Mickoski paralajmëroi ndryshim të kuadrit në komisionin historik me Bullgarinë: Përbërja aktuale nuk mbron interesat kombëtare
Kryeministri Hristijan Mickoski sot në një deklaratë për media ka njoftuar se në periudhën e ardhshme do të ketë ndryshime kadrovike në Komisionin e Përbashkët Multidisiplinar të Ekspertëve për Çështje Historike dhe Arsimore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, transmeton Portalb.mk. Sipas Mickoskit, përbërja aktuale e komisionit të përbashkët historik nga pala maqedonase nuk i […]
Kryeministri Hristijan Mickoski sot në një deklaratë për media ka njoftuar se në periudhën e ardhshme do të ketë ndryshime kadrovike në Komisionin e Përbashkët Multidisiplinar të Ekspertëve për Çështje Historike dhe Arsimore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, transmeton Portalb.mk.
Sipas Mickoskit, përbërja aktuale e komisionit të përbashkët historik nga pala maqedonase nuk i ka përmbushur pritjet dhe nuk i ka mbrojtur interesat kombëtare. Ai mohon që ndryshimet të kenë prapavijë politike.
“Personalisht, nëse më pyesni mua, mendoj se komisioni aktual i përzier absolutisht nuk i përmbushi pritjet dhe nuk ishte mbrojtës i interesave kombëtare të popullit maqedonas. Përndryshe, po – është logjike që kur të kesh një qeveri të re të ketë ndryshime në disa institucione, nuk e shoh pse do të kishte politikë këtu. Është normale që një qeveri e re, njerëz të rinj që menaxhojnë qeverinë e re, të ketë ndryshime personeli. Nuk shoh asgjë të tmerrshme këtu”, tha Mickoski, i cili ishte në manifestimin me rastin e ditëlindjes së Nënë Terezës.
Komisioni i përbashkët multidisiplinar i ekspertëve për çështje historike dhe arsimore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë u krijua si rezultat i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë të nënshkruar më 1 gusht 2017.
Komisioni përfshin historianë dhe profesorë nga të dy vendet. Ekipi i Maqedonisë udhëhiqet nga akademiku Dragi Gjorgjiev, anëtar i AShAM-it dhe profesor në Institutin e Historisë Kombëtare (IHK) të UKM-së.
Ndryshe, në raport me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh në vitin 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.