër i MPB-së. Foto printscreen nga video e TV 24

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski theksoi se aktualisht po mblidhen më shumë prova nëse polici i cili ishte në detyrë kur ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi u largua nga vendi ka bërë gabim nga pakujdesia apo nëse ishte organizuar në kuadër të një grupi specifik që organizoi arratisjen, transmeton Portalb.mk.

“Për këtë është hapur një hetim dhe po vepron Prokuroria Themelore Publike dhe në kuadër të asaj që kemi si provë të pakundërshtueshme, ndaj personit kemi bërë kallëzim penal dhe është suspenduar nga puna. Për momentin po hetohet nëse ka pasur ndonjë komunikim dhe çfarë komunikimi ka qenë”, thotë Toshkovski në një dalje në Televizionin 24.

Për të parandaluar një skenar të tillë, Toshkovski tha se janë bërë përgatitje më serioze dhe janë angazhuar të gjitha resurset.

Sipas tij, në kufi ka pasur shërbime të tjera shtesë që është dashur të reagojnë nëse ka pasur arratisje, por siç ka treguar ai nuk kanë reaguar pasi ka qenë një operacion sekret.

“Është fakt se ka pasur shërbime të tjera shtesë që janë dërguar në kufi për t’iu përgjigjur arratisjes së mundshme të personit në fjalë, por është gjithashtu fakt që nuk kanë ditur se kë duhet të ndalojnë sepse është pjesë e punës operative të policisë. Askush nuk mund ta merrte me mend se një punonjës policie i cili është në pozicion, do të thotë të marrë pasaportën e një personi të caktuar për ta vendosur në skaner dhe pas skanimit shfaqet në kompjuterin përballë se personi i caktuar është në listën e ndalimit, se në vend që të shikojë në kompjuter që është puna e tij kryesore, pse është ndryshe në kufi, të shesë lule apo është në kufi për të kontrolluar nëse personi i plotëson kushtet për t’u larguar nga vendi apo jo, këtu askush nuk mund të hamendësojë”, tha ai.

Toshkovski theksoi se fakti që Artan Grubi nuk shpreh iniciativë për t’u kthyer në vend është tregues i mjaftueshëm nëse ai është fajtor apo jo.

“As mua nuk më vjen mirë që personi në fjalë nuk është në dispozicion të organeve të rendit. Gjithashtu nuk më vjen mirë që në vend që të dëshmojë se është i pastër si loti, siç tha në rrjetet sociale, në vend që të merrej me punët e tij private, ai nuk erdhi në vend, për t’u përballur me provat e Ministrisë së Brendshme në bashkëpunim me Policinë Financiare dhe Prokurorinë Publike dhe në kuadër të drejtësisë procedurale për të vërtetuar se çfarë është e vërtetë”, shtoi Toshkovski.

Ministri thotë gjithashtu se për momentin nuk ka asnjë informacion zyrtar se ku ndodhet Grubi apo nëse është i disponueshëm në ndonjë shërbim partner, si te fqinjët ashtu edhe te ato më larg.

Ai shton se në momentin e parë kur të kenë informacion zyrtar për një veprim konkret të ndërmarrë prej tyre, publiku do të informohet.

Artan Grubi kërkohet me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin ‘Lotaria’. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë. Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milion euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të kodit penal, e cila parashikon dënim me të paktën katër vjet burg. 

Në fund të vitit 2024, Artan Grubi së bashku me gjykatësin Enver Bexheti u futën në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin.